Një i vdekur dhe dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit të një transformatori të tensionit të lartë në rrugën dytësore në autostradën Tiranë – Durrës, të ndodhur mesditën e së enjtes.
Si pasojë e shpërthimit fillimisht kanë mbetur tre persona të plagosur rëndë, ndërkohë që njëri prej tyre ka ndërruar jetë në spital për shkak të plagëve të marra.
Dy punëtorët që kanë mbetur të plagosur janë: Seri Çollaku dhe Fari Çollaku të cilët janë transportuar në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa Gjergji Sula ka ndërruar jetë në spital.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur policia e cila ka rrethuar zonën dhe po heton për shkaqet e ngjarjes.
“Rreth orës 12.00, në autostradën Tiranë – Durrës në afërsi të një objekti në rekonstruksion si pasojë e një shkëndie elektrike ka shpërthyer një transformator elektrik.
Si pasojë e shpërthimit kanë mbetur të dëmtuar 3 punonjës e këtij objekti shtetasit GJ. S, S. Ç dhe F. Ç të cilët u dërguan në spital për ndihmë mjeksore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e metejshëm të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia paraprakisht.
OSHEE ka reaguar pas shpërthimit të transformatorit të tensionit të lartë në autostradën Tiranë – Durrës duke bërë të ditur se punëtorët e firmës kanë shkurtuar distancën në linjën e 110 kV të OST, ç’ka ka shkaktuar masë.
OSHEE sqaron se ky defekt la pa energji bizneset përgjatë autostradës, zona e Kamzës, Vora dhe Mëzez.
“Për shkak të punimeve të kompanisë “4AM”, me vendndodhje pranë COCA COLËS në autostradë, ku dy punëtorë të kësaj firme kanë shkurtuar distancën me linjën 110 kV të OST, cka ka shkaktuar masë, ka mbetur për disa minuta i stakuar NST Kashar.
Ky defekt la pa energji bizneset përgjatë autostradës, zona e Kamzës, Vora dhe Mëzez.
Grupi i punës së avarisë së OSHEE mori masa për furnizimin menjëherë të nstacionit me linjën rezervë dhe aktualisht kanë marrë energji të gjithë zonat e lartpërmendura.
Aktualisht kemi stakuar për masë vetëm fiderin që furnizon me energji zonën pranë Coca Colës”, sqaron OSHEE.