Analiza në Real Story: S’ka “zgjedhore’ të suksesshme pa drejtësi të pavarur

POLITIKË


Reforma Zgjedhore dhe ndryshimi i sistemi elektoral kanë qenë pjesë e diskutimeve në studion e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News 24. Dy nga problematikat që vihen re aktualisht në reformën zgjedhore në Shqipëri janë mungesa e një drejtësie të pavarur dhe mungesa e një vullneti të mirë politik për të vendosur interesat e Shqipërisë mbi ato partiak e personal.

Të ftuarit në panelin e diskutimit Krista Kume, Arben Ristani, Ilirjan Celibashi dhe Roland Lami mbajtën të njëjtin qëndrim duke deklaruar se shqiptarët duhet të zgjedhin sistemin që përshtatet më mirë në vendin e tyre dhe situatën ku ndodhet Shqipëria. Ata theksuan se të gjithë sistemet elektorale janë demokratike në thelbin e tyre, por të shoqëruar me problematika, në bazë të të cilave duhet të vendoset se cila është më e përshtatshme për vendin tonë.


Gjithashtu një pjesë të mirë të diskutimit e pati edhe punimi paralelisht si me Reformën Zgjedhore ashtu edhe me atë në Drejtësi për krijimin një baze të fortë ligjore, të zbatueshme në mënyrë që dobësitë apo të këqijat e një sistemi zgjedhor të marrin përgjigje përmes drejtësisë dhe gjykatave të pavarura të vendit. Edhe sikur të arrihet një sistem dhe një Reformë Zgjedhore e mirë dhe e plotësuar, ajo nuk mund të parandalojë problemet e shitblerjes së votës po nuk pati një zbatim të drejtë dhe të pavarur të ligjit.

Për Arben Ristanin nuk mund të ketë një reformë zgjedhore funksionale nëse nuk ka një drejtësi të fortë dhe të pavarur. “Na duhet një drejtësi  e pavarur që të funksionojë reforma zgjedhore në këtë vend. Nëse ti ke probleme me zbatimin e ligjit atëherë nuk ta ka fajin më sistemi apo reforma zgjedhore. Pra duhet të ketë një vullnet të mirë nga të gjitha palët. Të kesh një vullnet të mirë politik do të thotë të kesh Shqipërinë mbi interesat personal dhe ato partiak. Kur ka vullnet të mirë politik, zgjedhjet bëhen edhe me një letër dhe një laps. Prandaj duhet të ecet paralelisht si me reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi.”

Ndërsa ish kryetari i KQZ-së Ilirja Celibashi bëri një krahasim se kush do të ishte një sistem i duhur për Shqipërinë. Ai tha se një vend si Shqipëria ka nevojë për një qeveri të qëndrueshme dhe një përfaqësim dhe këtë e ofron sistemi proporcional rajonal me lista të hapura. “Për një vend si Shqipëria ku është në fazë të zhvillimit të reformave kërkon një qeveri të qëndrueshme dhe në këtë drejtim na duhet një sistem mazhoritar. Por duhet të ketë dhe një përfaqësim dhe për këtë , një sistem që i përfshinë të dyja është sistem proporcional rajonal me lista të hapura.” tha Celibashi i cili shtoi se një qeveri e dobët është e pritur për të bërë pazare.

Kristaq Kume theksoi rëndësinë e respektimi të ligjit në mënyrë që të kemi një reformë zgjedhore të mirë. Kume i vë fajin “ngrehinës legjislative” që është ndërtuar që shkakton kaq shumë parregullsi dhe devijime. “Ne kemi devijuar nga dy parime bazë të funksionimit të demokracisë. Domosdo duhet kultura e zbatimit të ligjit, e respektimit të ligjit. Duhet të ndërhyjmë brenda shtratit ligjor, të bëjmë reformën zgjedhore sa më mirë. Mënyra se si ne e kemi ndërtuar të gjithë “ngrehinën legjislative” është e tillë që ka krijuar kushte që ne të devijojmë. Qytetari duhet të zgjedhë se kush janë njerëzit që ai dëshiron të jenë përfaqësuesit e tij politik. Ideja është që të ndërtojmë një sistem që të eliminojmë sa më shumë parregullsitë që mund të krijohen.” tha Kume / Real Story




Skip to toolbar