Kur vetëm pak orë na ndajnë nga ndeshja e parë zyrtare në stadiumin e ri “Air Albania”, tifozët kanë filluar të mblidhen përreth stadiumit, ndërsa policia e ka blinduar atë me masa sigurie. 21700 bileta janë shitur, ndërkohë që kërkesat kanë qenë rreth 100 mijë për të marrë pjesë në këtë ndeshje të fundit për kualifikueset e “Euro 2020”, por e para që i hap dyert zyrtarisht “Air Albania Stadium”.
Figura të shumta të futbollit, por edhe të politikës do të jenë në ndeshjen hapëse mes “shqiponjave” kuqezi dhe “gjelave” francezë, ku nuk do të mungojë edhe Presidenti i UEFA Aleksander Ceferin. Kreu i futbollit europian ka mbërritur në Shqipëri, që paradite, ku fillimisht ka takuar kryeministrin Rama, ndërkohë që më vonë ka pasur një takim edhe me presidentin e FSHSH Duka. Në këtë sfidë nuk do të mungojë as ish trajneri i kuqezinjve De Biasi, i cili është shprehur xheloz për Rejën.
Kuqezinjtë nuk do të kenë presion e rezultatit, veç “betejës” për vendin e tretë dhe rekordin e pikëve në grup, pasi shpresat për kualifikim u shuan që në Turqi, por sonte do të tentojnë që ta nisin me këmbën e mbarë në stadiumin e ri. Por, 90′ nuk do të jenë të lehta, kur mendon se përballë do të jenë as më pak dhe as më shumë, por kampionët e botës.
Veç hapjes së stadiumit me sfidën e darkës, në orën 19:00 do të ketë edhe një konfrencë zyrtare për shtyp mes Presidentit të FSHF, Armando Duka dhe Presidentit Ceferin. Në orën 19.40 deri në orën 20:20, është organizuar edhe ceremonia e përurimit të stadiumit dhe fjalimet e Presidentit Duka, Presidentit Ceferin dhe Kryeministrit Rama.
Rreth 6 orë para ndeshjes, kurioziteti i ka shtyrë tifozët që të mbërrijnë në stadium. Me flamurin shqiptar disa bëjnë foto, disa të tjerë shohin me kureshtje ambientin rreth stadiumit, por të gjithë janë aty për një qëllim: që të mbështesin skuadrën e zemrës, kombëtaren kuqezi.
Për zhvillimin e ndeshjes janë marrë masa të rrepta sigurie nga policia, ndërsa vetë kryeministri Rama, një ditë më parë u kërkoi kuqezinjve “të jepnin jetën në stadium” edhe pse rezultati nuk kishte shumë rëndësi. Në ceremoninë e inaugurimit të stadiumit do marrin pjesë edhe disa nga emrat më të mirë të skenës shqiptare ku Juliana Pasha do këndojë himnin e Shqipërisë, Besa Kokëdhima do këndojë himnin e Francës, ndërsa Era Istrefi dhe Flori Mumajesi do këndojnë në ceremoninë e hapjes. Ndërkohë 460 fëmijë do të shpalosin një koreografi të veçantë në stadium.