Kryetari i partisë Besa dhe njëherësh kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami në emisionin “Real Story” në ABC News, foli për situatën politike në Maqedoninë e Veriut.
Gjithashtu ai u ndal edhe tek vendimi i SHBA, ku Artan Grupi u vendos në listën e zezë, si edhe faktorin shqiptar dhe VMRO. Vëmendje i kushtoi edhe çështjes së gjuhës shqipe, duke shpjeguar se çfarë e pengon ligjin për gjuhët, duke garantuar se shqipja do të bëhet pjesë e Kushtetutës në Shkup.
“Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut së paku tre herë është miratuar dhe është ndryshuar ligji për përdorimin. Ndryshimet e fundit ishin një avancim i theksuar i përdorimit të gjuhës shqipe edhe pse qëndrojmë në pozicionin që nuk është zyrtarizuar. Sepse zyrtarizimi bëhet me Kushtetutë dhe jo me ligj. Gjykata Kushtetuese thotë që shumë çështje që rregullohen me ligje të veçante, në këtë rast ku është ligj që rregullohet edhe ligji për uniformën për policisë, pra në këtë rast kur kemi një ligj special është me i rëndësishëm.
Me një ligj të përgjithshëm është më vështirë të rregullohet përdorimin për gjuhën shqipe. Kemi rastin me gjykatësit, sistemin e drejtësisë, asnjëherë nuk është përdorur gjuha shqipe, nuk u ndryshua ligji për prokurorinë apo gjykatat që të futet gjuha shqipe në institucione. Në po themi që me koalicionin Vlen dhe këtë qeverisje do të avancohet përdorimi i ligjit për gjuhën. Kemi bisedime të avancuara me kryeministrin që në paketën e radhës të ndryshimeve Kushtetuese të largohet definicioni 20% dhe në Kushtetutë të definohet si gjuhë shqipe. Sa i përket gjuhës shqipe, po garantojmë që nuk do të ketë degradim të ligjit për gjuhën, por do të avancojë, që të mos jetë 20 %, por gjuhë shqipe. Kjo ndërlidhet me një marrëveshje, duke pasur parasysh që Kushtetuta nuk ndërrohet shpesh. Në këtë proces të ndryshimeve Kushtetuese, do përgatitet një paketë që do rregullojë disa çështja një, nga këto do jetë edhe largimi i 20 % të gjuhës shqipe”, tha ai.