Shqiptari goditi 11 herë moldaven, e ndaloi qeni nga vrasja

AKTUALITET


Shqiptari i arrestuar për sulmin e një gruaje moldave në Itali është identifikuar si Roland Bushi, ndërsa detaje të reja kanë dalë nga policia për ngjarjen makabër, ku i riu shqiptar goditi 11 herë me thikë 33-vjeçaren dhe ndërhyrja e qenit të saj, e shpëtoi nga vrasja.

Bëhet fjalë për gruan moldave 33 vjeçare, e cila u godit disa herë me thikë nga një shqiptar 6 vite më i ri. Ngjarja ndodhi në Francavilla al Mare (Chieti). Ajo ndodhet në spital në gjendje të rëndë. Episodi ndodhi mëngjesin e së martës, kur burri 27-vjeçar shqiptar, i quajtur Roland Bushi, u shfaq në portën e shtëpisë së gruas. Ai kishte rënë në dashuri me të, por ajo kishte refuzuar për një kohë të gjatë pavarësisht këmbënguljes së të riut shqiptar.


Pas refuzimit të pestë, gjërat u përkeqësuar. I riu ngjiti gardhin e jashtë dhe me një thikë në dorë sulmoi gruan plot 11 herë, shkruan “Il Giornale”. Viktima u godit në gjoks dhe në bark duke përfunduar në tokë. Ndërhyrja e qenit të gruas, i cili u hodh kundër sulmuesit  duke arritur ta kafshonte dhe t’i shkaktonte plagë në duar dhe fytyrë, ishte vendimtare pasi gruaja mund të kishte vdekur në vend nëse sulmet e të riut do të vazhdonin.

Shpëtimi i gruas u bë i mundur fal ndërhyrjes së shpejtë të karabinierëve në vendin e ngjarjes, të cilët gjithashtu ndaluan shqiptarin i akuzuar për tentativë vrasjeje. Bushi u përpoq të hiqte qafe thikën duke e hedhur përreth shtëpisë së viktimës dhe për t’u larguar, por dështoi. Tani, gjendet pas hekurave të burgut Madonna del Freddo në Chieti.

Nëna e 33 vjeçares e cila siç raportohet nga “AbruzzoWeb” ishte në Itali për të vizituar vajzën e saj, ndodhet në gjendje shoku. “Ne kemi ardhur në Itali me pushime për të vizituar vajzën time, dhe tani ajo është në spital”. Mediat italiane shkruajnë se midis shqiptarit dhe gruas kishte pasur një histori të shkurtër, por që ishte ndërprerë nga 33 vjeçarja për shkak të një sëmundjeje.




Skip to toolbar