Shtëpia e Bardhë deklaroi këtë të hënë se “Meksika e mori seriozisht urdhrin ekzekutiv të Presidentit Donald Trump për tarifat“, por se Kanadaja “e keqkuptoi atë“.
Trump të shtunën urdhëroi rritjen e tarifave për mallrat nga Meksika, Kanadaja dhe Kina, duke kërkuar që këto vende të ndalojnë kontrabandën e fentanilit dhe emigrantëve të paligjshëm në Shtetet e Bashkuara, raporton Reuters, duke vlerësuar se me këtë vendim presidenti amerikan “ka nisur një luftë tregtare që mund të kërcënojnë rritjen globale dhe nxisin inflacionin”.
Kevin Hassett, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, tha në një intervistë për CNBC se “Meksikanët e morën shumë seriozisht atë që tha Presidenti Trump”.
“Megjithatë, kanadezët duket se e kanë keqkuptuar gjuhën e qartë të urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan”, shtoi Hassett.
I pyetur nga gazetarët se çfarë duhet të bëjnë Kanadaja dhe Meksika për të shmangur rritjen e tarifave, Trump u përgjigj të dielën se “së pari duhet të balancojnë tregtinë e tyre”.
“Atëherë ata do të duhet të ndalojnë hyrjen e emigrantëve në vendin tonë. Duhet të ndalojmë fentanilin. Dhe kjo vlen për Kinën”, tha Trump./abcnews.al