Sëmundjet kronike në Shqipëri po njohin rritje. Kjo prirje sipas vlerësimeve të Institutit të Shëndetit Publik vihet re pas pandemisë së Covid 19. Hipertensioni është sëmundja me e shpeshtë me rreth 250 mijë të prekur ndjekur nga diabeti që shënon rreth 7 mijë pacientë të rinj çdo vit.
“Ka një tendencë në rritje që është reflektuar pas periudhës së Covid. Kjo e reflektuar jo vetëm nga patologjitë që vuri në pah covid që i zgjoi tek individë të caktuara, por dhe nga long covid që solli nxitje të disa patologjive kronike. Në individë ku diabeti ishte i fshehur apo frenuar u vu në dukje, hipertensioni, sëmundjet e koagolimit të gjakut pati një tendencë në rritje.”
Por nuk ka ndodhur njësoj me kulturën shëndetësore të qytetarëve, shumica e të cilëve shkojnë tek mjeku kur shqetësimet iu janë shtuar. Në ditën botërore të shëndetit drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Eugena Tomini apelon për të mos neglizhuar sugjerimet e autoritetve shëndetësore dhe kontrollet mjekësore.
“Kemi akoma shumë punë për të bërë në drejtim të edukatës shëndetësore, duke filluar nga ne mjekët e të afërmit tanë, e popullata në përgjithësi. Rekomandimet sado të thjeshta të jenë duhet të perceptohen në mënyrën e drejtë të mundshme. Popullata duhet të kuptojë se ndjekje e parametrave fizikë e biologjikë të organizmit sigurisht sjell një shendet të përgjithshëm dhe strukturat e shëndetit duhet të apgredohen për të plotësuar nevojat e qytetarëve.”
“Shëndeti im, e drejta ime” është moto e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në ditën e shëndetit këtë vit. U zgjodh për të mbrojtur të drejtën e secilit, kudo, për të pasur akses në shërbime shëndetësore në një kohë kur miliona njerëzve po u kërcënohet gjithnjë e më shumë nga konflikte sipas OBSH që shkaktojnë vdekje, dhimbje, uri dhe shqetësime psikologjike./abcnews.al