Vetëm pak orë pasi Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkoi hetim për prokurorin Arjan Ndoja, Prokuroria e Përgjithshme është vënë në lëvizje. Me anë të një deklarate për mediat, Prokuroria e Përgjithshme Arta Marku lajmëroi se nisi “verifikimin e fakteve të bëra publike në rastin e prokurorit Arjan Ndoja. Verifikimet konsistojnë në mbledhjen e të dhënave për shkeljen e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin e magjistratit, parashikuar në nenin 103 shkronja “a” të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Ky zhvillim erdhi pasi në makinën e prokurorit Arjan Ndoja u gjetën fashikuj të dosjeve hetimore, të cilët dyshohet se i përkasin dosjes së pronave që ishte vjedhur në Prokurorinë e Durrësit një vit më parë. Gjithashtu, dyshohet se një pjesë e fashikujve të gjetur i përkasin dojes së Skerdilajd Konomit, gjyqtarit të vrarë në atentat me tritol në vitin 2011, ku dyshohet se shkaku ishte pikërisht një pronë që ai kishte në pronësi në Durrës. Prokurori Ndoja e pranoi se në mjetin e tij ishin gjetur këto dokumenta, por ai arsyetoi se i mbante pasi i përkisnin studios së tij ligjore.
Por ky argument nuk e justifikon faktin, pasi sipas ligjit prokurorit nuk i lejohet që ndërkohë që ushtron funksionin publik shtetëror, të ketë dhe aktivitetin privat me studio ligjore. Kujtojmë se gjatë të mërkurës, Realstory.al publikoi fakte se prokurori Ndoja e kishte aktive studion ligjore deri në vitin 2009, kohë në të cilën ai ushtronte dhe detyrën si prokuror.
Gjithashtu, edhe në rastin tjetër, nëse fashikujt e gjetur në makinën e prokurorit vërtetohet se i përkasin dosjes së vjedhur në prokurori dhe dosjes Konomi, përsëri prokurori ndodhet në telashe. Po sipas ligjit, prokurorit nuk i lejohet kurrësesi të mbajë me vete dosje hetimore. Për të dyja rastet do të jetë Prokuroria e Përgjitshme që do të duhet të vërtetojë se cilat ishin arsyet që fashikujt hetimor ndodheshin në mjetin e prokurorit.