Hetimet ndaj ish–prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla janë shtyrë me tre muaj. Urdhrin e dha gjykatësi Bib Ndreca, i cili pranoi kërkesën e prokurorisë për shtyrjen me 3 muaj të tjerë hetimet ndaj Llallës. Shtyrja e afatit të hetimit u bë me arsyetimin se prokuroria ende nuk ka administruar dy letër-porositë e dërguara në Amerikë dhe Gjermani, ku pritet të ketë të dhëna lidhur me shpenzimet e kryera nga ish-kryeprokurori dhe familjarët e tij.
Ish-kryeprokurori Lalla kërkoi për herë të tretë shfuqizimin e afateve të hetimit dhe mbylljen e çështjes penale ndaj tij në Gjykatën për Krime të Rënda, gjë që ju refuzua. Prokuroria argumentoi se nuk mund t’i jap zgjidhje hetimit ndaj Adriatik Llallës pa marrë përgjigjet që kërkon në letër-porositë. Avokati i Adriatik Llallës, Sokol Hazizaj tha se prokuroria ka tejkaluar çdo afat për hetim dhe vendimi i fundit është marrë në kundërshtim me ligjin. Avokati Hazizaj tha se për vendimin fundit do të ndjek rrugën ligjore, duke iu drejtuar Gjykatës së Apelit.
Ndaj Ish-prokurorit rëndojnë dyshime mbi 4 vepra penale, mes tyre edhe ajo e pastrimit të parave. Hetimi ndaj Llallës, nisën 2 vite më parë, kur SHBA e shpalli person të padëshirueshëm dhe i ndaluan të drejtën e hyrjes në territorin e tyre. Ish-kryeprokurori hoqi dorë nga sistemit të drejtësisë duke i shpëtuar edhe procesit të vettingut.