Llalla “peshku” i parë i SPAK, Ibrahimi: Do hapen dosje të vjetra

AKTUALITET


Gjatë një interviste për Deutche Welle, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi, ka deklaruar se pas ngritjes së Prokurorisë Speciale, dosja për hetimin e Adriatik Llallës pritet të jetë një nga të parat që do të gjykohet për pastrim parash. “SPAK  do të trashëgojë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth 90 % të portofolit të kësaj prokurorie, p.sh. do të vijojë hetimin e pastrimit të parave nga ish-Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla. Besimi i publikut tek SPAK do të sjellë kallëzime të reja penale”, ka thënë Ibrahimi.

Kreu i KLP-së beson se prokurorët që do të jenë pjesë e SPAK, duhet të kenë guximin për të hetuar çështje dhe dosje të vjetra, që prej vitesh janë mbyllur në sirtarët e prokurorisë. “Vetë prokurorët e SPAK, shpresoj të gjejnë guximin të aktivizojnë çështje të fjetura. Portofoli i SPAK do të jetë më i pasur nga ai i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila do të shkrihet kur SPAK të fillojë punën dhe prokurorët e saj do të emërohen nga KLP në zyrat e prokurorive të rretheve”.


Ndonëse shumë dosje kanë prej vitesh që nuk hetohen, sipas Ibrahimit, çështja kohore nuk përbën problem në këtë aspekt. Ndaj, sipas tij hetimi dhe rinisja e tij për dosje të korrupsionit mund të ketë një afat ligjore që shkon me dekada. “Dëshiroj të theksoj që hapja e çështjeve të fjetura penale nuk ka kufizim kohor kur ato nuk janë parashtruar. Për vepra penale të korrupsionit afati ligjor i hapjes së tyre është shumë i gjatë, shkon me dekada”, ka thën Gent Ibrahimi.

Nga prokurori Adriatik Llalla, te shumë politikanë dhe zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë, pritet të jenë pjesë e hetimeve të Prokurorisë Speciale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivele të larta. Fundi i shtatorit apo java e parë e muajit tetor, pritet të jetë periudha kohore kur SPAK do të jetë në funksion. Kjo kohë është vetëm pak ditë para se Bashkimi Europian të marrë një vendim për hapjen ose jo të negociatave për antërsim me Shqipërinë, ku hetimi i korrupsionit mbetet “thembra e Akilit” për këtë proces për vendin tonë.




Skip to toolbar