Albin Kurti fitoi zgjedhjet të dielën më 6 tetor në Kosovë, duke i dhënë fund “opozitarizmit të përjetshëm” me Lëvizjen Vetëvendosje. Por, deri në mbërritjen e kësaj dite, Albin Kurti provoi disa herë burgun, ku padyshim vuajtjet më të mëdha janë ato në qelitë serbe. Danica Marinkoviq, gjyqtarja serbe, mes shumë shqiptarëve që dënoi, pasi nuk pranuan regjimin e Miloshevicit, ishte dhe Albin Kurti. Tashmë në pension, ajo është rrëfyer për një televizion në Beograd, duke treguar se si kishte dënuar Kryeministrin e ardhshëm të Kosovë, në vitin 1999, kur Kurti ishte pjesë e zyrës së UÇK-së në Prishtinë, që drejtohej nga Adem Demaçi.
Sipas gjyqtares serbe, Albin Kurti ishte “nacionalist ekstrem”, sa para gjykatës, kishte refuzuar shtetësinë dhe gjithçka tjetër serbe. “Gjatë marrjes së të dhënave personale kur është pyetur se shtetas i cilit vend është menjëherë kam ardhur në përfundim, se ai është nacionalist ekstrem, me nacionalitet më tha se është shqiptar, e kur e pyeta se shtetas i cilit vend është tha i Republikës së Kosovës , pra atëherë as që ka ekzistuar Republika e Kosovës. Ne i thamë se krahina e Kosovës është në kuadër të Serbisë, ai tha “jo” unë nuk e njoh shtetin serb, është shtet okupator, populli serb është okupator dhe unë jam shtetas i Republikës së Kosovës” ka thënë Marinoviq, raporton gazeta Expres.
Më tej, gjyqtarja serbe tregon edhe detaje të tjera, gjatë procesit të gjykimit të Albin Kurtit në vitin 1999. Sipas saj, Kurti i kërkoi që të mos shënonte “e ashtuquajtura UÇK”, pasi sipas tij, tregon Marinkoviq, për shqiptarët ajo ishte “ushtri e vërtetë çlirimtare”. “Ai i është bashkuar UÇK’së në vitin 1998, dhe ai më tha mua mos gaboni ta shkruani e ashtuquajtura UÇK se për ne shqiparët UÇK është ushtri e vërtetë çlirimtare, e cila po lufton me policinë serbe për ta çliruar Kosovën që ta bëjmë shtetin e pavarur” shprehet Marinkoviq, e cila e dënoi Kurtin me 15 vjet.
Gjyqtarja serbe, që është autore e dënimit të shumë shqiptarëve, ish-anëtarëve të UÇK-së dhe lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, tashmë është në pension. Sipas Expres, ajo nuk ka përmendur rrahjen e Albin Kurtit, pas refuzimit për t`i njohur autoritetet serbe. Ngjarjen e rrëfen më pas lideri i Vetëvendosjes, i cili është shprehur se pas asaj ngjarje nuk ka mundur të ec për një javë.