Si u mbyt Desantila në kanion, pushuesit tregojnë tmerrin

AKTUALITET


Dita e dielë u mbyll tragjikisht për familjen Sollaku nga Lushnja e cila humbi vajzën 25-vjeçare. Desantila Sollaku u mbyt në kanionin e Holtës në Gramsh pasi rrjedha e fuqishme e ujit mori përpara disa persona, ndërkohë që në kanion ndodheshin për të pushuar 105 turistë.

Vajza  nga Lushnja kishte shkuar për pushime bashkë me familjen pasi vëllai i saj Denisi sapo ishte kthyer nga Gjermania. Fatmirësisht u arrit të shpëtoheshin nga rrjedha e ujit babai dhe vëllai i saj si dhe 4 fëmijë të tjerë.

Jo pak por 105 turistë, të cilët kishin ardhur të organizuar në grupe të ndryshme ndodheshin në brendësi të kanionit kur uji erdhi me vërshim dhe mori përpara 7 persona mes tyre Desantilën dhe 4 fëmijë të cilët fatmirësisht shpëtuan. Luftën me dallgët dhe ujin e rrëmbyeshëm në kanion arritën që ta fitonin edhe i ati dhe vëllai i 25-vjeçes, Dritan dhe Denis Sollaku, ndërsa Desantila fatkeqësisht jo.

Turistët tregojnë se shpëtuan njëri-tjetrin në momentin e vërshimit të ujit ndërsa në operacionin e kërkim-shpëtimit më vonë u përfshi edhe RENEA me polumbarët e saj.

“Ne kemi shpëtuar njëri tjetrin. Na i sillte rryma njëri tjetrin nëpër duar, aq e fortë ishte. Vajzën e pamë që e mori uji, por ishim shumë larg dhe nuk bënim dot asgjë.

 Fëmijën që shpëtova ma solli dallga e ujit në duar. Ai ishte me të atin, të cilit i shpëtoi nga duart si pasojë e ujit të rrëmbyeshëm dhe ma solli mua në duar”, tregon një nga pushuesit.

Banorët e zonës tregojnë se një ngjarje e tillë ka ndodhur për herë të parë, ndërsa theksuan se Holta njihet si zonë me prurje të menjëhershme, aq më tepër gjatë verës.



Skip to toolbar