Ka zgjatur rreth dy orë mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste, e cila kishte në fokusin e saj, situatën e krijuar pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit si kryebashkiak i Shkodrës. Pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, për mediat ka folur Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla. Numri dy i socialistëve ka folur për zhvillimet gjatë mbledhjes, duke u shprehur se në Shkodër do të ketë një reformim tërësor të partisë. “Kishim një mbledhje kryesie të partisë që ishte e fokusuar te një axhendë pune intensive që lidhet me një ripërtëritje që paraprijnë procesin zgjedhor në PS. PS është e vetmja forcë politike në vend që është në proces të vazhdueshëm restaurimi. Në strukturën e bashkisë Shkodër do ndërmarrim një proces ringritje dhe rigjenerimi. Kemi marrë një vendim për të patur një vëmendje të veçantë procesin e riformatimit të PS në Shkodër. Jam shpresë plotë se do krijojmë një model. Brenda PS kemi gjithmonë diskutime”, tha Balla.
Më tej ai foli për rastin e Vladrin Pjetrit, duke e konsideruar një përgjegjësi personale të kryebashkiakut të dorëhequr të Shkodrës, ndërsa shtoi se për të mos lejuar më raste të tilla, do të ashpërsohet ligji i dekriminalizimit. “Nisur për rastin e Valdrin Pjetrit i cili u votua nga shkodranët por për shkak të një përgjegjësie tërësisht personale të garantimit të pastërtisë së figurës solli pasoja. Kryeministri ka thënë sot se kjo përgjegjësi personale e personave që nuk deklarojnë të shkuarën e tyre, ne ta ashpërsojmë, dhe një person të ndëshkohet më ashpër. Sa më i fortë ligji aq më i fortë reagim. Kryeministri ka qenë shumë i qartë. PS do vazhdojë të jetë forca motor jo vetëm në reformimin e brendshëm të saj.
Në fund, Taulant Balla u shpreh se PS i ka kërkuar popullit të Shkodrës falej, ndërsa shtoi se kurrë nuk do të ushqejë në burg njerëz të inkriminuar, siç PD, sipas Ballës, ushqente Xhelal Mziun. “Do krijohet një platformë të një komunikimi në kohë reale brenda strukturave të PS ku do depozitohet CV dhe të gjitha të dhënat e tjera. Ditën e parë që është vërtetuar mospërputhshmëria e kandidaturës së Valdrin Pjetrit me pritshmëritë e Shkodrës i kemi treguar. Ne i kemi kërkuar popullit të Shkodrës falje, por përgjegjësia është personale. PS nuk ka bërë kurrë mburojë për askënd. Nëse PD ka ushqyer Xhelal Mziun në burg, ne kurrë nuk e kemi bërë këtë”, tha Balla.
I pyetur se kush do të jetë drejtuesi i qarkut pas dorëheqjes së Valdrin Pjetrit, Taulant Balla nuk dha përgjigje. Ndonëse në media ishin publikuar emrat e katër figurave të njohura të PS, për të marrë drejtimin e Shkodrës, ky proces mesaduket do të lihet për më vonë, deri sa të përfundojë formatimi i degës lokale të Partisë Socialiste në Shkodër.