Ajo që duhet të ishte një ndeshje e bukur futbolli, midis dy ekipeve që janë në garë për t`u ngjitur në Superligë, ka degjeneruar në dhunë ndaj arbitrit.
Në takimin e Kategorisë së Parë, mes Besës dhe Bylis, dy ekipet që luftojnë për rikthimin në Superligë, gjithçka ka degjeneruar në dhunë rreth minutës së 75` të ndeshjes.
Kur takimi ishte 0-1 për ekipin e Bylis dhe duheshin 15 minuta për t`a mbyllur takimin, arbitri kryesor merr vendimin për të ndalur ndeshjen. Shkak u bë hedhja e herë pas hershme e sendeve të forta nga tifozët vendas në drejtim të arbitrit anësor.
Ishin rastet e përsëritura të hedhjes së sendeve të forta në drejtim të arbitrit anësor, ato që detyruan kryesorin e takimit, Klajdi Kola, të merrte vendimin për ndalimin e ndeshjes.
Mirëpo nuk mjaftoi kjo, pasi në momentin që arbitrat po dilnin nga fusha në drejtim të dhumave të zhveshjes, situata ka agravuar, teksa tifozët kanë hedhur gurë dhe sende të tjera të forta duke goditur arbitrat, rojet e sigurisë private dhe policët, të cilët u futën në fushë për të shoqëruar trupën e arbitrave.
Bylis kaloi në pjesën e parë në avantazh me Beji Anthony, ndërsa Besa dukej e lodhur dhe pa orientim në fushën e lojës. Kjo bëri që tifozët të nervozoheshin dhe të kërkonin përmbysjen, duke krijuar edhe tension.
Pasi ekipet u futën në dhomat e zhveshjes, ndërsa arbitrat dhe delegati i ndeshjes vendosën që të mos riniste takimi. Pas ditë së sotme, Besa rrezikon dënime të ashpra nga Komisioni i Disiplinës Sportive, mes të cilave heqjen e pikëve, dënimin e fushës por dhe uljen e pikëve.