Kryeprokurorja Arta Marku ka kërkuar nisjen e hetimeve për ish ministrin e Bujqësisë Niko Peleshi, i cili dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke lëshuar një urdhër për të hequr bllokimin e një pesticidi të dëmshëm që përdoret për kultivimin e frutave dhe perimeve.
Në shkresën dërguar prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë në Tiranë, Marku deklaron se ka kërkuar hetim, pasi dyshon se “ish-ministri ka shpërdoruar detyrën dhe në kundërshtim me ligjin ka firmosur zhbllokimin e pesticidit “Silikon Mix”.
Silikon miks ishte bllokuar nga AKU, por me një udhër të ish-ministrit Niko Peleshi bllokimi u hoq dhe në treg u shitën 4600 kilogram kimikat.
Skandali është evidentuar nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili akuzon ish-ministrin se ka shkelur ligjin. Nisur nga të gjitha këto fakte Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar nisjen e një hetimi për rolin e ish ministrit të Bujqësisë në këtë çështje.
Nga ana tjetër, specialisti Pëllumb Pipero ka reaguar dhe ka kërkuar nga mediat që të mos përhapin panik pasi në asnjë referencë nuk rezulton që silikon miks të jetë i dëmshëm për shëndetin e njeriut.
“Ka shumë artikuj dhe referenca, por në asnjërin prej tyre, unë, nuk gjeta referenca bindëse, e mbi të gjitha statistikisht të besueshme për demin potencial të këtij insekticidi në shëndetin e qytetarëve, për më tepër në dëmtimin potencial të ADN dhe çrregullimet madhore që mund të vijnë si pasojë e saj. Gjeta shumë referenca për revolucionin që ka bërë në bujqësi, dhe kjo është arritje e madhe e shkencës besoj unë. Ndaj nuk duhet të përhapim panik te konsumatorët, aq me tepër kur bëhet fjalë për ushqimet e përditshme, pa pasur referenca dhe rezultate statistikisht të provuara”, shkruan Pipero./realstory.al