Trafikonte makina nga Maqedonia, pranga një personi

AKTUALITET


Policia e Elbasanit ka goditur një rast të trafikut të automjeteve në mënyrë të paligjshme nga jashtë vendit. Sipas një komunikate zyrtare të Policisë së Elbasanit, mësohet se është arrestuar një shtetas dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Konkretisht, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Librazhd, finalizoi operacionin “Rrajca 2019”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit me inicialet; Xh. B., 53 vjeç, lindur në Prrenjas, Librazhd, dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. R., banues në Strugë, Maqedoni e Veriut. 

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim dhe me persona të tjerë kanë organizuar trafikimin e disa automjeteve nëpërmjet kufirit të gjelbër jashtë pikave të kalimit kufitar, nga shteti i Maqedonisë së Veriut drejt Shqipërisë. Në kuadër të operacionit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një autoveturë e markës Volksëagen Passat, me targa të shtetit të Maqedonise së Veriut, në pronësi të një shtetasi maqedonas.


Automjeti është vjedhur në shtetin e Maqedonisë së Veriut dhe me pas trafikuar në Shqipëri. Vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të perfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe sekuestrimin e disa automjeteve të trafikuara nga ky grup personash (për të cilët nuk jepen të dhëna për arsye hetimi). Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike”.




Skip to toolbar