“Skifterat” kuksianë në gjyq. Vodhën 50 banesa në Gjermani, sollën 113 mijë euro në Shqipëri

Më të fundit


Prokuroria për Krimet e Rënda ka përfunduar hetimet dhe dërguar në gjykatë dosjen për pesë anëtarët e grupit kriminal, që kryenin vjedhje banesash në Gjermani. Aktualisht vetëm një nga anëtarët e grupit akuzohet në Shqipëri, Gentjan Duraku, pasi anëtarët e tjerë janë arrestuar në Gjermani. Grupi akuzohet për të paktën vjedhjen e 50 banesave në Gjermani, ndërsa nga hetimet ka rezultuar se një pjesë të parave të përfituara nga vjedhjet, konkretisht 113 mijë euro të dokumentuara, i kanë sjellë në Shqipëri.

Sipas të dhënave nga Krimet e Rënda rezulton se që nga nëntori i vitit  2015 në zonën e Offenburgut, Gjermani, ka pasur informacione nga autoritetet gjermane për ushtrimin e aktivitetit kriminal të një grupi kriminal për vjedhjen e disa banesave në territorin e shtetit gjerman, pjesëtarët të të cilëve ishin shqiptarë.


Nga aktet e letërporosisë së Autoriteteve Gjermane të Drejtësisë ka rezultuar se Elton Koçiu, Ervis Dalipaj, Ismet Sulaj, Gentjan Duraku, në bashkëpunim me disa shqiptarë të tjerë, kanë marrë pjesë në disa ngjarje, 50 vjedhje të banesave të shtetasve gjermanë, të kryera gjatë viteve 2015-2016 dhe 2017, të cilët kanë vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke e shtrirë aktivitetin kriminal të tyre në territorin e Gjermanisë, për një kohë të gjatë, me një organizim të tyre, duke bërë të mundur vjedhjen e sendeve të çmuara te këto banesa, si orë, bizhuteri, pajisje komunikimi, metale të çmuara, automjete si dhe vlera monetare që ndodheshin nëpër këto banesa.  Një pjesë të vlerave monetare të përfituara, personat e lartpërmendur i kanë transferuar nëpërmjet agjencisë Western Union nga Gjermania për te familjet e tyre në Shqipëri. 

Nga aktet e administruara ka rezultuar se vlerat monetare dhe materiale të përfituara nga personat bashkëpunëtorë në realizimin e këtyre vjedhjeve,  kanë qenë në shumën rreth 113 mijë euro. Rezulton se shqiptarët Elton Koçiu, Ervis Dalipaj, Ismet Sulaj, janë dënuar nga Gjykata e Landit Offenburg, Gjermani, ndërsa për të pandehurin Gentjan Duraku po paraqitet kërkesa për t’u gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.




Skip to toolbar