Sokol Balla: Cunami “KURTI”

OPINION


Gjithkush mund të priste që Albin Kurti të fitonte, por e para jo me Vjosa Osmanin anash dhe as me këtë rezultat të thellë. Zgjedhjet e së dielës në Kosovë treguan se shumica e mediave, sondazheve dhe analistëve, nuk mundën të parashikojnë cunamin e Vetëvendosjes, e cila, ende pa u numëruar votat e emigrantëve, të cilat shkojnë kryesisht për të, ka siguruar thuajse 49 për qind të votave të kosovarëve.

Pra, gjysma e Kosovës ka votuar një parti të vetme, ose më saktë dy emra, njëri prej të cilëve askush nuk besonte se do të katandiste ishpartinë e saj, LDK, në partinë e tretë në vend brenda më pak se 18 muajsh.


ALBINI
Albin Kurti paraqiti dhe planin e tij, dhe dialogu me Serbinë, aq i kërkuar nga perëndimorët dhe amerikanët, dilte i gjashti në kërkesat e kosovarëve. Albini tha se tani do të ndiqte këtë mesazh, duke e vënë fokusin tek ekonomia dhe te drejtësia, e jo te Serbia apo bashkimi me Shqipërinë.

Diçka e fortë po ndodh në shoqërinë e Kosovës, diçka që ndoshta as Kurti nuk e kupton mirë, megjithëse me gjasë ishte ai që shkrepi krismën e parë.

Në 14 shkurt lindi dashuria e fortë mes tij dhe rinisë së Kosovës, një dashuri e fortë, por që sigurisht rrezikon edhe divorc po aq të fortë, nëse Kurti do shmanget nga premtimet dhe betimet, por kjo i përket kohës dhe Albinit ta zgjidhë, në rrugën e re, te panjohur dhe të vështirë ku futi Kosovën.

RAMA-BASHA
Ndërkohë, lajmi bëri bujë dhe në Tiranën e zhytur në partitizmin e vet të sëmurë dhe të korruptuar, që pret të futet pas 70 ditësh në një palë zgjedhje, ku emigrantët, ndryshe nga Kosova, nuk do të votojnë, ku rezultati, ndryshe nga Kosova, nuk do të dalë brenda natës, ku ndryshe nga Kosova, për më tepër, nuk ka asnjë shpresë që sistemi të hapet dhe njerëzit me votën e tyre të lirë, të zbulojnë Mesinë e tyre, të vërtetë apo të rremë, pak rëndësi ka, por të jetë zgjedhja e tyre e lirë.

Sot, shqiptarëve u duhet sërish të zgjedhin mes së tashmes problematike të Edi Ramës dhe alternatives se tij, opozitës, që nuk shkëputet dot akoma nga hijet e së shkuarës së Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Ky i fundit, bile, në sfidë me nervat dhe stresin, është kthyer sot në flamurtar të ndryshimit, të luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Dhe shumica sot bën pyetjen e vetme: po ne, a mund të kemi një Albin dhe një Vetëvendosje?




Skip to toolbar