Albi Xhunga: Dilemat e kryeministrit Kurti

OPINION


Më mirë një kryeministër Kurti pak gënjeshtar, sesa një Albin revolucionar. Nëse lideri i Vetëvendosjes do t’u mbetet besnik të gjitha qëndrimeve të tij të deritanishme, qeveria e VV do t’i ngjante një veture që rrit shpejtesinë në një autostradë, e cila në mes të saj ka një mur betoni. Është e vërtetë se tashmë përkrahja popullore që ai fitoi me votë është shumë më e madhe se më parë, por askush sot nuk mund të thotë se sa mund të zgjasë kjo mbështetje në rast të një përplasjeje të qeverisë së tij me ata që sot garantojnë ekzistencën e shtetit të Kosovës, pasojat e së cilës do t’i vuanin këta mbështetës dhe jo Albin Kurti personalisht. 

Pas fitores së pritshme të Vetëvendosjes së Albin Kurtit, ky i fundit do të duhet të kthehet në një realitet, i cili nuk do t’i pëlqente shumë asnjë kryeministri të sapozgjedhur. Dosjet e rëndësishme mbi tryezën e kryeministrit të ardhshëm janë të shumta; zgjedhja e presidentit, dialogu me Serbinë i lidhur ngushtë me marrëveshjen e Uashingtonit, minishengeni ballkanin i përkrahur nga SHBA e BE, marrëdhënia me Shqipërina pas ftohjes me kryeministrin Rama, përballimi i pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike, etj, etj.


Alternativat e Albin Kurtit si kryeministër janë dy dhe ironikisht të dyja duket të jenë lose/lose për liderin e VV. Kosova është një shtet i ri e i brishtë, i cili mund të luajë me gjithçka përveçse me përkrahjen e atyre që bënë të mundur lindjen e saj si shtet dhe që garantojnë edhe sot e kësaj dite ekzistencën e shtetit të ri. Përballë këtij realiteti, Albin Kurti ka dy zgjidhje, ose t’u qëndrojë strikt parimeve të tija të deritanishme dhe me shumë gjasa të përplaset me aleatët historikë të Kosovës, ose të modifikojë qëndrimet e tij me riskun e të dukurit njësoj si paraardhësit, aq shumë të sulmuar prej tij. Ky është çmimi që do t’i duhet të paguajë një lideri, qëndrimet e të cilit tejkalonin realitetin dhe tejkalonin fuqinë e tij. Nëse deri dje në opozitë kjo ishte një muzikë e bukur për veshët e votuesit kosovar, sot në pushtet është koha që të tregojë se sa realiste janë këto qëndrime. Në fund të fundit Gambetta thoshte se politika është arti i së mundurës, jo i iluzioneve. 

Zgjedhja e presidentit

Kjo është edhe çështja më pak problematike për Vetëvendosjen. Mjafton të heqin dorë nga posti i presidentit dhe ruajnë të drejtën të qeverisin. 

Albin Kurti hyri në zgjedhje me dy kandidatura, veten e tij si kandidat për kryeministër dhe partneren e tij politike, Vjosa Osmanin, si kandidate për presidente. Paraqitja e Vjosa Osmanit si kandidate për presidente ishte një skenar ku këtij koalicioni politik do t’i duheshin dy të tretat, ose thënë ndryshe 80 vota në Kuvendin e Kosovës. Nga këto 80 vota mund të zbresim disa vota të deputetëve të minoriteteve duke supozuar se ata do ta përkrahnin kandidaturën e Vjosa Osmanit, por shifra që mbetet është megjithatë shumë e lartë. Gjithsesi sot jemi përballë realitetit paszgjedhor, ku ky koalicion nuk ka asnjë shans t’i ketë këto vota pa bashkëpunim me partitë e opozitës. Pra populli i Kosovës i dha Albin Kurtit qeverinë, por jo edhe Vjosa Osmanit postin e synuar të presidentes. Opsionet këtu janë dy; ose një krizë parlamentare dhe zgjedhje të reja fare të pakuptimta, ose VV heq dorë nga posti i presidentit dhe zgjidhet një president konsensual, si në rastin e presidentes Jahjaga. Varianti i dytë duket më i mundshmi, po të merret parasysh se edhe komuniteti ndërkombëtar nuk do të dëshironte një krizë të re në Kosovë dhe aq më pak një situatë ku VV ka çdo pushtet të mundshëm. 

Dialogu me Serbinë dhe minishengeni

Albin Kurti do të deklaronte me papërgjegjshmëri të plotë se fjala Serbi nuk gjendet fare në programin qeverisës të VV. Si shpjegim për këtë dha rezultatet e një sondazhi, sipas të cilit dialogu me Serbinë ishte prioriteti i gjashtë i popullit të Kosovës aktualisht. Kjo përveçse tregon një populizëm të theksuar të liderit të VV, e cila e modifikon programin sipas preferencave popullore, tregon edhe se sa i gatshëm është ai të përballet me çështjet e nxehta që e presin si kryeministër. 

Megjithatë, me apo pa dëshirën e tij, Albin Kurtit do t’i duhet të përballet me çështjen e dialogut me Serbinë, i përkrahur nga SHBA e BE. Kryeministri i një vendi të vogël, anëtarësimi i të cilit në OKB varet pikërisht nga një njohje e ndërsjelltë me Serbinë, nuk e ka luksin të mos i japë kësaj çështje të gjithë vëmendjen që ajo meriton. 

Në prezantimin e programit të tij qeverisës, Albin Kurti konfirmoi se do të rivendosë parimin e reciprocitetit me Serbinë dhe se kjo do të jetë një çështje javësh. Ky qëndrim i tij e hedh në erë marrëveshjen e Uashingtonit dhe kjo është e patolerueshme për administratën Biden. Kur moderatori i kujtoi se kjo marrëveshje është përkrahur edhe nga shefi i ri i diplomacisë amerikane, z. Blinken, Albin Kurti me një naivitet impresionues tha se z. Blinken përkrahte përpjekjen, por jo domosdoshmërisht edhe rezultatin. Ajo marrëveshje u firmos, nuk mbeti në nivel përpjekjeje.

Në marrëveshjen e Uashingtonit, e iniciuar nga ish presidenti pragmatist, Donald Trump, palët nuk dilnin të humbura, por ajo që fitoi më shumë ishte Amerika. Dy nga çështjet më të rëndësishme të administratës Trump, teknologjia 5G dhe njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, morën zgjidhje në këto dy shtete të Ballkanit. Presidenti i ri Joe Biden, do të deklaronte që në fushatë se, megjithëse njohja e Jeruzalemit nga SHBA-të ishte e nxituar, ai nuk do ta tërhiqte këtë njohje. Ndërsa tërheqja e Serbisë nga teknologjia 5G kineze, duke u angazhuar të ç’instalojë edhe ato pjesë të rrjetit që tashmë janë instaluar, është padyshim një fitore e mrekullueshme e diplomacisë amerikane në një vend si Serbia, ku Kina ka investuar dhjetra miliardë dollarë. Të mendosh sot se SHBA-të do të lejojnë që këtë fitore të rëndësishme t’ua hedhë në erë një kryeministër kosovar është dritshkurtësi politike. Nëse Albin Kurti rivendos reciprocitetin, duke i dhënë shkak presidentit Vuçiç të tërhiqet nga marrëveshja e Uashingtonit, atij do t’i duhet të përballet me të gjithë peshën e fuqisë amerikane. 

Rivendosja e reciprocitetit do të hidhte padyshim në erë edhe dialogun aktual në Bruksel mes Kosovës e Serbisë dhe këtu SHBA-të do të kishin në krah edhe Brukselin kundra një kryeministri të papërgjegjshëm. Pasojat e kësaj përplasjeje do t’i ndjente së pari populli i Kosovës dhe pas kësaj do të duhej të rishikohej përkrahja për qeverinë Kurti. Çështja se reciprociteti është moralisht i drejtë dhe se ky është një parim ndërkombëtar në marëdhëniet e jashtme, as që duhet të ngrihet fare. Politikën e Botës e kanë bërë, e bëjnë dhe do ta bëjnë ata që kanë fuqinë, jo ata që kanë të drejtë. 

Edhe rrefuzimi i Albin Kurtit për minishengenin ballkanik shkon në të njëjtin drejtim, hedhjen në erë të marrëveshjes së Uashingtonit dhe ndërperjen e dialogut në Bruksel. Pasojat për shtetin e Kosovës natyrisht do të jenë të njëjta. 

Drejt një dimri Kosovë-Shqipëri ?

Megjithëse është tërhequr me mjeshtëri nga ideja e bashkimit kombëtar, i cili ishte edhe një nga idealet e krijimit të lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se ka ndryshuar strategjia, por jo qëllimi, Albin Kurti gjatë fushatës theksoi disa herë nevojën e dy shteteve shqiptare për një politikë të jashtme të unifikuar, nevojën për mbrojtje të përbashkët dhe natyrisht bashkëpunimin e ngushtë ekonomik. Deri këtu gjithçka normale. Vizioni i tij duhet përshëndetur. Mirëpo këtu më vjen ndërmend një pyetje që i kisha bërë Albin Kurtit gjatë një takimi me bashkëatdhetarët në Bruksel para rreth tre viteve. Në takim Kurti erdhi bashkë me Visar Ymerin, atë botë kryetar i VV dhe Shpend Ahmetin, kryebashkiak i Prishtinës. Pyetja ime ishte shumë e thjeshtë. Meqënëse VV kishte si flamur të programit të saj bashkimin me Shqipërinë(ishte ende koha kur Albin Kurti mendonte se politikanët e Tiranës duhet të bënin fushatë edhe në Kosovë) dhe duke marrë të mirëqenë faktin se për bashkim duhet që dy palë të jenë dakort, cila ishte ajo forcë politike në Tiranë me të cilën VV do të bashkëpunonte për ta realizuar idenë e  këtij bashkimi ? Megjithëse takimi zgjati mbi dy orë dhe megjithëse paneli iu përgjigj çdo pyetjeje një për një, pyetja ime mbeti pa përgjigje, çka ishte në përputhje të plotë edhe me pritshmërinë time. 

Tani, duke parë se Partia Socialiste kryeson sondazhet dhe se fitorja e një mandati të tretë është më shumë se e mundshme, me kë mendon Albin Kurti t’i realizojë idetë e tija për bashkëpunimet Kosovë-Shqipëri ? Ftohja e tij, jo me Edi Ramën, por me kryeministrin e Shqipërisë e pamundëson çdo bashkëpunim normal mes dy vendeve në rast të një fitoreje të socialistëve në zgjedhjet e 25 prillit. Kjo ftohje erdhi si pasojë e qëndrimit të pretenduar të kryeministrit Rama për çështjen e ndryshimit të kufijve të Kosovës. Po edhe nëse e marrim të mirëqenë se Edi Rama ishte për ndryshim kufijsh (ai gjithmonë e ka mohuar), a e ka luksin një kryeministër kosovar të mos ketë marrëdhënie të shkëlqyera me homologun e tij shqiptar pavarësisht se si quhet ai ? Kryeministrin shqiptar nuk e zgjedh Albin Kurti. Ai thjesht do të duhet të ishte bashkëpunues me cilindo kryeministër në Tiranë, qoftë edhe duke mbyllur njërin sy për qëndrimet që nuk i pëlqejnë tek ai.  

Vulën një ftohjeje të mundshme me Tiranën zyrtare ia dha partnerja politike e z. Kurti, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Tiranë si presidente në detyrë. Vizita e saj delirante, ku i kërkonte Shqipërisë të dënonte me një rezolutë parlamentare krimet serbe në Kosovë (doli se ishin miratuar disa të tilla në Kuvendin e Shqipërisë) dhe kërkesat për uljen e traut që ndan shqiptarët, ku në fakt bëhet fjalë për një pagesë rruge që e paguajnë edhe shqiptarët e Shqipërisë, e jo për tra ndarës, ndikojnë në një ftohje të mundshme midis dy vendeve. Vetëm ky fakt do të duhej të mjaftonte që zonja Osmani të mos e meritonte postin e presidentes së Kosovës. 

Pra do të ishte më mirë që për këto çështje të kishim një kryeministër Kurti pak gënjeshtar, i cili mban marrëdhënie të shkëlqyera me Shqipërinë pavarësisht se si quhet kryeministri i saj, nuk e rivendos reciprocitetin me Serbinë dhe pranon minishengenin ballkanik me justifikimin e presionit ndërkombëtar, sesa një Albin revolucionar që i shkon çmendurive deri në fund. 




Skip to toolbar