Sokol Balla: “Gjakëshprishrë”

GULIVER


Nga Sokol Balla

Kur presidenti i Republikës më ftoi të shkoja me të në Sicili, pranova, por pa entuziasëm. Siçilia është një vend i bukur, por arbëreshë atje? Ndoshta ngaqë paraardhësi i tij fatzymtë e kishte trajtuar shpesh si “temë”, më dukej një teprim. Përse duhet që një kryetar shteti të shkojë e të vizitojë aq shpesh një mini minoritet linguistik, siç njihen arbëreshët nga shteti italian? Askush deri më sot, nuk më duket se është marrë seriozisht me ta, përveç legjendës urbane që thotë se ata ikën 500 vjet më parë, pas rënies së Krujës. Sigurisht një pjesë e kësaj legjende është e vërtetë. Sot në disa komuna të Siçilisë gjen edhe pasardhës të Vrana Kontit, megjithëse shumica e “emigrantëve të luftës” është në Reggio Calabria, përtej ngushticës së Mesinës që ndan Siçilinë, nga taka e Çizmez së Gadishullit Apenin. Në Horën e Arbëreshëve, në oborrin e Kishës Ortodokse, e cila zbukurohet nga një shqiponjë dy krenare, profesor Mandala’ më shpjegon jo pa nerv, se bëhet fjalë për një keqkuptim të madh. Që sipas tij nis pikërisht nga shqiponja dy krenare në oborrin e kishës: “Është simbol i fesë kristiane, kur ajo u nda në dysh, bashkë me Perandorinë Romane, të perëndimit dhe të lindjes. “Fajtori” po, ishte shqiptar: perandori Justinian”.

Sipas profesorit arbëresh që drejton katedrën e shqipes në Universitetin e Palermos, arbëreshët këtu kanë mbërritur gati një shekull para rënies së Krujës. Ata vinin nga Bregu, Himara e fshatrat poshtë, si dhe nga jugperëndimi i sotëm i Greqisë. Ishin tregtarë, por edhe me genin e shqiptarëve, që nuk u rri ndenjësja në një vend, por lëvizin, vetëm lëvizin. Mandala’ pohon gjithashtu me forcë faktin se të jesh arbëresh sot, nuk do të thotë të jesh shqiptar. “Kemi origjinë të përbashkët, por ne jemi italianë arbëreshë”. Ai thotë se vetëm kështu mund të ruhet arbërishtja, e cila është një formë unike e gjuhës, por edhe e kulturës sonë të 6 shekujve më parë. Por a ruhet dot vetë? A është shqipja moderne “paterica” e shpëtimit, apo varrosësja e fundit e arbërishtes? Në tabelat orientuese të qytetit emërtesat janë italisht dhe shqip. Në ato shqip, fjalët arbërisht janë të rralla, shqipja moderne ka filluar të shënojë dominimin. Mandala’ e pranon: vetëm shqipja shpëton arbërishten, atë kulturë linguistike që Pier Paolo Pasolini e pati quajtur mrekullia e kulturës italiane.

Në bulevard, trotuaret janë mbushur plot. Dy presidentët, Begaj dhe Mattarella pritet të mbërrijnë të dy bashkë. Por shpejt kupton se interesi është i ndryshëm. Për Mattarellën ka respekt, për Begajn, respekt dhe kuriozitet. Në kafen në sheshin kryesor të qytetit, shërbimi kryhet në arbërisht. Banakieri, një burrë mbi 65 vjeç thotë se pagesat mund t’i bëjmë edhe me lekë: “Ujnë e doni natyrall apo me miza?” Por marka është e njëjtë: uji “Tepelena”. Produkti i Coca Cola Albania shitet këtu? “Është dhe sponsor i skuadrës sonë të fotbolit”, më thotë një arbëresh tjetër. Ka lidhje me diçka personale? Askush nuk e di ta thotë. Këtu të gjithë kanë një lidhje personale arbëreshe. Presidenti Mattarella është vjehrri i një dhëndrri arbëresh. Ai nuk e përmend këtë në fjalën e tij, por nuk harron të përmendë të vëllain, i cili ka rënë martir në rezistencën antimafia. Mattarella ka lindur në Palermo dhe është Presidenti i parë Italian nga Siçilia. Dhe Siçilia nuk është një zonë e majtë, ndërsa 47 kilometra nga Hora e Arbëreshëve, gjendet Corleone, qyteza e Mafias, shtëpia e lindjes e Toto’ Riina, njeriu që porositi vrasjen e Giovanni Falcone në 1992, me tritolin e vendosur nga Giovanni Brusca, një ushtar i mafias, me gjasë, me origjinë arbëreshe. “Arbëreshët kanë marrë e kanë dhënë në krushqi me familjet mafioze”, thotë Ilir Kulla, ekspert për çështjet e sigurisë dhe këshilltar i jashtëm i Presidentit. Mafia këtu lindi në mes të shekullit XIX, por u forcua në fund të luftës së Dytë Botërore, pas paktit me CIA-n amerikane, për të lehtësuar zbarkimin e forcave aleate, në atë që do ishte një prej lëvizjeve vendimtare që i dha drejtim Luftës së dytë Botërore, pas Zbarkimit në Normandi dhe mësymjes sovjetike drejt Berlinit.

Por në fjalën e tij, presidenti Mattarella nuk i referohet mafias, por kryeminstrit të parë të Italisë së bashkuar, Krispi, një italian arbëresh. I kujdesshëm ndaj homologut të tij shqiptar, i lë atij hapësirën të flasë më shumë për lidhjet historike të “gjakë shprishrë” dhe të flasë më shumë për të ardhmen e përbashkët të shqiptarëve dhe italianëve në Europë, përfshirë edhe italo-arbëreshët.
“Gjakëshprishrë”, edhe këtu nxehet profesor Mandala’. “Nuk do të thotë gjak i prishur, do të thotë gjak i shpërndarë. Në Shqipëri, në Itali, apo në Greqi”. Si arvanitasit thotë. I them se ata thonë se nuk janë shqiptarë, megjithëse flasin shqip. “Nuk janë thotë, ai, dhe flasin gjuhën arvanitase. As ne nuk jemi, dhe flasim arbërisht”. Mandala’ shqetësohet se mos paralelizmi “shqiptar baraz arbëresh”, mund të sjellë keqkuptime. Dhe ka deri diku të drejtë. Keqkuptime që mund të nisin nga përfitime fondesh e deri te incidente shtetërore. Greqia për këtë, është shembulli i “keq”. Po për fat Italia është shembulli i mirë. Këtu tashmë shqiptarët konsiderohen si vëllezër, si i njëjti brumë. Flas për brezin pas vitit ‘90, flas për ne. Ne që u rritëm me frymën, kulturën, historinë, politikën dhe sportin italian. E që vazhdojmë akoma, pavarësisht se anglishtja hyri vrullshëm e me dhunë në përditshmërinë tonë. “Shqipëria më në fund do jetë shumë shpejt pjesë e Bashkimit Europian”, thotë Mattarella ndërsa përqafon për herë të 100-të gjeneral Begajn. Për herë të parë nuk tingëllon thjesht një fjali përcjellëse. Ndoshta po ndodh. Prova është “gjakëshprishrë”, ose mrekullia arbëreshe, siç thotë Pasolini, profesor Mandala’. Mattarella. Dhe historia.

Mendoj këto, ndërsa në Piazza Duomo në Catania, porosis “espresso”-n dhe shishen e fundit të ujit, para se nisemi për aeroport. Kamarieri më vë mbi tavolinë, një shishe uji “Tepelena”. “Arbëresh e pyes?”. Ai hap sytë i çuditur: “Scusi?”.

Nuk është “gjakëshprishrë”. Është mrekullia e tregut të lirë.

Catania, tetor 2024.



Skip to toolbar