Komplikohet edhe më shumë dosja hetimore pas atentatit të së premtes ndaj makinës ku udhëtonte prokurori i Durrësit Arian Ndoja dhe “i forti” i Shijakut Pëllumb Muharremi. Burime policore thonë se në makinën e tij janë gjetur një seri dosjesh, ku ndër të tjera spikat një dosje që përfshin Skerdilajd Konomin gjykatësi vlonjat, i vrarë në një atentat mafioz në mes të ditës në Vlorë në shtator 2011. Familja e gjykatësit, pronare e disa tokave në Hamallaj të Durrësit, ishte në një konflikt gjyqësor. Vetë Ndoja thotë se e kishte dosjen në cilësinë e avokatit, por vetëm në Shqipëri ndodh që njerëz të drejtësisë të jenë njëkohësisht avokat i dy palëve, i ligjit dhe i krimit.
“Dentist, kanadez dhe vrasës”, arrestohet i dyshuari i parë
Gjithashtu vetëm në Shqipëri ndodh të jesh edhe dentist, edhe kanadez edhe vrasës profesionist. Është ky kurrikulumi i personit kryesor të akuzuar nga organet ligjzbatuese si autori i vrasjes së mbetur në tentativë, të personave që udhëtonin në makinën e prokurorit Ndoja. Ashtu siç paralajmëruam një ditë më parë në Real Story, policia kreu sot arrestimin e bujshëm, nga cv-ja por dhe nga lidhjet familjare, postet shtetërore të këtij individi, me një familje të madhe nga Fushë Kruja. Qendër tjetër e krimit në vend, por edhe zona elektorale e deputetit socialist Rrahman Rraja. Ngjarja mesa duket po shtrin tentakulat e saj si një oktapod kriminal, që përfshin ngjarje të rënda kriminale, nga vrasja e gjyqtarit Konomi, tek vrasja e vrasësit te tij vlonjat në Durres një vit e ca më parë dhe çështje pronash e asetesh të patundshme, që kanë në bazë të tyre, tjetërsimin, me forcë, gjak dhe vulën e korruptuar të drejtësisë.
Akuzat e opozitës dhe reagimi i Kryeministrit
Mbiemri Rraja ka ngjallur reagimin e opozitës. Kreu i saj nga Korça, e ka quajtur larje hesapesh brenda llojit, në vazhdën e njëjtësimit që opozita i bën krimit dhe maxhorancës socialiste në vend. Vetë deputeti Rrahman Rraja ka kërkuar dënimin e të arrestuarit për të cilin thotë se e ka vetëm një kushëri të largët. Ndërkohë sot theu heshtjen kryeministri Edi Rama, i cili përsëriti akuzat ndaj Ndojës dhe njoftoi krijimin e bazës ligjore dhe krijimin e një force elitë kundër të fortëve. Real Story ka mësuar detaje të reja të rëndësishme sesi ajo po ngrihet, nën stërvitjen e forcave elitë izraelite, por si do të funksionojë ajo? Si do të thyejë ajo mitin e të fortëve, dhe cila do jetë lidhja e saj me SPAK dhe BKH?