Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ka bërë thirrje për nisjen e dialogut qeveri-opozitë si mënyrën e vetme për të kapërcyer krizën politike që ka përfshirë vendin. Ambasadori Soreca tha se ky dialog mund të ketë si nisje specifike Reformën Zgjedhore ku të gjitha palët të ulen dhe të krijojnë një Kod Elektoral sa më përfaqësues dhe duke respektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si një reformë mjaft të nevojshme jo vetëm për krijimin e standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe si një sinjal pozitiv për të ndihmuar në çeljen e negociatave.
“Ju e dini që ne u kemi kërkuar të gjitha partive që të përfshihen në dialog dhe të marrin pjesë në dialog. këtë e kemi bërë nga hera, janë të shumta thirrjet që kemi bërë për dialog. Më lejoni që të them se dialogu duhet të fillojë nga diçka specifike, dhe kjo mund të jetë reforma zgjedhore, që është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme, pasi do të sillte një gjë shumë të rëndësishme për shqiptarët. Kjo të bëhet në një mënyrë të drejtë dhe me standardet ndërkombëtare. Çelja e negociata do të ndihmonte edhe për sa i përket dialogu” tha Soreca, thirrje të cilën e ka përsëritur disa herë që pas djegies së mandateve të opozitës duke dalë nga Kuvendit dhe zhvillimit të protestave të dhunshme si pjesë e aksionit të saj politik.
Për hapjen e negociatave, Soreca tha se tani është momenti që për Shqipërinë të jepet një “PO” dhe se shumica e vendeve anëtare janë pro çeljes së tyre në muajin tetor. Megjithatë, Soreca bëri edhe një thirrje për autoritete shqiptare që të punojnë me lobimin pranë atyre vendeve që janë ende skeptike dhe po reflektojnë ende në lidhje me hapjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Ambasadori i BE Soreca komentoi edhe takimin e Ramës me kancelaren Merkel duke e cilësuar si mjaft të rëndësishme dhe mjaft motivues për Shqipërinë dhe institucionet shqiptare.
“Janë përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së që do të vendosin. Gjermania është shprehur qartë, por edhe shtete të tjera, se tani ka ardhur koha të çelen negociatat me Shqipërinë. Edhe ne besojmë që ka ardhur koha, dhe duhet të jetë tetori momenti. Ka shtete që po reflektojnë dhe autoritet shqiptare duhet të bëjnë të pamundurën që deri në tetor të kenë gjithçka në rregull për këtë vendim. Kontaktet duhet të vijojnë në pesë javët në vijim dhe këto gjëra po ndodhin. Rama ndodhet në Gjermani për një takim shumë të rëndësishëm me Merkel, dhe jemi të bindur se do të jepet një motivim shtesë për institucionet shqiptare.” u shpreh Soreca për gazetarët ndërsa theksoi se dhënia e një drite jeshile nga BE nuk është fundi i negociatave, por fillimi i një procesi të gjatë që do të çojë në krijimin e një shteti demokratik, larg korrupsionit dhe në shërbim të qytetarëve të saj. “ Çelja e negociatave nuk do të jetë fundi, por fillimi i një procesi që do të na çojë përpara, që në tetor të çojë në dhënien e dritës jeshile“.
Ky mesazh i ambasadorit Soreca vjen në një kohë kur qeveria ka nisur një proces lobimi pranë vendeve anëtare të BE-se më qëllim mbështetjen dhe dhënien e një sinjali pozitiv për hapjen e negociatave për Shqipërinë në tetor. Në 17 dhe 18 tetor pritet të vendoset për integrimin e Shqipërisë dhe përparimin e saj në drejtim të reformave, sidomos të saj në drejtësi, një reformë e thellë dhe mjaft e vlerësuar deri në këto momente nga ndërkombëtarët. Gjatë të premtes edhe Kryeministri Rama ndodhet në një vizitë në Berlin pikërisht për të marrë një “PO” nga Gjermania, një vendim domethënës që do të ndikojë edhe në procesin e reflektimit të vendeve të tjera skeptike.