42 milionë euro për Drejtësinë, Soreca: Reforma, ecën para

POLITIKË


Pas SHBA-së edhe Bashkimi Europian ka theksuar se Reforma në Drejtësi është e pakthyeshme, ndërsa për t’u siguruar në vijimësinë e saj, ka akorduar 42 milionë euro për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, siç janë SPAK dhe BKH.    

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca ka firmosur gjatë të premtes marrëveshjen financiare IPA 2018 me qeverinë shqiptare duke akorduar 94 milionë euro që do të investohen në disa fusha, por pjesa më e madhe do të shkojë për Reformën në Drejtësi.


Soreca vlerësoi ecurinë e kësaj reforme, dhe tha se javët në vijim do të jenë kyçe për shkak të ngritjes dhe funksionimit të SPAK dhe BKH-së.

“Ne po ecim drejt një momenti shumë të rëndësishëm, e kam thënë edhe më parë në lidhje me reformën në drejtësi, se si shumë pak vende kanë kryer një reformë të tillë kaq të thellë dhe Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që po kalon këtë proces. Merita së pari është e qytetarëve që e dëshironin dhe e kërkuan këtë ndryshim dhe institucioneve që e morën këtë sfidë. Duhet të vijojë zbatimi, reforma është e pakthyeshme.

Ne po vendosim në dispozicion të reformës 42 mln euro për t’u siguruar që do të vijojë dhe se është e ardhmja. 34 mln euro i jepet një kontribut i drejtpërdrejt buxhetit të Shqipërisë. Sa më shumë zbatohet kjo strategji aq më shumë para do të kalojnë. Duhet të përmbushen angazhimet e kësaj strategjie për të dhënë rezultate të plota. Mbështetja mbulon të gjitha fushat e sistemit të drejtësisë dhe vjen në një moment shumë të rëndësishëm për të siguruar ngritjen e shpejtë të institucioneve të reja, që me padurim e presim.

Javët dhe muajt në vijim do të jetë kyçe, pasi jemi afër krijimit të SPAK dhe BKH dhe po diskutojnë si mund të ndihmohet lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Qytetarët e Shqipërisë kanë shpresa shumë të madhe dhe reforma në drejtësi do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e tyre”, është shprehur Soreca.

Ai tha se BE do të vijojë të jetë partneri numër një i Shqipërisë. “Ne mirëpresim që Shqipëria të rikthehet në familjen që ka qenë gjithmonë pjesë”, përfundoi fjalën e tij ambasadori i BE-së.

Deklarata e Sorecës tregon edhe njëherë se Reforma në Drejtësi është kusht i BE-së për integrimin e Shqipërisë. Ajo gjithashtu tregon se reforma gëzon mbështetjen e BE-së, ashtu sikurse gëzon mbështetjen e  SHBA-së. Me këtë deklaratë Soreca i ktheu një përgjigje të qartë dhe të prerë të gjitha akuzave që vijnë në drejtim të reformës veçanërisht nga presidenti Meta. Më herët Meta në shumë raste ka akuzuar ndërkombëtarët për kapjen e reformës në drejtësi dhe në devijimin e saj në Ramaformë. Por si SHBA-të ashtu edhe BE i kanë kthyer përgjigje duke treguar se reforma është në rrugë të mbarë dhe nuk ka më kthim pas./realstory.al




Skip to toolbar