Prokuroria e Posaçme ka nisur zyrtarisht komunikimin e akuzave duke marrë të pandehur personat që deri më tani kanë qënë në hetim për dosjen ku I përfshirë është edhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Të martën në orën 11 iu komunikua akuza për pastrim parash biznesmenit Elman Abule, ndërsa të mërkurën do të njihet zyrtarisht me akuzat edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj që mbahet në burg prej 10 shkurtit për akuzat e pastrimit të parave, korrupsionit, fshehjes së pasurise dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Nuk dihet ende nëse Veliaj do të shoqërohet në prokurorinë e posaçme për tu njohur zyrtarisht me akuzat apo do të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës. Edhe bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa e akuzuar gjithashtu për pastrim parash, korrupsion e mosdeklarim pasurie, pritet të njihet me akuzat zyrtarisht të mërkurën në orën 9.
Po kështu do njhihen me akuzën edhe disa biznesmenë të cilët sipas SPAK, sponsorizonin aktivitetet e shoqërive të Xoxës apo paguanin fatura fiktive të konsulencës ligjore, që për hetuesit bëhet fjalë për korrupsion, pasi paratë jepeshin për llogari të vendimeve të kryebashkiakut Veliaj në këmbim të lejeve të ndërtimit ose tendera të ndryshëm.
Burime jo zyrtare konfirmuan ndërkohë se dosja është drejt mbylljes dhe pritet dorëzimi në Gjykatën e Posaçme me kërkesën e nisjes së gjykimit.
Nga hetimet ka rezultuar se Veliaj në cilësinë e kryetarit të bashkisë ka ngritur një skemë të mirifilltë kriminale në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxën, biznesmenë dhe organizata jo fitimprurëse të lidhur me të, për përfitmin e shumave monetare.
