Spanja fiton në “frymën e fundit”Mund 1-0 Portugalinë, në çerekfinale të Kupës së Botës

Më të fundit


U ndanë në fije të perit, por nuk u vodh asgjë. Spanja mundi Portugalinë 1-0 në stadiumin e Dallasit dhe arriti çerekfinalet e Kupës së Botës, duke mbajtur gjallë ëndrrën për të përsëritur kulmin e vitit 2010.

Brezi I sotëm I Lamin Jamalit, Pedrit, Rodrit e Olmos iu fal një zëvendësuesi si Mikel Merino për të kaluar Kristiano Ronaldon dhe ekipin e tij, e për të vazhduar misionin për t’i përngjarë brezit të Ksavit, Iniestës, Kasijasit apo Sergio Ramosit.

Ronaldo ndërkaq praktikisht i jep fund karrierës së tij të lavdishme me Portugalinë, pasi fitoi Europianin e dy Liga të Kombeve, ndërsa është 41 vjeç. Në një përballje shumë taktike, ku frika fitoi më shumë mbi spektaklin, “Furitë e Kuqe” bënë më shumë dhe padyshim e merituan.

Me mbi 55 për qind mbajtje topi, me 15 gjuajtje ndaj 10 dhe me 6 në kuadrat kundrejt 2. Natyrisht, Portugalia nuk fjeti gjumë, përkundrazi.

Nunjo Mendesh goditi traun e portës, Ronaldo u përpoq dy herë, por kampionët e Europës ia dolën të mbaheshin.

Gjithsesi, sidomos në pjesën e dytë, ata më shumë qarkulluan topin sesa krijuan raste për gol. Shpetimi erdhi në minutën e parë shtesë kur zëvendësuesi Merino e dërgoi sferën në rrjetë, ashtu siç bëri në çerekfinalen e Europianit ndaj Gjermanisë dy vjet më parë.

Spanja përsëriti të njëjtin sukses me “luzitanët” si në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2010 në Afrikën e Jugut, ndërsa tani do të luajë në 8 më të mirët e këtij Botërori ndaj Belgjikës në 10 korrik në Los Anxhelos.



Skip to toolbar