Sulmoi spanjollët, Kokëdhima mbetet në burg: Xhamin e theva të mbahesha

AKTUALITET


Mihal Kokëdhima, pronari famëkeq i një lokali në Himarë që terrorizoi turistët spanjollë ka dalë para gjykatës së Vlorës, ku është lënë në burg pa afat.

Kokëdhima ka dalë para gjykatës pa pranga dhe i qeshur, duke ofruar dhe garanci pasurore, por gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për dhunuesit e familjes spanjolle, e cila kishte ardhur për turizëm në Shqipëri.

Gjyqtare e çështjes është Esmeralda Habilaj, ndërsa prokuror Saimir Smaka. Avokatët e tij të studios “Cakrani” kanë kërkuar masë më të lehtë se “arrest me burg”, siç kërkoi prokurori Saimir Smaka. Mbrojtja ka ngritur pretendimet se nuk qëndron asnjë nga akuzat e ngritura ndaj tij “Kanosja”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës”, prandaj ai nuk duhet mbajtur në burg. Avokatët kanë kërkuar që Mihal Kokëdhima të lirohet me garanci pasurore deri në 3 mijë euro, ose një vlerë tjetër që ta përcaktojë gjyqtarja e seancës Esmeralda Habilaj.

Mihal Kokëdhima ka deklaruar në seancën gjyqësore për masë sigurie se vetëm donte t’i ndalonte turistët. “Nuk kam bërë asnjë gjë t’i sulmoja ata. U mundova t’i ndaloja. Ata nisën makinën dhe desh më shtypën. Iu luta gjithë rrugës të ndalonin, por ata nuk ndaluan. Kur ndaluan zbrita nga makina dhe shkova vetë lajmërova policinë dhe shkova në polici. Më morën zvarrë me makinë. Ç’është kjo punë, nuk kam prekur njeri me dorë. Ku janë faktet që i preka me dorë? Më rrëzuan në Qeparo nga makina. Si ka mundësi, unë nuk e theva xhamin për t’i dëmtuar, por për t’u mbajtur. Unë u mora targën, telefonova policinë. Ata futën marshin të më shtypnin dhe unë u hodha në kroskot. Kam dy fëmijë në shkollë në Gjermani. Ne vetëm dy muaj punojmë. Më lini të punoj”, tha Kokëdhima, ndërsa u dakordësua me kërkesën e avokatit për tu hetuar në liri me garanci pasurore.

Ndërsa në një bisedë me avokatët e tij para se të niste seanca, Kokëdhima ka deklaruar se kam mik Ramën, ndërsa avokatët e kanë njoftuar se për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe kryeministri. Pas daljes para gjykatës të Kokëdhimës, një nga avokatët e tij është shprehur se ai nuk përbën asnjë rrezikshmëri dhe arresti me burg do të apelohet, pasi nuk ka bërë vepër penale për atë dënim.  

Kokëdhima sulmoi dhe rrezikoi jetën e një grupi turistësh spanjollë, duke iu hedhur mbi kofanon e furgonit ku ata udhëtonin dhe në tre kilometra rrugë në ecje i ka terrorizuar ata duke thyer xhamin.

E gjitha ndodhi pasi turistët u larguan nga restoranti i tij në “Porto Palermo” të Himarës, pasi pritën gjatë për porosinë që nuk u erdhi kurrë.

Akuzat ndaj 55-vjeçarit janë tre; “kanosje”, “shkatërrim i pronës” dhe “dëmtime të tjera me dashje”.

Ngjarja shkaktoi reagim të opinionit publik dhe vetë shtetit, deri te kryeministri, ndërsa Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, zhvilloi një takim me familjen nga Spanja.

Mihal Kokëdhima, është kushëriri i parë i Koço Kokëdhimës, ish-deputet, tashmë kryetar i partisë “Zgjidhja”. Restoranti i ndërtuar mbi plazh në Porto Palermo, rezulton prej vitesh (para 2012-ës) pa leje dhe është në proces legalizimi.



Skip to toolbar