Lista e zezë e DASH, veç Dakos dhe Llalla e Doshi

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar të martën pasdite vendimin e për t`i hequr të drejtën e përhershme Vangjush Dakos dhe anëtarëve të familjes së tij (bashkëshortes dhe dy fëmijëve), për të hyrë në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vendimin e DASH, thuhej se “Sekretari i Shtetit kur ka informacion të besueshëm se zyrtarët e huaj kanë qenë të përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm ose shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut, atij individi dhe familjarëve të afërt të tij, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por rasti i Dakos nuk është i vetmi.

Në harkun kohor të një viti, DASH u ka ndaluar hyrjen në SHBA tre zyrtarëve apo ish zyrtarëve të rëndësishëm të shtetit shqiptar, me të njëjtin motiv, përfshirjen në akte korrupsioni të rëndësishëm. Të parit që iu ndalua hyrja në SHBA ishte ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla.

Në 14 shkurt 2018, ditën e të dashuruarëve, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, publikoi vendimin për ndalimin e hyrjes të Adriatik Llallës dhe familjes së tij në SHBA. Shkaku ishte “informacioni i besueshëm për përfshirjen në korrupsion” të ish-kryeprokurorit Llalla, ndaj të cilit tashmë rëndojnë akuza në Shqipëri për “Pastrim parash”, çështje e cila është në dorë të prokurorëve të Krimeve të Rënda.

Dy muaj pasi DASH i komunikoi publikisht Adriatik Llallës ndalimin e hyrjes në SHBA, Departamenti i Shtetit bëri të njëjtën gjë për deputetin Tom Doshi. Edhe për deputetin Doshi, në vendimin e datës 16 prill 2018 të DASH, motivi ishte i njëjtë, “përfshirja në korrupsion”. për këtë arsye, atij dhe familjes së tij, i është ndaluar hyrja në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ky është akti më ekstrem, që DASH merr ndaj personave që ka informacion se janë të përfshirë në akte korrupsioni të rëndësishëm. Gjithsesi, DASH ka marrë dhe masa të tjera ndaj zyrtarëve shqiptarë, për të cilët ka pasur informacione se kanë probleme në vendin tonë. Një ndër to, është refuzimi i vizave për të udhëtuar drejt SHBA-së, mes të cilëve është aktualisht nënkryetari i LSI Petrit Vasili. /Realstory.al/

Llalla “peshku” i parë i SPAK, Ibrahimi: Do hapen dosje të vjetra

Gjatë një interviste për Deutche Welle, kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi, ka deklaruar se pas ngritjes së Prokurorisë Speciale, dosja për hetimin e Adriatik Llallës pritet të jetë një nga të parat që do të gjykohet për pastrim parash. “SPAK  do të trashëgojë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rreth 90 % të portofolit të kësaj prokurorie, p.sh. do të vijojë hetimin e pastrimit të parave nga ish-Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla. Besimi i publikut tek SPAK do të sjellë kallëzime të reja penale”, ka thënë Ibrahimi.

Kreu i KLP-së beson se prokurorët që do të jenë pjesë e SPAK, duhet të kenë guximin për të hetuar çështje dhe dosje të vjetra, që prej vitesh janë mbyllur në sirtarët e prokurorisë. “Vetë prokurorët e SPAK, shpresoj të gjejnë guximin të aktivizojnë çështje të fjetura. Portofoli i SPAK do të jetë më i pasur nga ai i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila do të shkrihet kur SPAK të fillojë punën dhe prokurorët e saj do të emërohen nga KLP në zyrat e prokurorive të rretheve”.

Ndonëse shumë dosje kanë prej vitesh që nuk hetohen, sipas Ibrahimit, çështja kohore nuk përbën problem në këtë aspekt. Ndaj, sipas tij hetimi dhe rinisja e tij për dosje të korrupsionit mund të ketë një afat ligjore që shkon me dekada. “Dëshiroj të theksoj që hapja e çështjeve të fjetura penale nuk ka kufizim kohor kur ato nuk janë parashtruar. Për vepra penale të korrupsionit afati ligjor i hapjes së tyre është shumë i gjatë, shkon me dekada”, ka thën Gent Ibrahimi.

Nga prokurori Adriatik Llalla, te shumë politikanë dhe zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë, pritet të jenë pjesë e hetimeve të Prokurorisë Speciale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivele të larta. Fundi i shtatorit apo java e parë e muajit tetor, pritet të jetë periudha kohore kur SPAK do të jetë në funksion. Kjo kohë është vetëm pak ditë para se Bashkimi Europian të marrë një vendim për hapjen ose jo të negociatave për antërsim me Shqipërinë, ku hetimi i korrupsionit mbetet “thembra e Akilit” për këtë proces për vendin tonë.

Prokuroria e Krimeve të rënda shtyhn me 3 muaj hetimet ndaj Adriatik Llallës

Hetimet ndaj ish–prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla janë shtyrë me tre muaj. Urdhrin e dha gjykatësi Bib Ndreca, i cili pranoi kërkesën e prokurorisë për shtyrjen me 3 muaj të tjerë hetimet ndaj Llallës. Shtyrja e afatit të hetimit u bë me arsyetimin se prokuroria ende nuk ka administruar dy letër-porositë e dërguara në Amerikë dhe Gjermani, ku pritet të ketë të dhëna lidhur me shpenzimet e kryera nga ish-kryeprokurori dhe familjarët e tij.

Ish-kryeprokurori Lalla kërkoi për herë të tretë shfuqizimin e afateve të hetimit dhe mbylljen e çështjes penale ndaj tij në Gjykatën për Krime të Rënda, gjë që ju refuzua. Prokuroria argumentoi se nuk mund t’i jap zgjidhje hetimit ndaj Adriatik Llallës pa marrë përgjigjet që kërkon në letër-porositë. Avokati i Adriatik Llallës, Sokol Hazizaj tha se prokuroria ka tejkaluar çdo afat për hetim dhe vendimi i fundit është marrë në kundërshtim me ligjin. Avokati Hazizaj tha se për vendimin  fundit do të ndjek rrugën ligjore, duke iu drejtuar Gjykatës së Apelit.

Ndaj Ish-prokurorit rëndojnë dyshime mbi 4 vepra penale, mes tyre edhe ajo e pastrimit të parave. Hetimi ndaj Llallës, nisën 2 vite më parë, kur SHBA e shpalli person të padëshirueshëm dhe i ndaluan të drejtën e hyrjes në territorin e tyre. Ish-kryeprokurori hoqi dorë nga sistemit të drejtësisë duke i shpëtuar edhe procesit të vettingut.

Skip to toolbar