Makina përplas këmbësoren, vdes rrugës për në spital

Një grua humbi jetën pasi u përplas për vdekje me makinë nga një 24-vjeçar. Aksidenti ka ndodhur në vendin e quajtur “ish-këneta” në Durrës, ku gruaja me iniciale SH.V., por tentonte të kalonte rrugën.

Mjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin H.K., 24 vjeç, përplasi këmbësoren, e cila ndërroi jetë gjatë transportimit për në spital.

Policia arrestoi të riun dhe po heton për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Sarandë, makina del nga rruga, përfundon në dyqan

Një makinë humbi kontrollin dhe përfundoi brenda një dyqani rrobash në qytetin e Sarandës. Drejtuesi i mjetit ka devijuar nga rruga dhe në përpjekje për të frenuar përfundoi te vitrina e xhamit të një dyqani.

Nga aksidenti nuk ka të lënduar por vetëm dëme materiale.  Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e të hënës pranë shkollës “9 Tetori” , ndërsa policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit për sqarimin e rrethanave.

Aksident në Gjirokastër, humb jetën një person

Mëngjesi i të hënës nisi përsëri me aksident. Pas fundjavës që shënoi tre viktima në Tiranë, mëngjesin e të hënës një 34-vjeçar humbi jetën në Gjirokastër.

Një mjet doli nga rruga për shkak të shpejtësisë së lartë dhe u përplas me një mur. Për pasojë humbi jetën shtetasi me inicialet J.L., i cili ishte pasagjer në mjet.

Ndërkohë, drejtuesi i mjetit shtetasi me inicialet E.H., mbeti i plagosur. Ai është dërguar për kurim në spital, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sipas Policisë së Gjirokastrës, shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë shpejtësia e madhe. Megjithatë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Përplasen dy makina në TEG, humb jetën 17-vjeçari

Mbrëmjen e vonë të së dielës, përplasja e dy makinave te rrethrrotullimi i TEG, i mori jetën një 17-vjeçari. Bëhet fjalë për të riun me inicialet K.V., i cili mbeti i plagosur rëndë nga aksidenti, duke u dërguar me urgjencë drejt spitalit, por aty humbi jetën.

Ndërkohë, në aksident mbetën të plagosur dhe tre persona të tjerë, të cilët gjithashtu u dërguan në spital për kurim mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia shkoi në vendin e ngjarjes duke nisur punën për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.

Ndërkohë, të dielën në orët e para të mëngjesit  humbën jetën dy 17-vjeçare në Bërzhitë, të cilat ndodheshin në një makinë që doli nga rruga dhe u përplas me pemën. Mjeti drejtohej nga një i ri i moshës 18-vjeçare, që ende nuk ishte pajisur me leje drejtimi.

Pa patentë dhe i alkoolizuar, pranga 18-vjeçarit. I mori jetën dy 17-vjeçareve

18-vjeçari Françesk Shaba u arrestua si shkaktar i aksidentit tragjik në Bërzhitë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës. Ai ishte drejtuesi i mjetit, por nuk zotëronte leje drejtimi (patentë) dhe kishte konsumuar alkool, duke u bërë shkaktar i aksidentit në aksin rrugor Elbasan-Tiranë.

Nga kontrollet e policisë 18-vjeçari u verifikua me aparatin alkool testues, ku rezultoi se sasia e alkooli në frymëmarrje ishte 0.17 mg/l, ndërsa nuk zotëronte as patentë për drejtimin e makinës. Këto arsye, shoqëruar edhe me lagështinë në rrugë dhe shpejtësinë e lartë çuan në aksidentin tragjik.

Nga aksidenti humbën jetën dy 17-vjeçaret Denada Tarja dhe Suada Serani, ndërsa mbetën të plagosur drejtuesi Françesk Shaba dhe dy 14-vjeçarë me iniciale O.M dhe L.M. Të rinjtë ktheheshin nga festa e ditëlindjes të njërit prej 14-vjeçarëve, që ndodheshin në makinë. Makina doli nga rruga dhe u përplas me një pemë, që rezultoi fatale për dy 17-vjeçaret.

Ambulanca përplas të moshuarën, dërgohet me urgjencë në Tiranë

Një ambulancë ka përplasur një këmbësore të moshuar duke i shkaktuar plagë të rënda. E moshuara 77 vjeçe me iniciale K.P., ishte duke ecur në këmbë në momentin që është përplasur nga ambulanca në zonën e njohur si ish-banka në Pogradec.

Si pasojë e përplasjes e moshuara ka marrë plagë të rënda dhe u dërgua me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë.

Policia arrestoi drejtuesin e ambulancës, 62-vjeçarin me iniciale Ll.P., i cili dyshohet se ka shkelur  rregullat e qarkullimit rrugor duke shkaktuar dhe aksidentin.

Makina “fluturon” biçikletën, një i plagosur rëndë

Një i moshuar mbeti i plagosur rëndë pasi u përplas nga një makinë në zonën e Skelës në Vlorë. I moshuari ishte me biçikletë në momentin kur u përplas nga makina, trupi i të cilit përfundoi anës rrugës.

Gjendja e tij paraqitet e rëndë, ndërsa policia shoqëroi drejtuesin e mjetit për sqarimin e situatës.

Përplasen dy makina në Librazhd, tre të plagosur

Mbrëmjen e të dielës, ndodhi një tjetër aksident në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas, ku si pasojë mbetën të plagosur tre persona, raporton Balkanweb. Pas aksidentit të mëngjesit të së dielës në këtë aks rrugor ku u plagosën rëndë katër persona, pasdite dy mjete janë përplasur mes tyre.

Për pasojë mbetën të plagosur tre persona, të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ndodhen në spitalin e Elbasanit. Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit është bërë një parakalim i gabuar. Në vendin e ngjarjes shkoi policia dhe grupi hetimor, për të bërë zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Ndërkohë, paradite, një mjet doli nga rruga dhe ra në përrua në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas. Për pasojë mbetën të plagosur katër persona, ndërsa një prej tyre pasditen e të dielës u dërguar në Tiranë për mjekim të specializuar pasi ishte në gjendje më të rëndë.

Shkodër, makina “fluturon” në ajër këmbësorin

Një makinë ka përplasur një këmbësor në aksin rrugor Velipojë-Shkodër, i cili ndodhet në gjendje kritike për jetën. I plagosuri Emiljano Toma, 32 vjeç, është marrë para nga makina dhe përfundoi disa metra më tutje. Është ende e paqartë nëse 32-vjeçari po ecte anës rrugës, apo po tentonte ta kalonte atë.

Policia shoqëroi drejtuesin e mjetit për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa i riu ndodhet në sallën e reanimacionit në Shkodër në gjendje të rëndë.

Aksidenti horror në Durrës, një shofer lirohet, tjetri dënohet

Gjykata e Durrësit vendosi masën e sigurisë për dy drejtuesit e mjeteve që përplasën për vdekje dhe tërhoqën zvarrë trupin e 25-vjeçarit te ura e Shkozetit. Gjykata dënoi me 20 ditë burg drejtuesin e fugonit, Ferdinant Torozi, i cili morri zvarrë për rreth 50 metra trupin e të riut që ndodhej në rrugë pas aksidentit që pati me autobusin. Ai tha para gjykatës se nuk e kishte parë trupin dhe as e kishte ndjerë që kishte ngecur tek makina, për këtë arsye ka vazhduar ecjen dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërsa për shoferin e autobusit, Petrit Topalli, i cili ishte i pari që aksidenti të riun me motor tek ura e Shkozetit, gjykata vendosi masën “detyrim paraqitje”.

Drejtuesi i autobusit ka rrëfyer se nuk e ka parë viktimën, por ka dëgjuar vetëm zhurmën në momentin e përplasjes. Nga aksidenti motori mbeti poshtë autobusit dhe trupi në rrugë.

Ramazan Bata, 25 vjeç, që punonte si shpërndarës picash gjeti vdekjen në një aksident horror, pasi u përplas nga autobusi dhe më pas u mor zvarrë për 50 metra nga fugoni.

Skip to toolbar