Përlasen tre mjete, dy të plagosur

Një aksident i rëndë ndodhi të martën në mbrëmje në aksin rrugor Prrenjas-Librazhd. Sipas Balkanweb, aksidenti ndodhi në fshatin Qukës, ku janë përfshirë mes tyre tre automjetet.

Njëri prej tyre sipas të njëjtave burime jo zyrtare ishte me targa greke dhe në të udhëtonin pesë persona, katër prej të cilëve nga një familje emigrante në Greqi.

Drejtuesi i këtij automjeti dhe bashkëshortja e tij kanë mbetur të plagosur dhe kanë dërguar për trajtim mjekësor në repartin e kirurgjisë së spitalit të Librazhdit.

Burime jo zyrtare thanë se njëri prej drejtuesve të tri automjeteve të përfshira në këtë aksident ishte në gjendje të dehur. Ndërkaq policia po heton për të zbardhur dhe dokumentuar aksidentin me dy të plagosur.

Plagoset lehtë në aksident, por nëna që pa skenën përfundon në spital

Një aksident ndodhi mbrëmjen e të shtunës në qytetin e Beratit, në fshatin Otllak. Një 31-vjeçare, e cila ishte duke dalë nga rruga kryesor për tu futur në një rrugicë me mjetin e saj, i preu rrugën mjetit që po ecte në drejtim të qytetit të Beratit.

Përplasja mes dy mjeteve ishte shumë e fortë. Për pasojë, në aksident mbeti e plagosur lehtë 31-vjeçarja që drejtonte një mjet tip Benz.

Gjithashtu, nëna e saj, që ka parë skenën e aksidentit u nis për të shkuar pranë vendit të ngjarjes. Por, vetëm pak metër nga vendi i aksidentit, ajo pati probleme shëndetësore dhe u dërgua menjëherë në spital, raporton Balkanweb.

Sipas mjekeve, gjendja shëndetësore e nënës dhe vajzës është e mirë. Në vendngjarje kanë shkuar edhe forca të shumta të policisë rrugore, të cilët nisën hetimet për shkaqet e aksidentit.

Përplaset për vdekje i riu në Krujë, shoqërohet drejtuesi i mjetit

Një aksident i rëndë ndodhi të martën në Larushë të Krujës. Shtetasi me inicialet R.K., 41-vjeç, duke drejtuar mjetin tip “Mitsubishi” akisdentoi një 23-vjeçar.

Nga të dhënat rezulton se i aksidentuari është shtetasi me inicialet A.M., i cili për shkak të plagëve të marra nga përplasja me makinën, ndërroi jetë.

I riu i aksidentuar, mësohet se ishte duke shkuarë në punë në momentin që është përplasur nga mjeti tip “Mitsubishi”.

Ai punonte në një servis makinash pranë vendit të aksidentit, që rezultoi të ishte fatal për të.

Ende nuk ka detaje rreth shkaqeve të aksidentit që i kushtoi jetën të riut. Policia  njoftoi se shkoi në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Ndërkohë, drejtuesi i mjetit është shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme procedurale.

Përplaset nga makina 17-vjeçarja në Milot

Një aksident me pasojë plagosjen rëndë të një vajze 17-vjeçare ndodhi të martën në mëngjes në autostradën Lezhë-Milot. Ngjarja ndodhi rreth orës 07:45, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Rrilës”.

Sipas një njoftimi të Policisë, “mjeti i drejtuar nga një shtetas me inicialet F.D., përplasi shtetasen Xh.D., 17 vjeçe, ku për  pasojë ka marrë dëmtimet dhe është transportuar në spitalin Rajonal të Lezhës”, thotë Policia.

Megjithatë, uniformat Blu nuk japin më shumë detaje në lidhje me shëndetin e të aksidentuarës.

Ndërkohë, “drejtuesi i automjetit shtetasi F.D. është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme hetimore. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, thuhet më tej në njoftim.

Makina del nga rruga, vdes shoferi

Një aksident rrugor me pasojë vdekjen e një personi është shënuar në aksin nacional Korçë-Maliq, në afërsi të fshatit Rrembec. Bazuar në të dhënat paraprake raportohet se drejtuesi i makinës ka humbur kontrollin, duke përfunduar në një kanal në anë të rrugës.

Për shkak të këtij aksidenti të rëndë, drejtuesi i mjetit ka humbur jetën. Policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur punën për zbardhjen e shkaqeve. Sipas të dhënave jozyrtare, dyshohet se shoferi ka ndërruar jetë nga përplasja e fortë në kanalin që kishte anësore betoni.

“Më datë 07.12.2019, në aksin rrugor Korçë-Maliq, pranë kryqëzimit të fshatit Rëmbec, shtetasi M.B., 37 vjeç, banues në fshatin Orman, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka dalë nga rruga dhe për pasojë drejtuesi i mjetit ka ndërruar jetë”, deklaroi policia për këtë aksident.

Aksident me Maserati, 4 të plagosur rëndë

Katër persona mbetën të plagosur rëndë nga një aksident rrugor në aksin Shkodër-Hani i Hotit në afërsi të fshatit Vrakë.

Dy automjete janë përplasur mes tyre duke lënë të plagosur shtetasit Rovena Mustafa, 22 vjeçe, Egzon Çokaj, 25 vjeç, Gjon Ivanaj, 53 vjeç dhe Emral Malaj, 23 vjeç.

Në aksident një nga makinat e përfshirë është me targa italiane tip “Maserati”, por nuk dihen ende shkaqet që çuan në aksident.

Të plagosurit janë dërguar në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa policia ka nisur hetimet për ngjarjen.

Kamionët përplasen kokë më kokë, vdesin dy shoferët

Një shtetas shqiptar dhe një italian humbën jetën, pasi kamionët që drejtonin u përplasën kokë më kokë. Ngjarja e rendë ndodhi në aksin rrugor Ascoli-Mare në Itali, ku dy kamionët u përplasën kokë më kohë si pasojë e humbjes së kontrollit të automjetit, të njërit prej shoferëve.

Një prej shoferëve ishte shqiptari Agron Bakaj, 48 vjeç, i cili humbi jetën në vendngjarje, ndërsa shoferi i kamionit tjetër, një shtetas italian, humbi jetën rrugës për në spital.

Hetuesit italianë thonë se përgjumja apo humbja e kontrollit të mjetit nga njëri prej drejtuesve është bërë shkak i aksidentit tragjik.

Aksident në Milot-Rrëshen, makina përplas për vdekje këmbësorin

Një person humbi jetën pasi u përplas për vdekje nga një makinë, gjatë kohës që po tentonte të kalonte rrugën. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Milot- Rrëshen, tek “Rrethrrotullimi i Milotit”.

Automjeti tip “Benz” ka përplasur një këmbësor, identiteti i të cilit nuk dihet ende. Ai u dërgua me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit me iniciale A.N., për sqarimin e plotë të aksidentit tragjik.

Përplaset nga “Fiati”, humb jetën këmbësori në Tiranë

Një aksident i rëndë i mori jetën një shtetasi në autostradën Tiranë-Durrës.

Një mjet tip “Fiat” i drejtuar nga shtetasi me inicialet Sh.Sh., 37-vjeç, përplasi për vdekje një këmbësor.

Sipas policisë, personi që humbi jetën nga ky aksident, ende nuk është identifikuar.

Ndërkohë, grupi hetimor shkoi në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të aksdenti tragjik.

Makina përplas motorin, dy të plagosur në Librazhd

Dy persona mbetën të plagosur rëndë të enjten në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë në fshatin Qukës.

Një mjet tip benz, që drejtohej nga 33-vjeçari me inicialet T.Zh., përplasi një motoçikletë që drejtohej nga shtetasi me inicialet E.S.

Si pasojë e përplasjes, mbeti i plagosur drejtuesi i motorit dhe një këmbësor, shtetasi me inicialet K.H., 34 vjeç, banues në Librazhd.

Këmbësori i plagosur nga ky aksident është dërguar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi gjendja e tij shëndetësore është e rënduar.

Ndërkohë, policia thotë se është duke punuar për zbardhjen e rrethanave dhe shkakun e aksidentit.

Skip to toolbar