Bashës dhe aleatëve u hiqet pasaporta diplomatike

Krerët e opozitës jo parlamentare duhet të dorëzojnë pasaportat diplomatike, për ndryshe do të ndalohet në pikat kufitare nga policia. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, kreu i PR Fatmir Mediu, kreu i PDK Nard Ndoka, kreu i LZHK Dashamir Shehi, kreu i PAA Agron Duka dhe kreu i PBDNJ Vangjel Dule nuk kanë të drejtë më të pajisen me pasaporta diplomatike. Kështu parashikon vendimi i qeverisë nr. 389, datë 12. 6. 2019 për kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe asaj të shërbimit, i cili është botuar në Fletoren Zyrtare në 14 qershor, duke hyrë në fuqi. Vendimi ndryshon kategoritë personave që kanë të drejtë të pajisen dhe të mbajnë pasaportë diplomatike.

Shqiptarja.com ka identifikuar të gjitha kategoritë e funksionarëve, politikanëve dhe familjarëve të tyre, të cilëve u hiqet e drejta për t’u pajisur me pasaportë diplomatike. Nga lista e re që ka hyrë në fuqi janë hequr edhe kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend apo në qeveri. Vendimi i 1997 parashikonte që pajisen me pasaporta diplomatike edhe “kryetarët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin Popullor ose në Këshillin e Ministrave”.

Në vendimin e ri është hequr kjo kategori, ndonëse krerët e opozitës e humbën këtë privilegj që kur ‘dogjën’ mandatet, duke i kthyer partitë e tyre politike në jo parlamentare. Gjithashtu me vendimin e ri janë hequr edhe ish-ministrat, duke bërë që Lulzim Basha të humbasë këtë privilegj. Basha e humbet këtë privilegj edhe si ish-ministër, por edhe si kryetar partie. Një privilegj të tillë e humbet edhe Ditmir Bushati dhe të gjithë ish-ministret e Jashtëm. Pasaporta diplomatike u hiqet edhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, bashkëshortëve të ministrave, bashkëshorteve të zëvendëskryetarëve të Kuvendit, bashkëshortes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, bashkëshortes së kryetarit të Gjykatës së Lartë, bashkëshortes/it së Prokurorit të përgjithshëm, bashkëshortes së kryetarit të KLSH etj.

Shpëtojnë Berisha dhe Kryemadhi

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi kanë të drejtë të pajisen me pasaportë diplomatike sipas vendimit të fundit të qeverisë nr. 389, datë 12. 6. 2019. Berisha pajiset për shkak të statusit të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit. Sipas vendimit të ri, ish-presidentët, ish-kryeministrat dhe ish-kryetarët e Kuvendit mund të pajisen me pasaporta diplomatike. Në listën e re, përpos kategorive të tjera, është përfshirë bashkëshortja e Presidentit, duke bërë që këtë privilegj ta gëzojë Monika Kryemadhi. Kjo e fundit e humbet këtë privilegj si kryetare e LSI, por përfiton për shkak se është bashkëshortja e Ilir Metës. Sipas vendimit, mund të pajisjen me pasaportë diplomatike bashkëshortja dhe fëmijët deri në moshën 18 vjeç të presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit./Shqiptarja.com

A do ketë protesta dhe bllokim të zgjedhjeve? Basha mbledh aleatët për aksionin politik

Për të përcaktuar aksionin politik të opozitës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka thirrur në një takim aleatët opozitar.

Takimi do të zhvillohet në orën 12.00 të kësaj të premteje, ndërkohë që pasdite në orën 18.00 Basha do të mbledhë Kryesinë e PD-së dhe ish deputetët e Grupit Parlamentar.

Në këto mbledhje do të diskutohet për hapat që do të ndërmarrë opozita në ditët në vijim.

Në konferencën për shtyp të së enjtes Basha ftoi qytetarët të vazhdojnë betejën dhe të rezistojnë për në asnjë rresht nuk përmendi fjalën protestë apo bllokim të zgjedhjeve. Ndaj nuk dihet ende se si do të vazhdojë qëndrimi i opozitës e cila ka 4 muaj që proteston duke kërkuar dorëheqjen e Ramës dhe një qeveri teknike.

Aleatët e Bashës apel nga Kamza: Presidenti të shtyjë zgjedhjet me 6 muaj

Krerët e 5 partive aleate të PD-së, Fatmir Mediu i PR, Agron Duka i PAA, Nard Ndoka i PDK, Dashamir Shehi i LZHK dhe Vangjel Dule i PBDNJ, zhvilluan një bashkëbisedim me qytetarët e Kamzës ku edhe njëherë përsëritën kërkesën e tyre drejtuar presidentit Meta që të shtyjë zgjedhjet me 6 muaj.

Ata gjithashtu i bënë thirrje qytetarëve që të vijojnë rezistencën e tyre dhe të marrin pjesë në protestën e radhës të opozitës, ndërsa hodhën akuza drejtuar qeverisë dhe kryeministrit Rama.

Duka: E shihni, sot dhe përditë, që vazhdon të mbretërojë si një sulltan në të gjitha institucionet shqiptare. Ka kaluar në delir. Krye ‘skifteri’ është ky vet, i cili ka vjedhur zgjedhjet. Kështu që ju bëj thirrje të gjithëve të vazhdojmë të jemi qëndrestarë, dhe të mblidhemi në protestën e ditës së shtunë, të jemi edhe shumë më tepër, sepse besoj se jeni irrituar me këto që po dëgjoni mbi ato që ai ka bërë gjatë zgjedhjeve. Nuk kanë vjedhur persona të veçantë, apo kryetarë bashkish, ka qenë ky shefi i vjedhjeve. Nuk mund të vidhte Dako pa bekimin e këtij, i ka bekuar ky këta, por ç’është më e keqja, mirë se i ka bekuar për vjedhje, por këta njerëz i ka marrë dhe i ka çuar në pushtet.

Mediu: I kërkoj Presidentit të Republikës, si autoriteti kushtetues i vetëm i këtij vendi, i cili duhet të garantojë unitetin e popullit; i cili duhet të garantojë një shoqëri demokratike e pluraliste; i cili duhet të garantojë nga pikëpamja kushtetuese një shoqëri që bazohet mbi votën e lirë, të deklarojë shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj. Në qoftë se Presidenti i Republikës ka deklaruar që është i gatshëm, në qoftë se do të ketë mirëkuptim politik, ne sot kuptojmë që nuk ka mirëkuptim nga pushteti i krimit.

Prandaj është e rëndësishme që të shtyjmë zgjedhjet për 6 muaj dhe të ndërtojmë një qeverisje tranzitore. Me burra dhe gra me integritet nga të dyja krahët politike, por edhe akademikë, të cilët të çojnë vendin në një qeverisje për të garantuar atë që është më e rëndësishmja: Zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Shehi: Ky njeri na ka futur dorën në xhep të gjithëve neve, dhe e ndan me këto 10-15 vetë. Një pjesë e këtyre parave kanë ardhur edhe nëpërmjet

duarve të zeza fare, nga duart e drogës dhe të krimit e po shërbejnë për të blerë votat. Tani ky lloj rrethi, që merr lekët për të blerë votat, mbasi merr votat merr pushtetin për të vjedh lekët, për të blerë votat përsëri, për t’u rrotulluar përsëri këtu, në qoftë se ne nuk do ta ndalojmë do të na ndjekë gjithë jetën. Duhet me e ndalu’, me e thy’, këtë lloj rrethi të keq. Na takon të ngrihemi, të rezistojmë, kjo është betejë jetë a vdekje.

Ndoka: E vetmja mënyrë me të është përballja, dhe përballja është protesta. Çdo gjë e ka një lloj fundi, për atë, të merituar. E kanë shoqëruar skandalet, nuk është thjeshtë dëshira jonë për ta larguar, apo e opozitës për të ardhur në pushtet. Nuk ka kërkuar pushtet opozita, nuk kërkon pushtet Lulzim Basha, ne kërkojmë largimin e këtij kryeministri që është kapur peng nga grupet kriminale. Ta mbyllim me një ‘Rama ik’ të fuqishëm!

Aleatët e Bashës trokasin në zyrën e Haradinajt

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në një takim krerët e partive aleate të PD-së, si Fatmir Mediun, Nard Ndokën, Agron Dukën e Vangjel Dulen. Ka qenë vetë kryeministri i Kosovës ai që ka bërë të ditur këtë takim duke postuar foto në facebook dhe një mesazh se “është gjithmonë kënaqësi të bisedojmë për tema të interesit të përbashkët, në të mirë të zhvillimit tonë të brendshëm dhe rrugës tonë euro-atlantike”.

Postimi i plotë:

“Bashkëpunimi ndërmjet partive politike të Kosovës me ato të Shqipërisë në të gjitha etapat e shtet ndërtimit ka qenë i frytshëm dhe në këtë aspekt, dialogu midis tyre vazhdon të jetë i hapur.

Në kontekst të këtij dialogu, prita sot në takim Kryetarët e partive opozitare Fatmir Mediun, Agron Duka, Nard Ndoka dhe Vangjel Dule me të cilët u dakorduam se bashkërendimi i qëndrimeve është në interes të dy shteteve dhe qytetarëve tanë.

Është gjithmonë kënaqësi të bisedojmë për tema të interesit të përbashkët, në të mirë të zhvillimit tonë të brendshëm dhe rrugës tonë euro-atlantike.”, shkruan Haradinaj.

Nuk dihet ende pse krerët e partive të vogla në kulmin e krizës politikë në Shqipëri, kanë shkuar në Kosovë për t’u takuar me Haradinajn. Po kështu kujtojmë se ditët e fundit Haradinaj ka pasur përplasje me kryeministrin Rama për shkak të qëndrimit të Samitin e Berlinit për çështjen e taksës së Kosovës për mallrat serbe.

Bashkëpunimi ndërmjet partive politike të Kosovës me ato të Shqipërisë në të gjitha etapat e shtet ndërtimit ka qenë i…

Publiée par Ramush Haradinaj sur Dimanche 5 mai 2019

Meta pas takimit: Largimi opozitës rrezikon pluralizmin politikë

Pas takimit me krerët e partive të vogla opozitare është zbardhur edhe qëndrimi i presidentit Meta.

Gjatë fjalës së tij Meta ka thënë se dialogu është mjaft i rëndësishëm dhe se gjithmonë ka kërkuar që ai të zhvillohej për të parandaluar përshkallëzimin e krizës politike në vend. Meta e cilësoi rrezik të vetë pluralizmit politikë në vend, mosregjistrimit në zgjedhje të partive opozitare.

Ai bëri thirrje për dialog në vend në mënyrë që të vijohet me bashkëjetesën demokratike në Shqipëri.

Njoftimi i plotë i Presidencës:

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot me kërkesë të tyre kryetarët e partive politike të Grupimit të Qendrës së Djathtë, kryetarin e Partisë Republikane, z.Fatmir Mediu, kryetarin e Partisë Agrare Ambientaliste, z.Agron Duka, kryetarin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, z.Vangjel Dule, kryetarin e Partisë Demokristiane, z.Nard Ndoka dhe dëgjoi me vëmendje çështjet e ngritura gjatë takimit.

Presidenti Meta shprehu shqetësimin e thellë për krizën serioze kushtetuese, institucionale dhe të përfaqësimit ku ka hyrë vendi.

Kreu i Shtetit theksoi se më herët kishte paralajmëruar domosdoshmërinë e vendosjes urgjente të dialogut për shmangien e përshkallëzimit të konfliktit.

Presidenti Meta nënvizoi se ka bërë çdo përpjekje për të nxitur zbatimin e reformës në drejtësi brenda afateve dhe parimeve kushtetuese që do të garantonin kontrollin e balancën e sistemit në një shtet funksional të së drejtës. Nëse kjo do të kishte ndodhur, kriza aktuale politike nuk do të kishte marrë këto përmasa.

Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin se mosregjistrimi i të gjitha partive opozitare të legjislaturës së fundit parlamentare rrezikon jo vetëm standardet e zgjedhjeve, por edhe pluralizmin politik në vend.

Presidenti Meta thekson se nuk është asnjëherë vonë për të reflektuar dhe për të gjetur zgjidhje që do të rivendosnin normalitetin kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit.

Presidenti Meta nxit dialogun dhe zërat e arsyeshëm, për dekurajimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës.

Kreu i Shtetit do të vazhdojë kontributin e Tij, me të gjitha format e mundësitë për të kërkuar reflektimin e të gjithëve, me qëllim garantimin, jo vetëm të bashkëjetesës demokratike, por edhe ecurinë e suksesshme dhe të besueshme të reformave të lidhura me integrimin europian.

Aleatët e Bashës, sot në zyrën e Metës për të gjetur zgjidhje

Sot në orën 11, krerët e partive të vogla, aleate të PD-së, do të zhvillojnë një takim me Presidentin Ilir Meta, për të diskutuar për situatën politike në vend dhe rrugët për të gjetur një zgjidhje në mënyrë që koalicioni Opozitar të marrë pjesë në zgjedhje.

Pjesë e këtij takimi me presidentin do të jenë kryetarët e partive: PR, LZHK, PPA, PBDNJ dhe PDK, të cilët nuk janë regjistruar për zgjedhjet e 30 qershorit.

Kushti i Koalicionit Opozitar për të marrë pjesë në zgjedhje është krijimi i një qeverie transitore që do të përgatisë zgjedhjet e lira dhe te ndershme, si dhe dorëheqja e kryeministrit Rama.

Më herët Kreu i Shtetit u ka bërë thirrje partive që të tërhiqen nga sjellja konfliktuale dhe të dialogojnë në mënyrë që të zgjidhet kriza politike e kthyer në pengesë në hapjen e negociatave të integrimit.

Të shohim se si do të shkojë sot ky takim mes palëve.

Përfundon takimi me Bashën, aleatët: Nuk ka zgjedhje me Ramën

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka takuar aleatët e tij, një ditë para takimit të tyre me presidentin Meta. Takimi zgjati për rreth 1 orë, ndërkohë që kreu i PR, Fatmir Mediu tha për mediat se vazhdojnë të kenë të njëjtin qëndrim “zgjedhje të lira pa Ramën në krye, por me qeveri tranzitore”.

“Kryeministri për ne është pjesë e problemit dhe nuk është pjesë e zgjidhjes. Për këtë arsye ne nuk pranojmë Edi Ramën kryeministër që të jetë zgjidhja për zgjedhje të lira dhe të ndershme.” – tha Mediu

Ndërsa kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule tha se “zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë, ndërsa arroganca, prepotenca e zotit Rama nuk i shërben këtij objektivi.”

Aleatët e Bashës kërkojnë ndihmën e Metës dhe ndryshime kushtetuese

Megjithëse firmosën një marrëveshje bashkëpunimi me kreun e PD-së, partitë aleate të tij sot kanë prezantuar një tjetër platformë me 12 pika. Aleatët e Koalicionit Opozitar kërkojnë ndryshime rrënjësore kushtetuese. Përveç krijimit të një qeverie transitore dhe shtyrjes së datës së zgjedhjeve, partitë e vogla kërkojnë ndryshim të sistemit zgjedhor, në mënyrë që deputetët të zgjidhen nga populli. Kërkojnë që presidenti të zgjidhet nga populli dhe kryeministrit t’i kufizohet mandati. Ata gjithashtu i drejtohen Ilir Metës, duke i kërkuar atij që të ulë opozitën dhe mazhorancën në tryezë për të zgjidhur krizën politike në vend.

Platforma për Marrëveshje Kushtetuese e Partive Aleate të PD

Duke vlerësuar se situata politike në vend është shumë e rëndë dhe e paprecedent, sistemi ynë kushtetues Republikë Parlamentare, pothuaj ka rënë tërësisht dhe transformuar në Republikë e Kryeministrit Rama;

Duke u ndodhur përballë pamundësisë politike dhe ligjore për të ndalur veprimet antikushtetuese të qeverisë dhe mazhorancës socialiste për mëse 2 vjet, për shkak të mungesës së Gjykatës Kushtetuese;

Duke vlerësuar qëllimin e Reformës në Drejtësi, si mundësi për krijimin e një drejtësie të pakorruptuar dhe të pavarur, por që u deformua qëllimisht nga Rama, për ta kontrolluar politikisht, me pasoja të rënda mbi të drejtat e qytetarëve, për shkak të pamundësisë së tyre për gjykimin në kohë të mijëra çështjeve administrative,  civile dhe penale, mungesa e një proçesi të drejtë gjyqësor, për shkak të mos funksionimit për mëse 2 vjet të Gjykatës së Lartë (duke dysfishuar numrin e dosjeve që presin për gjykim).

Duke vlerësuar me shqetësim gjendjen e rëndë në vend, korrupsionin masiv, trafikun e drogës, përhapjen dhe fuqizimin e krimit shqiptar, siç vlerëson edhe raporti i fundit i DASH (Departamenti Amerikan i Shtetit);

Konstatimi se këto grupe kriminale në shumë qarqe të vendit, jo vetëm janë të paprekshëm, por zotërojnë potencial njerëzor aktiv kriminal dhe kontrollojnë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë dhe investimeve publike të lidhura me korrupsionin qeveritar;

Duke dënuar kontrollin politik mbi Prokurorinë, në kundërshtim me Kushtetutën, si dhe mos hetimin e krimeve elektorale për blerjen e votave dhe intimidimin e votuesve nga grupe kriminale dhe kartelet e drogës, në marrëdhënie dhe shërbim të pushtetit absolut të Ramës;

Duke vlerësuar se eksodi masiv ka marrë përmasat e një spastrimi të shqiptarëve, me pasoja të rënda politike, ekonomike dhe sociale;

Duke konstatuar se në zgjedhjet e 30 Qershorit 2019 janë regjistruar vetëm parti politike të mazhorancës, si dhe përpjekjet e Ramës për të organizuar zgjedhje farse, me qëllim që të krijojë idenë false se zgjedhjet do të jenë “konkuruese”, përballë Opozitës dhe qytetarëve nga ana tjetër, të vendosur për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve farse, tentativën e qeverisë për një krim elektoral me pasoja shkatërruese për vendin, e cila do të çonte në një përplasje me pasoja për vendin dhe Unitetin e Popullit. 

Partitë tona të Qendrës së Djathtë, në respekt të marrëveshjes së nënshkruar me Partinë Demokratike dhe partitë e tjera opozitare, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, jashtë ndikimit të grupeve kriminale dhe qeverisë të lidhur me to, të angazhuar për t`a kthyer vendin në binarët kushtetues dhe plotësuar detyrimet e vendosura nga BE:

Partitë tona, si Grupim i Qendrës së Djathtë (GQD) të përbërë nga; PR, PAA, PBDNJ, LZHK dhe PDK, propozojnë realizimin e një Marrëveshje Politike Kushtetuese, duke propozuar sa më poshtë:

1-    Thirrja e një tryeze politike nga Presidenti i Republikës, e përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës.

Bazuar në Nenin 86/1, Presidenti është garant i unitetit të popullit. Ky unitet garantohet nga respektimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve, në respekt të Kushtetutës. 

Neni 1 i Kushtetutës sanskionon se “qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”.

Mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, po shkatërron parimin themelor e kushtetues të pluralizimit.

•    Kjo tryezë të vlerësojë kushtet dhe kërkesat e OSBE/ODHIR për të shmangur shitblerjen e votës, intimidimin e votuesve dhe përdorimin  e Administratës Shtetërore.

•    Kontrolli mbi territorin dhe proçedimi i grupeve kriminale, të cilat janë evidentuar në shitblerjen e votës.

•    Proçedimin penal nga ana e Prokurorisë të dosjeve të bëra publike nga media, për manipulimin e zgjedhjeve.

•    Vlerësimin e skadimit të afatit të kartave të identitetit dhe paisjen e qytetarëve me karta.

•    Vlerësimin e përjashtimit nga lista të mbi 270,000 votuesve.

2-    Përcaktimi i një date për zgjedhjet lokale dhe parlamentare, me një qeverisje tranzitore (qeverisje kujdestare) me dakortësi politike.

Data e zgjedhjeve të përcaktohet në përputhje me detyrimet dhe implementimin nga qeverisja tranzitore, e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe shkëputjes së strukturave të Shtetit nga krimi i organizuar.

3-    Reformë zgjedhore e cila ndalon finacimin e paligjshëm, dënon jo vetëm njerëzit e angazhuar në blerje dhe manipulim votash, por edhe subjektet politike që marrin pjesë në manipulimin e zgjedhjeve.

4-    Kthimi i Parlamentit në një Parlament përfaqësues dhe kushtetues, nëpërmjet ndryshimit të sistemit zgjedhor, nëpërmjet një sitemi zgjedhor dhe  votimi me lista të hapura, ku qytetarët të zgjedhin jo vetëm partitë politike, por edhe deputetin që do t`i përfaqësojë në Parlament, si dhe një shpërndarje të mandateve në përputhje me parimin e barazisë së votës.

5-    Përcaktimi me një dispozitë tranzitore kushtetuese për një periudhë 15 vjeçare, i krijimit të një Qeverie Kujdestare 6 muaj përpara zgjedhjeve, duke përcaktuar me ligj formën, kriteret e përfaqësimit dhe detyrat e saj.

6-    Vlerësimi i kuadrit kushtetues të vendit, me një grup të posaçëm ekspertesh të së Drejtës Kushtetuese, vendas dhe të huaj, për të mundësuar kthimin e Republikës Parlamentare dhe funksionimin e saj, bazuar në pavarësinë dhe balancimin e pushteteve.

7-    Bashkëpunimi për një vlerësim të drejtë të Reformës në Drejtësi, funksionimi urgjent i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, qoftë edhe me një amendim të përkohshëm, për t`i bërë ato funksionale, duke zhvilluar një proçes për të  garantuar integritetin, profesionalizmin dhe pavarësinë e tyre.

8-     Kufizimi i mandatit të Kryeministrit dhe  deputetëve.

9-    Të bëhet testi i drogës për Presidentin, Kryeministrin dhe deputetët.

10-    Zgjedhja e Presidentit të Republikës drejpërdrejtë nga populli dhe jo nga mazhoranca apo pazare politike. Zgjerimi i kompetencave të tij në fushën e Sigurisë dhe Drejtësisë.

11-    Krijimi i një sistemi parlamentar me dy dhoma, Senat dhe dhomë e përfaqësuesve. Senati të ushtrojë një pjesë të detyrave dhe kompetencave të Gjykatës Kushtetuese dhe një pjesë tjetër të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese t`i kalojnë Gjykatës së Lartë.

12-    Rishikimi i Reformës Administrative, për t`a çuar pushtetin lokal afër dhe në shërbim të njerëzve dhe jo vetëm në qendrat e mëdha urbane, me qëllim kontrollin politik të territorit.

Nëse do të shohim përbërjen e këshillave bashkiakë, mbi 95% e tyre janë nga qendrat urbane, duke lënë të papërfaqësur pjesën më të madhe të popullsisë.

Partitë tona angazhohen në dialog me forcat e tjera politike, duke qenë të hapur për qëndrimet dhe gjykimet e tyre.

Skip to toolbar