Aleatët e Bashës apel nga Kamza: Presidenti të shtyjë zgjedhjet me 6 muaj

AKTUALITET


Krerët e 5 partive aleate të PD-së, Fatmir Mediu i PR, Agron Duka i PAA, Nard Ndoka i PDK, Dashamir Shehi i LZHK dhe Vangjel Dule i PBDNJ, zhvilluan një bashkëbisedim me qytetarët e Kamzës ku edhe njëherë përsëritën kërkesën e tyre drejtuar presidentit Meta që të shtyjë zgjedhjet me 6 muaj.

Ata gjithashtu i bënë thirrje qytetarëve që të vijojnë rezistencën e tyre dhe të marrin pjesë në protestën e radhës të opozitës, ndërsa hodhën akuza drejtuar qeverisë dhe kryeministrit Rama.


Duka: E shihni, sot dhe përditë, që vazhdon të mbretërojë si një sulltan në të gjitha institucionet shqiptare. Ka kaluar në delir. Krye ‘skifteri’ është ky vet, i cili ka vjedhur zgjedhjet. Kështu që ju bëj thirrje të gjithëve të vazhdojmë të jemi qëndrestarë, dhe të mblidhemi në protestën e ditës së shtunë, të jemi edhe shumë më tepër, sepse besoj se jeni irrituar me këto që po dëgjoni mbi ato që ai ka bërë gjatë zgjedhjeve. Nuk kanë vjedhur persona të veçantë, apo kryetarë bashkish, ka qenë ky shefi i vjedhjeve. Nuk mund të vidhte Dako pa bekimin e këtij, i ka bekuar ky këta, por ç’është më e keqja, mirë se i ka bekuar për vjedhje, por këta njerëz i ka marrë dhe i ka çuar në pushtet.

Mediu: I kërkoj Presidentit të Republikës, si autoriteti kushtetues i vetëm i këtij vendi, i cili duhet të garantojë unitetin e popullit; i cili duhet të garantojë një shoqëri demokratike e pluraliste; i cili duhet të garantojë nga pikëpamja kushtetuese një shoqëri që bazohet mbi votën e lirë, të deklarojë shtyrjen e zgjedhjeve lokale me 6 muaj. Në qoftë se Presidenti i Republikës ka deklaruar që është i gatshëm, në qoftë se do të ketë mirëkuptim politik, ne sot kuptojmë që nuk ka mirëkuptim nga pushteti i krimit.

Prandaj është e rëndësishme që të shtyjmë zgjedhjet për 6 muaj dhe të ndërtojmë një qeverisje tranzitore. Me burra dhe gra me integritet nga të dyja krahët politike, por edhe akademikë, të cilët të çojnë vendin në një qeverisje për të garantuar atë që është më e rëndësishmja: Zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Shehi: Ky njeri na ka futur dorën në xhep të gjithëve neve, dhe e ndan me këto 10-15 vetë. Një pjesë e këtyre parave kanë ardhur edhe nëpërmjet

duarve të zeza fare, nga duart e drogës dhe të krimit e po shërbejnë për të blerë votat. Tani ky lloj rrethi, që merr lekët për të blerë votat, mbasi merr votat merr pushtetin për të vjedh lekët, për të blerë votat përsëri, për t’u rrotulluar përsëri këtu, në qoftë se ne nuk do ta ndalojmë do të na ndjekë gjithë jetën. Duhet me e ndalu’, me e thy’, këtë lloj rrethi të keq. Na takon të ngrihemi, të rezistojmë, kjo është betejë jetë a vdekje.

Ndoka: E vetmja mënyrë me të është përballja, dhe përballja është protesta. Çdo gjë e ka një lloj fundi, për atë, të merituar. E kanë shoqëruar skandalet, nuk është thjeshtë dëshira jonë për ta larguar, apo e opozitës për të ardhur në pushtet. Nuk ka kërkuar pushtet opozita, nuk kërkon pushtet Lulzim Basha, ne kërkojmë largimin e këtij kryeministri që është kapur peng nga grupet kriminale. Ta mbyllim me një ‘Rama ik’ të fuqishëm!




Skip to toolbar