Lojtarët fajësojnë veten. Injoruam trajnerin, e kishim mendjen te Franca

Barazimi me Andorrën ishte një “rrufe në qiell të pastër” për kombëtaren. Futbollistët u shprehën të zhgënjyer pas ndeshjes, duke fajësuar veten për humbjen. Lorenc Trashi tha se trajneri u kishte thënë të mos e mendonin Francën, por vetëm Andorrën, duke pranuar se gabimi ishte i të gjithë lojtarëve.  “Të gjithë e kanë pasur mendjen te Franca dhe trajneri na ka thënë që të mos shohim Francën por ta kemi mendjen te kjo ndeshje. Ai na ka thënë se për Francën motivohemi vetë por duhet motivim në këtë ndeshje ndaj Andorrës. Të gjithë janë profesionistë por në fushë është tjetër gjë. Ishte një gabim i të gjithëve dhe kjo ndeshje iku”, tha Trashi.

Gabimin e pranoi dhe Keidi Bare, i cili tha se të gjithë e kanë pasur mendjen te Franca, ndeshje që do të luhet të dielën. Duket se vetë lojtarët kanë kuptuar, pas ndeshjes, se gabuan duke mos e dëgjuar trajnerin.  “Besoj se mendja ishte te Franca, si lojtarët dhe tifozët. Dhe trajneri e ka thënë se kjo ishte ndeshja më e vështirë dhe ishim të përgjumur. Menduan se do e zgjidhnim sa më shpejt, por po nuk shënove në fillim e pëson. Me Francën për të fituar, pavarësisht se është e vështirë. Shpresoj të mos e përsërisim të njëjtën ndeshje me Francën”, tha Bare.

Rey Manaj mendon ndryshe nga shokët. Sipas tij, mendjen e kishin tek Andorra dhe jo te Franca. Megjithatë, sulmuesi pranon se faji ishte i lojtarëve që gabuan në këtë sfidë, duke humbur shansin dhe për të pretenduar vendin e tretë në grup. “Të gjithë menduan se do të ishte e lehtë por ne e dinim që Andorra do të mbyllej. Gabuam në ato dy gola por janë gjëra që ndodhin. Shënuam dhe besoj se në fund luanim me topa të gjatë dhe nuk na doli loja. E kishim mendjen tek Andorra dhe donim rekordin e pikëve dhe për t’i treguar të gjithëve se kemi ndryshuar. Ky është një hap pas dhe kemi mundësinë që të bëjmë tjetër paraqitje. Duket sikur kanë faj mbrojtësat pasi aksioni kaloi nga sulmi në mesfushë. Duhet edhe mbrojtësit të bëjnë punën e tyre dhe në këto ndeshje kemi luajtur si ekip dhe kemi bërë shumë mirë”, tha Manaj.

Formacion me dëmtime ndaj Andorrës

Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Edy Reja, zbresin në “Elbasan Arena” mbrëmjen e të enjtes për të luajtur takimin e parafundit kualifikues të Euro 2020 përballë Andorrës.

Sfida do të luhet në orën 20:45, para se të dielën kuqezinjtë të luajnë sfidën e fundit në grupin H atë kundër Francës. Trajneri Edy Reja është i detyruar të ndryshojë formacionin, duke nisur nga mbrëmja e të enjtes.

Sokol Cikalleshi mungon për shkak të dëmtimit, ndërsa Klaus Gjasula është i pezulluar nga kartonët e verdhë.

Megjithatë, alternativat nuk mungojnë. Pas dëmtimit që  kaloi një muaj më parë, kapiteni Elseid Hysaj është gati për të luajtur, ndërsa në mbrojtje Gjimshiti, Veseli, Trashi apo Dermaku, pritet gjithashtu ta nisin nga minuta e parë.

Në mesin e fushës, për shkak të mungesës së Gjasulës, Bare, Ramadani dhe Memushaj pritet të shërbejnë në këtë repart. Sulmi është një tjetër dilemë, që pritet të vendoset këtë të enjte nga trajneri.

Megjithatë, Balaj e Manaj ndoshta do të jenë ata që do ta nisin titullar, ndërsa Seferi, Roshi apo Kamberi, mund ta nisin nga stoli. Shqipëria është favorite për të fituar këtë ndeshje, ndërkohë që takimin e parë kuqezinjtë e fituan në Andorra me rezultatin 3-0.

Nga ID, te sendet e ndaluara, policia publikon masat për Shqipëri-Andorra

Të enjten do të luhet ndeshja e parafundit në grup për kualifikueset e Euro 2020 mes Shqipërisë dhe Andorrës. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”, ndërsa deri më tani numri i tifozëve që do të jenë të pranishëm mbetet i ulët. Megjithatë, policia e Elbasanit merr masa për të parandaluar çdo situatë problematike. Sipas një njoftimi zyrtar, mësohet se të enjten do të bllokohen disa rrugë  në qytetin e Elbasanit.

“Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në rrugën “Kamber Sejdini”, nga kryqëzimi i bulevardit “Qemal Stafa” deri tek Kryqëzimi i Tapetave. Nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve në bulevardin “Aqif Pasha” dhe bulevardin “Qemal Stafa”, pasi krahu i djathtë i stadiumit do të përdoret për parkimin e autobusëve të ndryshëm që vijnë të organizuar me tifozë”.

“Vendparkimet e mjeteve të UEFA-s, të mjeteve të tifozëve miq, si dhe vendparkimet me autorizim do të jenë para sheshit të stadiumit. Bulevardi “Qemal Stafa” dhe unaza e qytetit do të përdoren për qarkullimin e mjeteve. Rrugë-kalimi nga Kryqëzimi i Tapetave, ish-konservimi deri në dalje në unazë dhe në spitalin rajonal Elbasan do të shfrytëzohet për emergjencat që mund të lindin gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjithashtu, policia do të mbyllë disa lokale që ndodhen pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ndërsa për sigurinë para, gjatë dhe pas ndeshjes do të angazhohen punonjës policie nga Drejtoria e Policisë Elbasan si dhe komisariatetet e tjera. Të gjithë sportdashësit që do të marrin pjesë në këtë aktivitet, të jenë të pajisur me biletë, kartë identiteti dhe të mos kenë me vete: sende të forta, shishe (të çfarëdolloji)  monedha apo metale (të çfarëdolloji) çelësa të ndryshëm.

Ndoji do tifozët për të mundur…Andorrën

Emanuele Ndoj, së bashku me Myrto Uzunin, janë dy lojtarët e rikthyer në kombëtare nga Edy Reja. Mesfushori i Brescia foli në konferencë për mediat të hënën, duke u shprehur se i kishte munguar kombëtarja. Por, futbollisti është koshient që nuk është ende në formën e tij më të mirë, dhe nuk pretendon shumë për aktivizimin, duke ia lënë në dorë trajnerit.

“Kam qenë 3 muaj jashtë. Kam filluar të stërvitem me ekipin dhe të luaj. Jam më mirë. Kam luajtur 2 ndeshje në Serinë A. Mund të kem 70 minuta në këmbë. Do të vendos trajneri. Nëse jam mirë, do më aktivizojë. Është gëzim i madh të jem në Kombëtare. Do jap 100 % çdo herë që do futem në fushë. Më ka munguar shumë kombëtarja”, tha Ndoj.

Konkurrenca në repartin e mesfushës është e madhe. Bare dhe Gjasula kanë fituar vendin e titullarit tashmë. Megjithatë, Ndoj shprehet se kjo gjë i bën mirë skuadrës. Për dy ndeshjet e fundit, ai shprehet se duhet të merren një e nga një, ndërsa kërkon ndihmën  e tifozëve për sukses.

“Bare dhe Gjasula janë lojtarë shumë të fortë. Duhet të japësh 100% në stërvitje për t’i treguar trajnerit që je gati. Konkurrenca është e mirë për ekipin. Jemi lojtarë të Kombëtares, mendojmë për ndeshjen e radhës, do të fokusohemi 100 % te Andorra, më pas do të mendojmë për Francën. Është gjë shumë pozitive që të jenë njerëzit afër dhe të japin një karikim të fortë. Dua t’i ftoj tifozët edhe në Elbasan ndaj Andorrës. Kemi nevojë për ta edhe në Elbasan”, u shpreh Ndoji.

Skip to toolbar