Lojtarët fajësojnë veten. Injoruam trajnerin, e kishim mendjen te Franca

AKTUALITET


Barazimi me Andorrën ishte një “rrufe në qiell të pastër” për kombëtaren. Futbollistët u shprehën të zhgënjyer pas ndeshjes, duke fajësuar veten për humbjen. Lorenc Trashi tha se trajneri u kishte thënë të mos e mendonin Francën, por vetëm Andorrën, duke pranuar se gabimi ishte i të gjithë lojtarëve.  “Të gjithë e kanë pasur mendjen te Franca dhe trajneri na ka thënë që të mos shohim Francën por ta kemi mendjen te kjo ndeshje. Ai na ka thënë se për Francën motivohemi vetë por duhet motivim në këtë ndeshje ndaj Andorrës. Të gjithë janë profesionistë por në fushë është tjetër gjë. Ishte një gabim i të gjithëve dhe kjo ndeshje iku”, tha Trashi.

Gabimin e pranoi dhe Keidi Bare, i cili tha se të gjithë e kanë pasur mendjen te Franca, ndeshje që do të luhet të dielën. Duket se vetë lojtarët kanë kuptuar, pas ndeshjes, se gabuan duke mos e dëgjuar trajnerin.  “Besoj se mendja ishte te Franca, si lojtarët dhe tifozët. Dhe trajneri e ka thënë se kjo ishte ndeshja më e vështirë dhe ishim të përgjumur. Menduan se do e zgjidhnim sa më shpejt, por po nuk shënove në fillim e pëson. Me Francën për të fituar, pavarësisht se është e vështirë. Shpresoj të mos e përsërisim të njëjtën ndeshje me Francën”, tha Bare.


Rey Manaj mendon ndryshe nga shokët. Sipas tij, mendjen e kishin tek Andorra dhe jo te Franca. Megjithatë, sulmuesi pranon se faji ishte i lojtarëve që gabuan në këtë sfidë, duke humbur shansin dhe për të pretenduar vendin e tretë në grup. “Të gjithë menduan se do të ishte e lehtë por ne e dinim që Andorra do të mbyllej. Gabuam në ato dy gola por janë gjëra që ndodhin. Shënuam dhe besoj se në fund luanim me topa të gjatë dhe nuk na doli loja. E kishim mendjen tek Andorra dhe donim rekordin e pikëve dhe për t’i treguar të gjithëve se kemi ndryshuar. Ky është një hap pas dhe kemi mundësinë që të bëjmë tjetër paraqitje. Duket sikur kanë faj mbrojtësat pasi aksioni kaloi nga sulmi në mesfushë. Duhet edhe mbrojtësit të bëjnë punën e tyre dhe në këto ndeshje kemi luajtur si ekip dhe kemi bërë shumë mirë”, tha Manaj.




Skip to toolbar