VOA: Arjan Ndoja, figurë kontroverse me shumë dritëhije

Prokurori i Durrësit Arjan Ndoja ka qenë mbrëmjen e së premtes shënjestër e një atentati. Automjeti me të cilin ai po udhëtonte është qëlluar me breshëri automatiku në një nga rrugët në hyrje të qytetit të Durrësit. Ndoja ka mbetur i plagosur, jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu dhe një tjetër person që ndodhej në automjet Aleksandër Laho, si dhe një person i tretë, Andi Maloku, i cili thuhet të jetë shoferi i Prokurorit.

Maloku, ndodhte në gjendje kritike dhe është transportuar drejt spitalit të Traumës në Tiranës, në hyrje të të cilit janë vendosur forca të shumta policie, ndërsa prokurori dhe personi tjetër Laho, ndodhen në spitalin e Durrësit, gjithashtu nën kontrollin e rreptë të forcave të policisë.

Emri i prokurorit Ndoja, u bë i njohur pak javë më parë, pas urdhërit të tij për arrestimin e Drejtorit të Hipotekës së Durrësit, Liridon Pula. Një akt që solli një reagim të fortë nga drejtuesit më të lartë të Qeverisë, kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrit Erion Braçe, të cilët në mënyrë të përsëritur e akuzuan atë si një personazh të lidhur me botën e krimit e që vepron për llogari të bandave të Durrësit.

Ndoja rezulton të jetë një figurë kontroverse me shumë dritëhije. Përpara se të emërohej prokuror, ai ka qenë avokat, ku mësohet se ka mbrojtur emra të botës së errët të krimit. Më pas ai është përmendur dhe në episodin e sulmit, disa vite më parë në Durrës, të një avokati të njohur të këtij qyteti.

Nga ana tjetër, personi që udhëtonte me të në makinë Aleksandër Laho, është një personazh problematik, i dyshuar për përfshirje ne aktivitete kriminale, që ka ndryshuar disa herë identitetin, dhe që dyshohet të jetë i përfshirë dhe në rrahjen që ju bë një biznesmeni libanez, i cili po investonte për ndërtimin e një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit./VOA/

Ata që duan të mos gjendet kush qëlloi mbi prokurorin

Nga Mero Baze

Prokurori Arjan Ndoja duket se ka qenë shenjëstra e një sulmi me armë, ndërkohë që ka qenë i shoqëruar në makinën e tij nga njerëz me precedentë penalë. Për fat të mirë ende nuk ka viktima në rrezik për jetën, por ka një debat kanibalesk rreth atentatit për shkak të politikës. Prokurori në fjalë ka qenë lakuar në një fjalim të kryeministrit Edi Rama pa ia përmendur emrin, si njeriu i lidhur me njerëz të inkriminuar në qytetin e Durrësit, pas një vendimi të prokurorit, që Rama dhe më pas Braçe, e konsideruan abuziv ndaj një zyrtari lokal të hipotekave në Durrës.

Kaq ka mjaftuar që askush të mos flas më për krimin dhe autorët e tij, por të fyejnë dhe mbrojnë pa shkak viktimën. Së pari duhet thënë se sot nuk është rasti  që sulmi i kryeministrit ndaj lidhjes së prokurorirt me njerëz të inkriminuar të konsiderohet gabim, pasi sot është provuar ajo që ai ka thënë.  Personat që u gjendën me të në makinë dhe që për fat janë gjallë, janë pikërisht ashtu siç i ka përshkruar kryeministri.

Gabim ndoshta ishte atë ditë që e tha, pasi nuk e shoqëroi me prova, por me shantazhe për fakte që i dinte. Sot provat janë me Ramën, por ato prova janë arsye për të rrezikuar karrierën e Prokurorit, por jo jetën e tij. Debati real sot është kush ka qëlluar mbi prokurorin. Në këtë pikë kushdo që di diçka mund ta thotë dhe të ndihmojë drejtësinë. Por deri tani ka së paku dy qëndrime zyrtare të opozitës, që po përpiqen të fshehin vrasësit. Është qëndrimi zyrtar i Sali Berishës dhe LSI, të cilët mezi kanë pritur të ripublikojnë fjalimin e Edi Ramës në Kuvend dhe ta konsiderojnë atë vrasës.

Kjo nuk është se i prish ndonjë punë Edi Ramës, por tregon se sa shumë është i interesuar Sali Berisha dhe opozita që të mos gjenden vrasësit e vërtetë. Vrasja ka një pistë reale dhe vrasës realë që duhen gjetur dhe çuar para drejtësisë dhe për këtë duket se ka një mobilizim të prokurorisë së krimeve të rënda dhe policisë. Por me sa duket opozita jonë qenka e vetmja që nuk i intereson vrasësi i vërtetë, ose ata që qëlluan mbi prokurorinë.

Ata po janë gati të sulmojnë çdo kënd që gjen vrasësin apo heton atë, pasi i duhet vrasës Edi Rama. Kjo natyrisht nuk duhet ta ndalë prokurorinë dhe policinë të gjejë vrasësin e vërtetë, por dëshira e Berishës që vrasësit të mos gjenden, të shurdhon veshët  në gulçimat e tij. Ka një jetë të tërë që e bën këtë gjë. Nuk i duhen kurrë vrasësit e vërtetë.

I duhet të jetë “vrasës” kundërshtari. Kështu i duhej Fatos Nano ndërkohë që u vra Azem Hajdari para syve tw tij. Pastaj u bë vëlla me të dhe kurrë nuk ia zuri në gojë. Kështu i duhej “vrasës” Edi Rama më 21 Janar, derisa u provua që i vrau vetë katër qyetarët dhe më pas filloi të mburrej për këtë. Kështu i duhet “vrasës” edhe sot Edi Rama. Dhe se ç’kam një frikë që e ka të vetin vrasësin e vërtetë.

Foto/ Policia “blindon” Spitalin e Durrësit

Prokurori Arjan Ndoja ndodhet në Spitalin e Durrësit ku iu nënshtruar një operacioni, pasi mori dy plumba nga atentati që iu bë të premten pasdite. Gjithashtu, në Spitalin e Durrësit ndodhet dhe shtetasi Aleksandër Laho, që gjithashtu mbeti i plagosur në atentatin e të premtes.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka shtuar masat e sigurisë në këtë spital por dhe në spitalin Ushtarak, ku ndodhet i shtruar shoferi i prokurorit Ndoja, shtetasi Andi Maloku. Të gjithë qytetarët që kanë shkuar në spital janë kontrolluar rreptësisht nga forcat e policisë.

Mbrëmjen e të premtes, Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, Kryeprokurorja e Krimeve të Rënda Elisabeta Imeraj dhe drejtues të prokurorisë së Krimeve të Rënda shkuan në urgjencën e Spitalit të Durrësit ku ndodhen dynga të plagosurit e atentatit të së premtes.

Atentati, prokurori Ndoja shoqërohej nga i “forti” Shijakut?

Mbrëmjen e të premtes prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, iu bë atentat në afërsi të mbikalimit të Shkozetit në Durrës, gjatë kohës që ishte duke udhëtuar me tre persona të tjerë në makinë. Dyshimet e para janë se prokurori Ndoja ndodhej në makinë me dy shtetas, një prej të cilëve me precedentë të mëparshëm kriminal. Praprakisht dyshohet se një prej tyre është shtetasi Aleksandwr Laho apo i njohur si Landi Muharremi nga Shijaku, i njohur si i forti i “Shijakut”, raporton News 24.

Po kush është Landi Muharremi?

Ai është një emër i njohur për Policinë e Shtetit, pasi disa vite më parë u përfshi në ngjarjen e rëndë të rrahjes barbare të biznesmenit Libanez, Fadi Mitri. Muharremi ishte një nga tre personat që dhunuan barbarisht biznesmenin Fadi Mitri, duke e detyruar që të largohet përfundimisht nga Shqipëria, si dhe duke u tërhequr nga një investim i një kompleksi turistik në bregdetin shqiptar.

Ndërkohë, prokurori Arjan Ndoja, që ishte duke udhëtuar me Landi Muharremin, u akuzua publikisht pak kohë më parë nga Kryeministri Edi Rama, se bashkëpunonte me bandat kriminale. Arjan Ndoja ishte prokurori që po hetonte dosjet e pronave në Durrës, teksa kërkoi arrestimin e Liridon Pulës, drejtorit të Kadastrës në Durrës. Gjithësesi pritet të konfirmohet zyrtarisht nëse personi Aleksandër Laho është i njëjti person me Landi Muharremin.

Landi Muharremi, i dyshuar si i plagosur mbremjen e te premtes me prokurorin Arjan Ndoja.
Skip to toolbar