Ata që duan të mos gjendet kush qëlloi mbi prokurorin

AKTUALITET


Nga Mero Baze

Prokurori Arjan Ndoja duket se ka qenë shenjëstra e një sulmi me armë, ndërkohë që ka qenë i shoqëruar në makinën e tij nga njerëz me precedentë penalë. Për fat të mirë ende nuk ka viktima në rrezik për jetën, por ka një debat kanibalesk rreth atentatit për shkak të politikës. Prokurori në fjalë ka qenë lakuar në një fjalim të kryeministrit Edi Rama pa ia përmendur emrin, si njeriu i lidhur me njerëz të inkriminuar në qytetin e Durrësit, pas një vendimi të prokurorit, që Rama dhe më pas Braçe, e konsideruan abuziv ndaj një zyrtari lokal të hipotekave në Durrës.


Kaq ka mjaftuar që askush të mos flas më për krimin dhe autorët e tij, por të fyejnë dhe mbrojnë pa shkak viktimën. Së pari duhet thënë se sot nuk është rasti  që sulmi i kryeministrit ndaj lidhjes së prokurorirt me njerëz të inkriminuar të konsiderohet gabim, pasi sot është provuar ajo që ai ka thënë.  Personat që u gjendën me të në makinë dhe që për fat janë gjallë, janë pikërisht ashtu siç i ka përshkruar kryeministri.

Gabim ndoshta ishte atë ditë që e tha, pasi nuk e shoqëroi me prova, por me shantazhe për fakte që i dinte. Sot provat janë me Ramën, por ato prova janë arsye për të rrezikuar karrierën e Prokurorit, por jo jetën e tij. Debati real sot është kush ka qëlluar mbi prokurorin. Në këtë pikë kushdo që di diçka mund ta thotë dhe të ndihmojë drejtësinë. Por deri tani ka së paku dy qëndrime zyrtare të opozitës, që po përpiqen të fshehin vrasësit. Është qëndrimi zyrtar i Sali Berishës dhe LSI, të cilët mezi kanë pritur të ripublikojnë fjalimin e Edi Ramës në Kuvend dhe ta konsiderojnë atë vrasës.

Kjo nuk është se i prish ndonjë punë Edi Ramës, por tregon se sa shumë është i interesuar Sali Berisha dhe opozita që të mos gjenden vrasësit e vërtetë. Vrasja ka një pistë reale dhe vrasës realë që duhen gjetur dhe çuar para drejtësisë dhe për këtë duket se ka një mobilizim të prokurorisë së krimeve të rënda dhe policisë. Por me sa duket opozita jonë qenka e vetmja që nuk i intereson vrasësi i vërtetë, ose ata që qëlluan mbi prokurorinë.

Ata po janë gati të sulmojnë çdo kënd që gjen vrasësin apo heton atë, pasi i duhet vrasës Edi Rama. Kjo natyrisht nuk duhet ta ndalë prokurorinë dhe policinë të gjejë vrasësin e vërtetë, por dëshira e Berishës që vrasësit të mos gjenden, të shurdhon veshët  në gulçimat e tij. Ka një jetë të tërë që e bën këtë gjë. Nuk i duhen kurrë vrasësit e vërtetë.

I duhet të jetë “vrasës” kundërshtari. Kështu i duhej Fatos Nano ndërkohë që u vra Azem Hajdari para syve tw tij. Pastaj u bë vëlla me të dhe kurrë nuk ia zuri në gojë. Kështu i duhej “vrasës” Edi Rama më 21 Janar, derisa u provua që i vrau vetë katër qyetarët dhe më pas filloi të mburrej për këtë. Kështu i duhet “vrasës” edhe sot Edi Rama. Dhe se ç’kam një frikë që e ka të vetin vrasësin e vërtetë.




Skip to toolbar