Në kërkim ndërkombëtar prej dy vitesh, arrestohet 25-vjeçari në Durrës

Policia e Durrësit ka bërë të mundur kapjen e një personi të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane. Shqiptari me iniciale R. T., 25 vjeç, akuzohet për vjedhje me dhunë në shtetin fqinj dhe është dënuar në mungesë nga gjykata e Firences me 6 vjet e 10 muaj e 22 ditë burg.

25-vjeçari është arrestuar në qytetin e Durrësit, ku dhe jetonte, dhe pritet që të bëhet ekstradimi i tij në drejtim të Italisë. I riu është dënuar që 2017 nga drejtësia italiane dhe prej dy vitesh ndodhej në arrati. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë  Durrës për veprime të mëtejshme.

Akuzat për grushtshteti në 2016, Turqia arreston 176 ushtarakë

Turqia vijon me arrestimet e ushtarakëve edhe 3 vjet pas grushtit të shtetit për të rrëzuar nga pushteti presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Prokuroria e Ankarasë ka lëshuar 176 urdhër arreste për ushtarakët që mendohet se janë të lidhur me grushtshtetin e 2016. Arrestimet janë kryer në ushtrinë turke, forcën ajrore dhe atë detare, ndërsa mes të arrestuarve janë edhe një kolonel, dy nënkolonelë, pesë majorë dhe shtatë kapitenë.

Erdogan akuzoi Gulen për puçin e organizuar më 15 korrik të 2016, por Gulen e mohon përfshirjen. Gjatë 3 viteve autoritetet turke kanë arrestuar mbi 77,000 persona,  arrestime që janë kritikuar ashpër nga aleatët perëndimor të Turqisë. Perëndimi ka kritikuar arrestimet masive, duke thënë se Erdogan, e ka përdorur puçin e dështuar si pretekst për të heshtur kundërshtarët.

Shkatërrohet banda drogës dhe prostitucionit, arrestohen 8 shqiptarë

8 shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë italiane në Milano, pasi akuzohen për trafikim droge dhe shfrytëzim të prostitucionit.

Arrestimet u kryen pas një hetimi 2 vjeçar të grupit që kishte nisur që në 2017. Kjo shoqatë kriminale trafikonte sasi të mëdha droge, ku transportoheshin 15 deri 20 kg kokainë për çdo rrugë që kryenin, ndërsa shfrytëzonin 6-7 vajza si prostituta duke përfituar 3000 deri 4000 euro në natë.

Grupi kriminal e shpërndante drogën thuajse mbarë Lombardinë, ndërsa për prostitucion shfrytëzonte sheshet e Monzës në Milano.

Policia ka sekuestruar pasuri të paligjshme si një apartament, dy llogari rrjedhëse dhe dy makina në pronësi të të dyshuarve. Shqiptarët, me origjinë nga Lezha, Kishin një bashkëpunim të vazhdueshëm të veprimeve kriminale, ndërsa lidhjet e tyre ishin kryesisht familjare.

Gjirokastër, kultivoi fidan kanabis, arrestohet një 59-vjeçar

Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një person të shpallur në kërkim për trafikim të lëndëve narkotike. Në pranga ka rënë shtetas me iniciale I.M, 59 vjeç, i cili ka kultivuar lëndë narkotike kanabis sativa .

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Picar, ku 59-vjeçari në bashkëpunim me shtetasin R.R.,  i cili ishte arrestuar në flagrancë më herët, kanë kultivuar disa fidanë kanabis. Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

4 kandidatët e SPAK nisin të hënën intervistat nën monitorim ndërkombëtar

Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 8 Korrik në orën 9:00 do të nisë intervistat me kandidatët për Strukturën e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK). Në intervistë do të merren 4 kandidatët e parë në listë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë njofton se intervistat do të zgjasin minimalisht një orë për secilin kandidat dhe do të regjistrohen me audio dhe video, të cilat do të monitorohen edhe nga ndërkombëtarët.

Katër kandidatët e parë në listë do të intervistohen nga data 8 deri në 12 korrik. Këshilli i ka renditur kandidatët sipas alfabetit. 4 të parët që do të qëndrojnë përballë këshillit janë Altin Dumani, drejtuesi i komanduar i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, Anita Jella drejtuese e Prokurorisë se Durrësit, Anton Martini prokuror në Prokurorinë për Krime të Rënda dhe Arben Kraja, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Këshilli ka vendosur në fund të mbledhjes që intervistat e kandidatëve të SPAK do të publikohen në faqen zyrtare te KLP-së, por vetëm pjesa e prezantimit, shprehjes se interesit dhe motivacionit për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion.

Ngritja e SPAK merr një rëndësi të veçantë, pasi kjo strukturë e posaçme hetimore do të merret posaçërisht me hetimin e zyrtarëve të lartë, ku përfshihen dhe politikanët e niveleve më të larta.

SPAK do të ketë 15 anëtarë dhe sipas reformës në drejtësi SPAK nënkupton krijimin e një gjykate dhe prokurorie të dedikuar vetëm për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e korrupsionit, krimit të organizuar si dhe të gjitha veprave penale nga zyrtarë të kaluar dhe aktualë të nivelit të lartë. Qëllimi i Prokurorisë së Posaçme, është pasja e një prokurorie të përgjegjshme dhe të specializuar, për të hetuar dhe ndjekur penalisht, çështjet e vështira të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe krimet e kryera nga zyrtarë të rëndësishëm, në mënyrë të pavarur dhe pa asnjë ndikim të papërshtatshëm. Në ligj, shpjegohet se si prokuroria duhet të jetë e pavarur mjaftueshëm sa të jetë në gjendje të përqendrohet tek çështjet e korrupsionit, krimit të organizuar si dhe në krimet nga persona të cilët mund të kenë pushtetin apo ndikimin për të ndalur një hetim. Me ngritjen e SPAK, do të ngrihet Prokuroria e Posaçme dhe Byroja e Hetimit. Kjo e fundit, është një seksion i specializuar i policisë gjyqësore, nën varësinë e Prokurorisë së Posaçme. Në mënyrë që të ruhet një marrëdhënie operacionale dhe informuese, me shërbime të tjera policore, sidomos për operacione që kërkojnë shumë punë, si kontrolle të befasishme, vëzhgime apo arrestime, ka edhe shërbime të policisë gjyqësore. Këto shërbime të policisë gjyqësore, varen edhe nga Prokuroria e Posaçme. BKH dhe shërbimet e saj të policisë gjyqësore hetojnë veprat penale që janë në juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.

Për t’u bërë pjesë e SPAK kanë aplikuar 27 kandidatë për 15 vende në këtë prokurori. Përveç nënshtrimit ndaj procesit të rivlerësimit, anëtarët e Prokurorisë speciale do të duhet të plotësojnë dhe një sërë kriteresh të tjera të rrepta, përfshirë detyrimin që të gjitha komunikimet telefonike dhe elektronike, apo dhe llogaritë bankare të tyre dhe familjarëve të ngushtë, të mund të jenë nën kontroll të vazhdueshëm.

Groposën drogë dhe para në oborrin e shtëpisë, arrestohet çifti shqiptarëve

Një çift shqiptarësh janë duke u proceduar penalisht në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike. Policia italiane ka arrestuar shqiptarin T. K., 29 vjeç, ndërsa ka vendosur të ndjek në gjendje të lirë bashkëshorten e tij 28-vjeçaren A. E., për shkak se është shtatzënë.

Çifti është ndaluar në Padova, ku u kap me një sasi droge në makinën e tyre tip “Fiat”. Gjatë kontrollit të ushtruar në makinën dhe shtëpinë e tyre, policia ka gjetur 2.5 kg heroinë  dhe 6200 euro, të groposura në oborrin e shtëpisë së çiftit. Këto janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Arrestohet një 59-vjeçar në Vlorë, akuzohet për trafik droge në Itali

Policia e Vlorës ka arrestuar një 59-vjeçar, i cili ishte në kërkim nga autoritetet italiane për trafik droge. Ndaj shtetasit Ramadan Budani, banues në fshatin Fitore, është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar që në 2009 nga Gjykata e Palermos, pasi akuzohet i përfshirë në organizatë kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.

Arrestimi i 59-vjeçari u bë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët. Ndalimi i tij ndodhi në fshatin Novoselë, ndërsa pritet që të ekstradohet drejt Italisë.

Shkodër, kapen 205 kg drogë në një fugon, 5 të arrestuar

Policia e Shkodrës ka arrestuar 5 persona në kuadër të operacionit të koduar “Prekalori” ku dhe ka sekuestruar 205 kg lëndë narkotike. Droga e llojit marijuanë ishte duke u transportuar me një fugon me targë AA855. Të arrestuar janë shtetasit:

-Z. K., 53 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i dënuar më parë në Mal të Zi për trafik narkotikësh. (kryetar i grupit të strukturuar kriminal);

-Gentian Meçaj, 31 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i dënuar më parë për veprën penale “Dhënia e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”. (bashkëpunëtori kryesor i kryetarit të grupit)

-K. M., 28 vjeç, banues në Malësi të Madhe (anëtar);

-E. H., 29 vjeç, banues në Malësi e Madhe (anëtar);

-Xh. D., 21 vjeç, banues në Malësi të Madhe (anëtar).

Arrestimi i shtetasve të mësipërm është kryer pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin po kryenin shkëmbimin e lëndës narkotike, me qëllim përfitimin.

Sasia e lëndës narkotike është gjetur në një fugon, në të cilin ndodheshin të arrestuarit Z. K. dhe G. M. Këto dy persona do të shkëmbenin drogën me 3 bashkëpunëtorët e tjerë të arrestuar. Ky grup kriminal kryesisht funksiononte në trafikimin e drogën nga qyteti i Koplikut në drejtim të Malit të Zi.

Nga operacioni policia sekuestroi automjeti tip fugon; 4 automjete të markave të ndryshme dhe 5 telefona celularë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës Shkodër në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike.”

Itali, vidhnin çfarë u dilte para, arrestohen 5 shqiptarët

5 shtetas shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë pasi akuzohen për vjedhje të ndryshme në zonën e Triggianos në Itali. Shqiptarët e arrestuar akuzohen për një numër të madh vjedhjesh, që përfshin nga banesa e makina deri tek karburantet, bankomatet, lokalet etj. Policia italiane prej kohësh ishte vënë në ndjekje të tyre, të cilët gjithmonë arrinin t’i shmangeshin dhe largoheshin.

Policia ka arrestuar shqiptarët me iniciale N.X 41-vjeç, N.M 39-vjeç, N.V 27-vjeç, M.K 23-vjeç dhe P.E 53 vjeç,  ndërsa është duke ndjekur në gjendje të lirë tre italianë, të cilët dyshohet se janë përkrahës të grupit kriminal. Këto persona vepronin të gjithë si një grup i strukturuar dhe se ishin kthyer në tmerrin e qytetit, për shkak të vjedhjeve të shumta.

Arrestohet vrasësi i Gentian Beqirit

Në kuadër të operacionit policor “KRASTA” policia ka bërë të mundur arrestimin e një tjetër personi, i cili ishte shpallur në kërkim. Në bashkëpunim me policinë italiane dhe atë shqiptare, është bërë i mundur arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim Etjen Cani, 28 vjeç, banues  në Elbasan. Ky akuzohet si autor i vrasjes së babë e bir në 2012, e kryer në bashkëpunim me persona të tjerë, që janë arrestuar më herët nga policia.

28-vjeçari i arrestuar akuzohet si bashkëpunëtor i vrasjes së shtetasit Gentjan Beqiri dhe të babait të tij Nezir Beqiri, ngjarje e ndodhur më datë 15.08.2012 në lagjen “Çlirimi” Elbasan. Ndalimi i tij është bërë në Itali, ku fshihej prej disa kohësh.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Elbasan ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake”.

Në kuadër të operacionit “Krasta”, e zhvilluar më 14 qershor u arrestuan dhe u ndaluan 10 persona, si dhe u shpallen në kërkim 5 shtetas të tjerë, ndër ta edhe 28 vjeçari. Në qendër të hetimeve të operacionit “Krasta” ka qenë fisi Çapja në Elbasan, i njohur për hasmërinë që ka pasur me fisin Mema, që në dekadën e fundit kanë shënuar shumë viktima nga të dy palët, ndërsa shumë ngjarje janë ende pa autorë.

Si ndodhi ngjarja: Në 15 gusht të vitit 2012, 40-vjeçari Gentjan Beqiri është ekzekutuar në banesën e tij bashkë me të atin , i cili ishte i pranishëm në atë moment. Dyshohet se vrasjet janë kryer për motive hakmarrjeje, pasi në 2005-n Gentjan Beqiri është akuzuar nga organet e drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Prej disa kohësh, 40-vjeçari Gentjan Beqiri ishte në “Arrest shtëpie” për këtë vrasje.  Etien Cani dhe viktima, Gentian Beqiri ishin shokë të ngushtë me njëri-tjetrin.  Gentian Beqiri u qëllua me tre plumba në kokë, teksa flinte në dhomën e gjumit në apartamentin e tij. Ndërsa babai i tij u rrah barbarisht me sende të forta duke humbur jetën.

Skip to toolbar