4 kandidatët e SPAK nisin të hënën intervistat nën monitorim ndërkombëtar

AKTUALITET


Këshilli i Lartë i Prokurorisë më 8 Korrik në orën 9:00 do të nisë intervistat me kandidatët për Strukturën e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK). Në intervistë do të merren 4 kandidatët e parë në listë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë njofton se intervistat do të zgjasin minimalisht një orë për secilin kandidat dhe do të regjistrohen me audio dhe video, të cilat do të monitorohen edhe nga ndërkombëtarët.

Katër kandidatët e parë në listë do të intervistohen nga data 8 deri në 12 korrik. Këshilli i ka renditur kandidatët sipas alfabetit. 4 të parët që do të qëndrojnë përballë këshillit janë Altin Dumani, drejtuesi i komanduar i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, Anita Jella drejtuese e Prokurorisë se Durrësit, Anton Martini prokuror në Prokurorinë për Krime të Rënda dhe Arben Kraja, Prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.


Këshilli ka vendosur në fund të mbledhjes që intervistat e kandidatëve të SPAK do të publikohen në faqen zyrtare te KLP-së, por vetëm pjesa e prezantimit, shprehjes se interesit dhe motivacionit për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion.

Ngritja e SPAK merr një rëndësi të veçantë, pasi kjo strukturë e posaçme hetimore do të merret posaçërisht me hetimin e zyrtarëve të lartë, ku përfshihen dhe politikanët e niveleve më të larta.

SPAK do të ketë 15 anëtarë dhe sipas reformës në drejtësi SPAK nënkupton krijimin e një gjykate dhe prokurorie të dedikuar vetëm për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e korrupsionit, krimit të organizuar si dhe të gjitha veprave penale nga zyrtarë të kaluar dhe aktualë të nivelit të lartë. Qëllimi i Prokurorisë së Posaçme, është pasja e një prokurorie të përgjegjshme dhe të specializuar, për të hetuar dhe ndjekur penalisht, çështjet e vështira të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe krimet e kryera nga zyrtarë të rëndësishëm, në mënyrë të pavarur dhe pa asnjë ndikim të papërshtatshëm. Në ligj, shpjegohet se si prokuroria duhet të jetë e pavarur mjaftueshëm sa të jetë në gjendje të përqendrohet tek çështjet e korrupsionit, krimit të organizuar si dhe në krimet nga persona të cilët mund të kenë pushtetin apo ndikimin për të ndalur një hetim. Me ngritjen e SPAK, do të ngrihet Prokuroria e Posaçme dhe Byroja e Hetimit. Kjo e fundit, është një seksion i specializuar i policisë gjyqësore, nën varësinë e Prokurorisë së Posaçme. Në mënyrë që të ruhet një marrëdhënie operacionale dhe informuese, me shërbime të tjera policore, sidomos për operacione që kërkojnë shumë punë, si kontrolle të befasishme, vëzhgime apo arrestime, ka edhe shërbime të policisë gjyqësore. Këto shërbime të policisë gjyqësore, varen edhe nga Prokuroria e Posaçme. BKH dhe shërbimet e saj të policisë gjyqësore hetojnë veprat penale që janë në juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.

Për t’u bërë pjesë e SPAK kanë aplikuar 27 kandidatë për 15 vende në këtë prokurori. Përveç nënshtrimit ndaj procesit të rivlerësimit, anëtarët e Prokurorisë speciale do të duhet të plotësojnë dhe një sërë kriteresh të tjera të rrepta, përfshirë detyrimin që të gjitha komunikimet telefonike dhe elektronike, apo dhe llogaritë bankare të tyre dhe familjarëve të ngushtë, të mund të jenë nën kontroll të vazhdueshëm.




Skip to toolbar