“Më tha se do të më paguante 200 mijë lekë për të nxjerrë një çantë nga terminali duke më garantuar se nuk kishte asnjë rrezik. Prandaj pranova, nuk e dija që kishte drogë.” Ardian Bega, oficeri i sigurisë në Portin e Durrësit, i cili është një prej të arrestuarve në portin e Durrësit, në lidhje me kokainën që vinte nga Ekuadori, nuk ka pranuar të kishte dijeni në lidhje me trafikun e drogës, ndërsa tha se e mendoi si një punë të thjeshtë për të cilën ishte joshur nga çmimi. “Në ato momente mua m’u tha pështyma në gojë. Personalisht u tremba shumë dhe nuk kam folur asnjë fjalë.” kanë qenë fjalët e Begës gjatë dëshmisë, kur kuptoi se çantat ishin me drogë, raporton News 24.
Njohja e tij me Gentian Malindin, pronar i anijes “Anyway”, daton prej më shumë se një vit. Bega tha se nuk e dinte që brenda kishte kokainë, por e kuptoi atë pasi Malindi kishte marrë 22 pakot me “oriz” që i mendonte se ishte drogë.
“Gentian Malindi do më paguante 200 mijë lekë për ndihmën që do t’i jepja në Port. Ai më kërkoi ta ndihmoja për të nxjerrë një çantë nga terminali dhe më garantoi se nuk ishte asgjë me rrezik. Më joshi shpërblimi….por nuk kisha dijeni se bëhej fjalë për kokainë. Kur u ulëm për kafe, shoku i Gentit doli nga makina nga krahu që dola dhe unë. Ai kishte veshur një jelek fosforeshent dhe u drejtua drejt kontenierëve brenda sheshit.” deklaroi Bega, i cili tha se e gjithë procedura zgjati jo më shumë se 15 minuta dhe se më pas u nisën drejt shkëmbit të Kavajës, të cilit e kishin marrë çantën.
“Sapo dolëm nga Porti, Gentiani i tha shokut të tij: “shtype, shtype pak”, “jepi ka si boshllëk”. Ai i përgjigjet: “po ashtu më duket”. Genti i tha nxire ta shikoj me çfarë është mbështjellë. Ai nxori nga çanta një kallëp dhe ia tregoi. Genti i kërkoi të nxirrte edhe një tjetër. Në momentin që ai po e nxirrte, Genti e pyeti: Sa ishin, 22? Dhe shoku iu përgjigj: Po. Në ato momente mua m’u tha pështyma në gojë. Kam arritur t’iu them vetëm dy fjalë: çfarë është kjo?”. Gentiani më tha: Pusho me nerva dhe vazhdoi bisedën më shokun e tij. Kur Genti mori pakon në dorë i tha shokut të tij: Nuk është kjo mbështjellja, qenka lojë. Dhe tha: Mos flisni se ka çip. Kuptova se ishte i acaruar dhe po ecte tmerrësisht shpejt. Kur ndodheshim afër Plepave, Gentiani i tha shokut të tij: Çaje njëherë të shohim, ai me zor e çau dhe i tha Gentianit: “Është oriz”. I nevrikosur Gentiani i tha: “Çaj edhe një tjetër”. Pasi ai e çau edhe pakon e dytë, ai përsëri i tha se ishte oriz. Në këtë moment Gentiani i tha hidhe çantën. Personalisht u tremba shumë dhe nuk kam folur asnjë fjalë”. ka deklaruar Bega për prokurorët
Operacioni në portin
e Durrësit, për të kapur të përfshirët në trafikun e drogës nisi me një bashkëpunim
të policisë greke dhe asaj shqiptare. Droga që vinte nga Ekuadori u kap në
portin e Pireut dhe do të nisej drejt Shqipërisë në portin e Durrësit. Për të zbuluar të përfshirët në trafikun
e drogës, policia greke lejoi që operacioni të zhvillohej, pro bëri zëvendësimin
e kokainës me oriz.
Pas zbarkimit të
kontenierëve në portin e Durrësit, policia shqiptare ka bërë monitorimin e tyre
në distancë , ku të parët që u panë ishte pikërisht Ardian Bega dhe Altin
Mislihaka, punëtor në anije e Malindit, të cilët janë arrestuar. Ndërsa është
ende në kërkim edhe Gentian Malindi. 137 kilogramë kokainë ishte fshehur në motorët
e frigoriferëve, në 4 kontenierë dhe ishte nisur nga Ekuadori me destinacion
Shqipërinë.