Tentoi të kalonte 41 mijë euro drejt Greqisë, kapet në kufi 38-vjeçari

41 mijë euro janë sekuestruar nga policia kufitare e Kakavijës, ndërsa është ndaluar poseduesi i tyre. Gjatë kontrollit në vijën e dytë të automjetit që drejtohej nga shtetasi me iniciale E.B., 38 vjeç, u gjet shuma prej 41 000 euro e padeklaruar te shërbimet doganore. Sipas ligjit kur shuma që ke me vete është nga 10 mijë euro e lart, është e detyrueshme të bësh një deklaratë e ta depozitosh pranë zyrave të doganës.

Pas sekuestrimit të parave të padeklaruara, policia ka nisur procedim penal për 38-vjeçarin që posedonte këtë sasi parash, ndërsa u njoftuan specialistët për hetimin e krimit ekonomik për veprimet e mëtejshme.

Materialet do t’i përcillen Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Gruaja fsheh kokainën në reçipeta, burri përfundon në burg

Një çift shqiptarësh u arrestuan pasi u kapën me drogë, që e kishin ndarë në disa doza dhe më pas fshehur në reçipetat e gruas.

Shqiptari, 34-vjeç, përfundoi në burg, ndërsa bashkëshortja e tij, 28 vjeçe, u la në arrest shtëpie pasi ishte në muajin e fundit të shtatzënisë.

Ndalimi i tyre u bë në zonën e Macerata në Itali, ku gjatë kontrollit gruas iu gjetën të fshehura 40 gramë kokainë të ndarë në doza, që i kishte vendosur në reçipetat e saj, me shpresën se nuk do të gjendeshin lehtësisht.

Gjithashtu gjatë kontrollit të banesës së tyre iu gjetën edhe materiale për paketimin dhe tregtimin e drogës si dhe u sekuestruan 4 mijë euro.

“Nga shërbim prove përfundon në qeli”, pranga për dhunuesin e policit

Një 43-vjeçar përfundoi në pranga pasi dhunoi policin, i cili tentoi të shuante një sherr mes tij dhe një personi tjetër. Gazment Nezëraj, 43 vjeç, ishte i dënuar më parë për heqje të paligjshme të lirisë dhe ndërtim pa leje dhe aktualisht ishte në shërbim prove. Masa e sigurisë “shërbim prove” nuk e ka penguar atë të dhunojë policinë dhe të ketë sërish probleme me drejtësinë, por këtë herë duke u rikthyer në burg.

43-vjeçari u përfshi në një sherr me persona të tjerë dhe polici H. Mucogllava, 56 vjeç, shkoi për të sqaruar konfliktin, por u ndesh me shkelmat dhe grushtet e Nezërajt.

Arrestimi i tij u bë në lagjen Uznovë te Beratit dhe pritet të përballet me veprën penale ”Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtim ndaj punonjësve të policisë”.

Theu xhamat e komshiut, arrestohet i riu

Një 36-vjeçar u arrestua pasi kanosi efektivët e policisë me sëpatë si dhe u kap me lëndë narkotike. 36-vjeçari u konfliktua me komshiun e tij 66 vjeç, ku dhe i ka thyer xhamat e banesës. Policia shkoi për të shuar konfliktin, por është përballur me rezistencën e 36-vjeçarit. Me anë të një sëpate ai ka kërcënuar policinë për të mos e lënë të kontrollonte banesën e tij, ku kishte fshehur drogën. Policia ka arrestuar të riun, ndërsa gjatë kontrollit zbuloi në banesë një sasi prej 22 kg kanabis dhe 69 fishekë.

36-vjeçari me iniciale B.A., është dënuar dhe më parë për dhunë në familje. Ai u arrestua në kushtet e flagrancës dhe do përballet me veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, kryer në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe i municionit”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Shkatërrimi i pronës”.

Premtoi t’i bënte modele, i shfrytëzoi për prostitucion. Arrestohet polici

Të paktën 4 vajza minorene të moshës 15-vjeçare, janë shfrytëzuar për prostitucion nga një polic italian. Karabinieri Stefano Grimaldi u dënua nga gjykata italiane me 7 vjet burg, për shfrytëzimin e 4 vajzave minorene për prostitucion dhe pornografisë me fëmijë. Prokuroria kërkoi ndaj tij 9 vite burg, por përfitoi ulje me gjykimin e shkurtuar.

Grimaldi u premtoi vajzave se do t’i bënte modele, por fillimisht duhet të bënin video të nxehta dhe të plotësonin kërkesat e tij. Makthi i 15-vjeçareve fillon në verën e 2016, ku nisu me foto dhe video të nxehta dhe më pas shfrytëzimi për prostitucion.

Pavarësisht kërcënimeve, një nga vajzat gjeti guximin ta denonconte, duke sjellë dhe arrestimin e tij.

Në kërkim për vjedhje dhe plagosje në Itali, arrestohet në Kurbin

Një 43-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Kurbin me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.

Fredi Gjonaj, 43 vjeç, është dënuar në Itali me 11 vite e 3 muaj burg në Prill 2005 në mungesë dhe për këtë është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.

43-vjeçari akuzohet për “Organizatë kriminale”, “Vjedhje me armë” dhe “Plagosje” në Itali, ku pritet të ekstradohet për kryerjen e dënimit.

U nis për punë në ndërtim, shqiptari përfundon kopshtar i kanabisit

Emigroi për të punuar në fushën e ndërtimit, por përfundon duke mbjell kanabis në fabrikë dhe banesë. Ngjarja ndodhi në Londër, ku policia gjatë një kontrolli zbuloi rrënjët e mbjella të kanabisit në banesën ku jetonte shqiptari Ibrahim Berdellima.

Policia britanike sekuestroi 382 rrënjë kanabis të ndara në 5 dhoma të ndryshme. Shqiptari ishte emigrant i paligjshëm në vend dhe kishte nisur punë në ndërtim kur mbërri para 4 vitesh në vend.  Nevoja për para bëri që ai të pranonte punën në një fabrikë kanabis ku iu premtua një rrogë 1000 paund në muaj, por nuk mori kurrë më shumë se 200 paund sa për të ngrënë bukë.

Punën ia siguruan disa persona që, Berdellima nuk i njihte me emër dhe shfaqeshin një herën muaj në fabrikën e kanabisit. Gjykata dënoi shqiptarin me 22 muaj burg, ndërsa gjatë seancës ai nuk foli po pranoi fajin e tij.

Sipas avokates mbrojtëse, Berdellima pranoi këtë punë pasi i nevojiteshin për familjen që duhet të mbante në Shqipëri.

Oficeri i sigurisë “zbërthen” grupin e kokainës: Më joshën me 200 mijë lekë

Më tha se do të më paguante 200 mijë lekë për të nxjerrë një çantë nga terminali duke më garantuar se nuk kishte asnjë rrezik. Prandaj pranova, nuk e dija që kishte drogë.” Ardian Bega, oficeri i sigurisë në Portin e Durrësit, i cili është një prej të arrestuarve në portin e Durrësit, në lidhje me kokainën që vinte nga Ekuadori, nuk ka pranuar të kishte dijeni në lidhje me trafikun e drogës, ndërsa tha se e mendoi si një punë të thjeshtë për të cilën ishte joshur nga çmimi. “Në ato momente mua m’u tha pështyma në gojë. Personalisht u tremba shumë dhe nuk kam folur asnjë fjalë.” kanë qenë fjalët e Begës gjatë dëshmisë, kur kuptoi se çantat ishin me drogë, raporton News 24.

Njohja e tij me Gentian Malindin, pronar i anijes “Anyway”, daton prej më shumë se një vit. Bega tha se nuk e dinte që brenda kishte kokainë, por e kuptoi atë pasi Malindi kishte marrë 22 pakot me “oriz” që i mendonte se ishte drogë.

Gentian Malindi do më paguante 200 mijë lekë për ndihmën që do t’i jepja në Port. Ai më kërkoi ta ndihmoja për të nxjerrë një çantë nga terminali dhe më garantoi se nuk ishte asgjë me rrezik. Më joshi shpërblimi….por nuk kisha dijeni se bëhej fjalë për kokainë. Kur u ulëm për kafe, shoku i Gentit doli nga makina nga krahu që dola dhe unë. Ai kishte veshur një jelek fosforeshent dhe u drejtua drejt kontenierëve brenda sheshit.” deklaroi Bega, i cili tha se e gjithë procedura zgjati jo më shumë se 15 minuta dhe se më pas u nisën drejt shkëmbit të Kavajës, të cilit e kishin marrë çantën.

Sapo dolëm nga Porti, Gentiani i tha shokut të tij: “shtype, shtype pak”, “jepi ka si boshllëk”. Ai i përgjigjet: “po ashtu më duket”. Genti i tha nxire ta shikoj me çfarë është mbështjellë. Ai nxori nga çanta një kallëp dhe ia tregoi. Genti i kërkoi të nxirrte edhe një tjetër. Në momentin që ai po e nxirrte, Genti e pyeti: Sa ishin, 22? Dhe shoku iu përgjigj: Po. Në ato momente mua m’u tha pështyma në gojë. Kam arritur t’iu them vetëm dy fjalë: çfarë është kjo?”. Gentiani më tha: Pusho me nerva dhe vazhdoi bisedën më shokun e tij. Kur Genti mori pakon në dorë i tha shokut të tij: Nuk është kjo mbështjellja, qenka lojë. Dhe tha: Mos flisni se ka çip. Kuptova se ishte i acaruar dhe po ecte tmerrësisht shpejt. Kur ndodheshim afër Plepave, Gentiani i tha shokut të tij: Çaje njëherë të shohim, ai me zor e çau dhe i tha Gentianit: “Është oriz”. I nevrikosur  Gentiani i tha: “Çaj edhe një tjetër”. Pasi ai e çau edhe pakon e dytë, ai përsëri i tha se ishte oriz. Në këtë moment Gentiani i tha hidhe çantën. Personalisht u tremba shumë dhe nuk kam folur asnjë fjalë”.  ka deklaruar Bega për prokurorët

Operacioni në portin e Durrësit, për të kapur të përfshirët në trafikun e drogës nisi me një bashkëpunim të policisë greke dhe asaj shqiptare. Droga që vinte nga Ekuadori u kap në portin e Pireut dhe do të nisej drejt Shqipërisë në portin e  Durrësit. Për të zbuluar të përfshirët në trafikun e drogës, policia greke lejoi që operacioni të zhvillohej, pro bëri zëvendësimin e kokainës me oriz.

Pas zbarkimit të kontenierëve në portin e Durrësit, policia shqiptare ka bërë monitorimin e tyre në distancë , ku të parët që u panë ishte pikërisht Ardian Bega dhe Altin Mislihaka, punëtor në anije e Malindit, të cilët janë arrestuar. Ndërsa është ende në kërkim edhe Gentian Malindi. 137 kilogramë kokainë ishte fshehur në motorët e frigoriferëve, në 4 kontenierë dhe ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë.

Pranga, kërkohej për grabitje me dhunë

Ilmi Demiraj,  42 vjeç,  është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi rezulton se ndaj tij kishte një urdhër ndërkombëtar për përfshirje në grabitje të dhunshme.

42-vjeçari është dënuar në mungesë nga një gjykatë në Itali me 8 vite burg për akuzën e vjedhjes me dhunë. Arrestimi i tij u bë në rrugën “Teodor Keko” me qëllim ekstradimin drejt Italisë.

Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën po vijojnë punën për plotësimin e proceduarave me qëllim ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Hyri në Shqipëri me pasaportë të falsifikuar franceze, arrestohet turku në Rinas

Një 19-vjeçar me iniciale nga Turqia është vënë në prangat e policisë në Rinas pasi dyshohet se ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Shqipërisë.

 Policia ka arrestuar një shtetas turk në Rinas, pasi po tentonte të largohej nga Shqipëria me pasaportë të falsifikuar franceze. Në pranga u vu 19-vjeçari nga Turqia, i cili kishte hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Shqipërisë.

Nga kontrolli i ushtruar 19-vjeçarit iu gjet një pasaportë franceze e falsifikuar duke bërë edhe arrestimin e tij. Shtetasi turk do të përballet me akuza për veprat penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”.

Skip to toolbar