Si dështoi opozita në dy testet e para për bllokimin e bashkive

Opozita ka dështuar në planin për të bllokuar kryebashkiakët e zgjedhur për të hyrë në zyrë në dy testet e para që ka pasur në Devoll dhe në Kavajë, ku vihet re se rezistenca e tyre nuk ka zgjatur më shumë se 8 orë, sa orari zyrtar i një turni pune, pavarësisht se instruksionet në dokumentet e partisë Demokratike deklarohet që “populli” do të përgjigjet për zgjedhjet e paligjshme të 30 qershorit. Madje, këto protesta kanë shfaqur qartë edhe “mbështetjen” e 85% të qytetarëve që përmend Basha në çdo takim që ka ndërmarrë nëpër bashki për të bindur të vetët, ku në fakt, gjatë betimit të kryetarëve të rinj të bashkive, konkretisht në Devoll dhe Kavajë, janë mbledhur vetëm disa militantë që pas disa orësh janë mërzitur dhe janë larguar, pa provokuar përplasje të mëtejshme me policinë.

Sipas një dokumenti të publikuar nga Realstory.al, demokratët ishin shprehur të vendosur ta çojnë deri në fund skenarin për të bllokuar bashkitë dhe për të mos lejuar marrjen e zyrave nga kryebashkiakët e rinj. Megjithatë, testi i parë i rezistencës së Partisë Demokratike por edhe “popullit” u bë me Bashkinë Devoll. Kryebashkiaku i larguar i zgjedhur nën siglën e PD, Bledian Nallbati nuk pranoi të lironte zyrën e tij duke argumentuar se nuk e njeh kryebashkiakun e ri, Eduard Duro, të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit. Kundërshtimi i tij zgjati vetëm tetë orë , kur Duro u fut në Bashki me hapjen e derës nga policia, e cila ishte mbyllur me çelës. Të nesërmen Bashkia e Devollit vijoi punën me kryebashkiakun e ri, ndërsa të nesërmen pati një protestë të vakët, që u shua gjatë orëve në vijim.

I njëjti skenar u tentua të ndiqet edhe me Bashkinë Kavajë, duke testuar rezistencën e PD për herë të dytë. Gjatë protestave pati përplasje të militantëve të PD me policinë që mbronte godinën e Bashkisë Kavajë si dhe me Prefekten e Tiranës, Suzana Jahollari, e cila ka qenë e pranishme në ceremoninë e betimit të kryebashkiakut të ri. Edhe në këtë rast protesta apo “rezistenca” zgjati sa orari zyrtar i punës dhe pas orën 16:00 kryebashkiaku i ri socialist Redjan Krali u fut në zyrën e tij. Të mërkurën në Kavajë askush nuk doli të protestonte para bashkisë. Qyteti i Kavajës ishte i qetë, ndërsa Krali tha për mediat vizive se e gjithë administrata vijon punët dhe që kishte organizuar mbledhjen e parë me drejtorët dhe shefat e sektorëve, duke u përcjellë qëndrimin se asnjë punonjës nuk do të largohet për bindje politike.

Të dyja rastet treguan se rezistenca e PD dhe e militantëve të saj ishte e dobët dhe pa mbështetje masive të opozitës, por tashmë mbeten bashkitë më problematike që kanë qenë gjatë zgjedhjeve për të parë nëse do ndiqet i njëjti skenar, apo situata mund të precipitojë. Testi i tretë mund të jetë Kamza, por nuk përjashtohen Shkodra dhe Kukësi, disa nga bashkitë historikisht të djathta, që tashmë kanë kaluar në administrimin e mazhorancës.

Paralajmërimet e krerëve të këtyre bashkive për të mos liruar zyrën të lënë të kuptosh se edhe në këto bashki situata e betimit të kryebashkiakëve të rinj nuk do të jetë aspak normale. Voltana Ademi ka qenë një ndër opozitarët që solli jo pak probleme gjatë fushatës elektorale, veprime që e çuan dhe për ndjekje penale. Megjithatë, certifikimi i 30 qershorit duket se i ka tërhequr disi edhe demokratët, edhe nga frika e ndjekjes penale. Neni 249 i Kodi Penal paralajmëron se kushdo që vijon të ushtrojë funksione shtetërorë apo të shërbimit publik, pasi janë lajmëruar se këtyre funksioneve u është dhënë fund mund të dënohen deri në një vit burg dhe ky ligj prek edhe kryebashkiakët e PD që refuzojnë të lirojnë zyrat. Deri më 10 gusht të gjithë kryebashkiakët e rinj pritet të betohen dhe të marrin zyrtarisht detyrën e tyre dhe sipas parashikimeve ky 10 ditësh do të jetë i nxehtë në ato bashki që drejtohen nga demokratët. / Realstory.al

Bashës i “dezertojnë” aleatët, Duka: Shkojmë në dialog me Ramën

Aleatët e Bashës janë duke “dezertuar” një e nga një në lidhje me qëndrimin e tyre për mbajtjen e zgjedhjeve më 13 tetor.  Pas deklaratës së Fatmir Mediut se opozita duhet të ulet në dialog me Ramën për mbajtjen e zgjedhjeve, të njëjtën mendim ndan edhe Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.

Duka thekson se ai e njeh dekretin e Metës për 13 tetorin, por duhet edhe të jemi realist pasi mbajtja e tyre është një mision i pamundur. Ai madje shtoi se edhe nëse do të zhvilloheshin teknikisht do të ishte një turp i madh për vendin krijimi i një dualiteti pushtetesh.

Njoh dekretin e Presidentit për 13 tetorin, por mbajtja e zgjedhjeve është një mision i pamundur. Afati i fundit i regjistrimit është 4 gushti, për këtë arsye është thuajse e pamundur.  Është vetëm retorikë boshe që të përdoret në këtë periudhë vakumi lajmesh për të thënë kush është dhe kush nuk është dakord me 13 Tetorin. Por, edhe nëse teknikisht do të zhvilloheshin dhe do të krijohej një dualitet pushtetesh, do të ishte turp i madh”, tha Duka për A2 CNN.


Duka shesh si zgjidhje të kësaj krizë politike vetëm dialogun me Ramën dhe krijimin një e qeverie tranzitore për të zhvilluar zgjedhje gjithëpërfshirëse. Ashtu si Meta, Duka mendon se ndërkombëtarët duhet të ndërhyjnë për zgjidhjen e kësaj situate dhe uljen e palëve në dialog.

Në negociata unë ulem edhe me Djallin, nuk e kam problem fare. E rëndësishme është që të kemi korrekt me atë që kemi komunikuar me publikun. Nuk mund të shkojmë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Ndaj, nëse ne arrijmë marrëveshje me mazhorancën, ku në tavolinë mund të jetë edhe Edi Rama si kryetar i PS-së, për të kaluar në fazën e krijimit të qeverisë tranzitore, natyrisht që ulemi. Thirrja e Presidentit për të ndërmjetësuar ndërkombëtarët, mua më duket pozitive”. – tha Duka

Në fakt Basha e sheh 13 tetorin si një mundësi të mirë për mbajtjen e zgjedhjeve, por nuk jep asnjë shenjë se mund të ulet në dialog me kryeministrin Rama. Nga ana tjetër Rama e bëri të qartë nga konferenca e të martës se nuk ka zgjedhje të parakohshme dhe zgjedhjet e ardhshme që do të zhvillohen në vend do të jenë ato të 2021.

Për sa i përket dialogut duket se Presidenti Meta është dorëzuar duke i kërkuar ndihmë ndërkombëtarëve me një letër drejtuar OSBE, pasi as Rama por as Basha nuk e shohin atë në rolin e negociatorit. Ndërsa vetë ndërkombëtarët e kanë bërë të qartë se ‘kriza duhet të zgjidhet brenda jush”.

Dako “non grata” në SHBA, Basha: Lajm i mirë (dhe i keq)

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas vendimit të Departamentit Amerikan të Shtetit për përfshirjen e Vangjush Dakos dhe familjarëve të tij në listën e zezë, duke mos lejuar hyrjen e tyre në SHBA. Basha nuk tregohet shumë entuziast në lidhje me këtë vendim pasi sipas tij, pavarësisht vendimit pozitiv të SHBA, Dako nuk ka dalë ende parë drejtësisë shqiptare duke e cilësuar një lajm të keq.

Është lajm i mirë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur non grata Vangjush Dakon për “përfshirje në raste të mëdha korrupsioni.” Është lajm i keq që Vangjush Dako nuk ka dalë akoma para drejtësisë për asnjë rast korrupsioni. Vangjush Dako nuk është vetëm një politikan i korruptuar. Ai është pjesë e krimit te organizuar, në bashkëpunim me të cilin vodhi zgjedhjet për llogari të pushtetit të Edi Ramës. Si shpërblim, Vangjush Dako i dorëzoi krimit të organizuar kontrollin ekonomik dhe politik të Bashkisë së Durrësit.” – tha Basha

Sipas Bashës rasti i Dakos është një arsye e mjaftueshëm që Rama të largohet në mënyrë që të shkëputen lidhjen e politikës me krimin.”Prandaj, largimi i Edi Ramës është zgjidhja për të shkëputur lidhjet e politikës me krimin, për të vënë qeverinë në interes të qytetarëve, jo të krimit dhe të oligarkëve me të cilët vjedh çdo ditë shqiptarët.” – shkruan Basha.

DASH reagoi publikisht ditën e martë duke thënë se Vangjush Dakos së bashku me familjen e tij i është ndaluar hyrja në SHBA për shkak të “përfshirjes në raste madhore korrupsioni.”

Basha projekton veten “Kryeministër”: PD do shpëtojë ekonominë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijon takimet mes strukturat dhe militantët demokratë duke i treguar se pse PD është një alternativë më e mirë qeverisëse dhe duke e projektuar veten e tij si kryeministër i vendit. Gjatë një takimi në Pogradec, Basha kritikoi ashpër aksion e qeverisë për të luftuar informalitetin dhe e cilësoi atë si një “aksion policesk që Rama çon në dyert e bizneseve të vogla, ndërkohë që favorizon klientët e qeverisë.”

 “Ndërsa  bizneset e vogla dhe të ndershme goditen me policë dhe me taksa të larta, miqtë e qeverisë, klientët e saj dhe oligarkët e Ramës gëzojnë ligje speciale për ulje taksash.”- tha Basha

Basha gjithashtu paraqiti platformën e PD-së për zhvillimin ekonomik kur ajo të vijë në pushtet duke theksuar 3 shtylla kryesore të saj.

“1. Biznesi do të ketë një pullë fiskale që tregon që janë kryer detyrimet ndaj shtetit dhe e asnjë zyrtar shteti nuk do të abuzojë me kontrollet ilegale. Asnjë polic nuk do guxojë të dhunojë biznese dhe sipërmarrje.

2. Ne do të ndërmarrim nismën e uljes së taksave për bizneset dhe për të përmirësuar klimën e biznesit në vend.

3. Taksa 9% mbi të ardhurat dhe tatim fitimin, si dhe shmangia e patrullave gjobëvënëse, taksë 0 për biznesin e vogël. Një paketë e plotë incentivash fiskale në shërbim të biznesit dhe investitorëve.  PD beson tek tregu i lirë, tek shpirti sipërmarrës dhe se, bashkë me qytetarët, do të punojmë së bashku për një Shqipëri të begatë.” tha Basha

Qeveria gjatë muajit korrik dhe gusht ka shpallur si fokus kryesor luftimin e informalitetit në të gjitha bizneset duke përfshirë edhe karburantet që abuzojnë me deklarimet e tyre dhe nuk sjellin asnjë të ardhur në buxhetin e shtetit. Për sa i përket ëndrrës për të qeverisur, Basha thotë se shumë shpejt PD do të vijë në pushtet, por sërish nuk pranon të ulet në tavolinë e dialogut me Ramën Kryeministër. Nga ana tjetër Rama i ka përsëritur sërish ditën e martë, që dora e tij mbetet e shtirë për dialog, por i ka bërë të qartë se zgjedhjet e ardhshme që do të mbajë vendi janë ato të 2021.

Nëse vazhdon kështu do të paketosh edhe zgjedhjet e 2021” tha prerë Rama duke ia bërë të qartë Bashës së nuk do të largohet nga drejtimi i qeverisë dhe nuk ka zgjedhje të parakohshme.

Partia Demokratike “humb” një tjetër bashki, kryebashkiaku i ri Kavajës hyn në zyrë

Saga e protestave para ambienteve të Bashkisë Kavajë dhe moslirimi i zyrës nga ish kryebashkiaku Isa Sakja ka marrë fund. Me largimin e protestuesve dhe administratës së bashkisë me mbylljen e orarit zyrat të punës, kryebashkiaku i ri, Redjan Krali ka ndjekur të njëjtën rrugë si homologu i tij në Bashkinë Devoll.

Mbyllja e derës me çelës nga ish kryetari i Bashkisë Kavajë, Isa Sakja nuk ka qenë aspak problem. Në prani të mbështetësve të tij dhe policisë është bërë hapja e bravës nga specialistë duke lejuar futjen e Redjan Kralit në zyrën e tij të re, që do e mbajë për 4 vitet e ardhshme.

Redjan Krali, i cili kandidoi nën logon e PS, doli nga zgjedhjet e 30 qershorit , ndërsa u betua ditën e martë në prani të këshillit bashkiak Kavajë për detyrën e tij të re. Betimi i tij u shoqëruar me protesta dhe disa përplase të militantëve me policinë, si një taktikë e PD për të mos liruar zyrat.

Bashkitë që dikur drejtoheshin nga PD, kanë vendosur të mos lirojnë zyrat me arsyetimin se nuk njohin 30 qershorin dhe janë në zbatim të dekretit të presidentit Meta, i cili e çdekretoi atë datë dhe vendosi 13 tetorin si datë të re zgjedhjesh vendore.

Basha e “tradhtoi” për Soros, Meta: Mua nuk më paguan bileta avioni

Presidenti Ilir Meta nuk ka guxuar t’i përmendë as emrin miliarderit George Soros të cilin rreth një muaj më parë e akuzonte për instalimin e një shteti paralel dhe të kapur në Shqipëri, ndërkohë që i dërgoi kreut të PD-së, Lulzim Basha një mesazh ndoshta të koduar teksa kujton bileta avioni të paguara nga Soros.

I pyetur në konferencën e së martës në lidhje me një porosi që Basha u ka dhënë të vetëve që në asnjë rast të mos komentojnë akuzat e Metës ndaj Soros, presidenti tha se nuk ndërhyn në debate e brendshme të partisë. Në këtë kuadër Meta, këtë herë i distancuar nga akuzat, nuk i përmend emrin Sorosit, dhe flet për bileta avioni të paguara prej tij, që duket si një mesazh dërguar lidershipit të PD-së.

“Unë nuk ndërhyj në asnjë debat të brendshëm të asnjë force politike. Nuk kam asnjë detyrim ndaj këtij emri që ju përmendni dhe fondacioneve dhe perandorive të tij. Nuk kam përfituar asgjë, asnjë biletë avioni që të kem ndonjë brerje ndërgjegje. Do mbroj sovranitetin e vendit tim. Unë për çështjen e integrimit evropian mos u lodhni të shkoni te asnjë ambasador evropian, vetëm unë flas ndershmërisht”, u shpreh Presidenti Meta.

Kujtojmë se dokumenti i shpërndarë anëtarëve të kryesisë së PD-së dhe ish deputetëve të Grupit Parlamentar të PD-së u publikua nga realstory.al dhe ky dokument fakton tradhtinë që PD po bën ndaj Metës dhe faktin se Soros nuk mbështet vetëm maxhorancën sikurse akuzon presidenti por edhe lidershipin e PD-së.

Një tjetër mesazh që Meta i dërgoi Bashës ishte dhe ai për zhvillimin e zgjedhjeve në13 tetor për të cilin Basha duket se është distancuar. Presidenti tha se ata që nuk e njohin si data le t’i shohin zgjedhjet si spektatorë. Ndërkaq edhe LSI ka nisur të distancohet nga Basha dhe është shprehur gati që të futet në zgjedhjet e 13 tetorit sikur dhe aleatë të tjerë të PD, si Mediu. Megjithëse në fakt është një datë antikushtetuese dhe që ka rënë me vendim të prerë të Kolegjit Zgjedhor.

Gjithsesi presidenti u shfaq kaotik në qëndrim dhe u hodh në shumë çështje. Fillimisht shpalli nismën e tij për krijimin e forumit “Unë jam arbëresh”, pastaj kaloi tek tërmeti apokaliptik, tek dekreti për 3 palë zgjedhje në 13 tetor, tek negociatat me BE-në dhe tek garantimi i Ramës së ai është mirë me shëndet.

Ndërsa Rama i kujtoi klinikën duke nënkuptuar se presidenti nuk është mirë me shëndet, Meta e garantoi se është aq mirë sa do t’i ngjitet Korabit. “Po të kem problem shëndetësor shkoj te doktori. Sa i takon parametrave të mi, janë në përmirësim. Jam gati për të ngjitur Korabin”, tha Meta, ndërsa bëri ironi me kryeministrin kur tha se ai është lider lokal dhe nuk e mban veten si lider global. Ironi kjo që megjithëse nuk e përmendi, lidhej me bisedën telefonike 60 minutëshe mes Ramës e Macron, për të cilën kryeministri tha shkurt se kanë biseduar ashtu siç bëjnë gjithmonë për Europën dhe Rajonin.

Ndërsa Meta teksa theksoi disa herë që e mban veten për lider lokal theksoi dhe njëherë thirrjen që në 13 tetor të zhvillohen 3 palë zgjedhje duke bërë parashikimin se nëse nuk ndodh kjo, nuk do të ketë çelje të negociatave me BE-në./Realstory.al

Basha nxit dhunë: T’i shporrim me çdo mjet

Kreu i PD, Lulzim Basha ka bërë thirrje për dhunë dhe për mbrojtje me çdo mjet e formë bashkitë e djathta. Kreu i PD-së ka qenë të martën në Devoll atje ku të hënën kryebashkiaku socialist mori zyrën dhe nisi mandatin e fituar në zgjedhjet e 30 qershorit.

Basha së bashku me militantët e PD-së u mblodhën para bashkisë së Devollit dhe kërkuan që kryebashkiaku socialist të lirojë zyrën. Basha bëri thirrje që demokratët të përdorin çdo mjet për t’i larguar socialistët. Madje ai njoftoi se socialistët nuk do të qeverisin asnjë ditë pasi do të përballen me PD-në, madje edhe në Tiranë.

“Kam kënaqësinë të ndodhem në këtë manifestim të madh të Demokracisë dhe vendosmërisë për të mos pranuar vjedhjen dhe uzurpimin e pushtetit vendor nga një bandë që është në pushtet. Pakica kriminale ka uzurpuar bashkinë e Devollit, shumë shpejtë do ta shporrim këtë pakicë nga Devolli dhe nga Shqipëria. Hajduteskë…me pushtimin e bashkisë si hajdutë me pushtimin e pushtetit vendor si kriminel dhe me tentativën për të vendosur mbi 94% të qytetarëve të Devollit. Rama dhe sozitë e tij kanë shkruar fatin e tyre ne Devoll dhe në mbar vendit. Fati i tyre është ai që pret çdo hajdut. Shporrja me çdo kusht me çdo mjet me çdo formë. Kjo është dhunë antikushtetuese kriminale dhe antiligjore. Keqardhje për përdorimin e policëve duhet të arrestonin hajdutin. Nëse i njëjti fat do ti pres hajdutët në Shqipëri. Hajdutët i kanë bërë llogaritë në ditët e fundit të Korrikut. Kanë kujtuar se me vapën e verës do të realizojnë vjedhjen. Nuk do të qeverisin dot asnjë ditë. Sot në Devoll, Kavajë Pogradec, Kamëz e në të gjithë Shqipërinë… Do të përballen me vendosmërinë tonë. Edhe në Tiranë. Rrëzim i këtyre hajdutëve”, ka deklaruar Basha.

Ky është skenari që Basha ka përgatitur për të mbrojtur karrigen e tij në PD, fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Realstory publikoi pak ditë më herët një dokument të hartuar nga kryesia e PD-së më 2 korrik dhe ku bëhej thirrje që të mbroheshin me çdo kusht bashkitë e djathta. Pra Partia demokratike është e vendosur që të përdorë akte dhune për të mbrojtur një pushtet që ra në 30 qershor dhe që ndërkombëtarët e njohën zyrtarisht. Basha ka nisur të përsërisë të njejtën gjë që bëri para zgjedhjeve të 30 qershorit ku u mundua të pengonte zgjedhjet me protesta të dhunshme, por u tërhoq pas presionit të ndërkombëtarëve. Kreu i PD-së këtë herë po përpiqet që përmes dhunës në bashkitë e ndryshme, të mbajë të ndezur frymën e opozitës kundër qeverisë dhe nga ana tjetër të mbrojë veten e tij nga sulmet dhe kritikat brenda PD-së për nxjerrjen e partisë në rrugë dhe për mbetjen pa asnjë pushtet./Realstory

Rama mesazh Bashës, përgjigje Metës: Sulmet e tij, klinikisht shqetësuese

Nuk ka asnjë negociatë mes Ramës e Bashës për zgjidhjen e krizës në vend dhe as ndonjë nismë të ndërkombëtareve për të vendosur ura komunikimi mes tyre. Kryeministri Rama pasi tha këtë të martën në një konferencë të gjatë për shtyp, që zgjati fiks 2 orë, i dërgoi dhe një mesazh të qartë kreut të opozitës. “Nëse vazhdon kështu do të paketosh edhe zgjedhjet e 2021”. Kryeministri është i vendosur të mos i plotësojë opozitës kushtin parësor atë të largimit të Ramës nga drejtimi i qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme. Por ai është shprehur gati për dialog në respekt të kushtetutës dhe pa diskutuar në asnjë moment vullnetin e popullit të shprehur me votë. Ndërsa shtoi se nuk do të humbasë asnjë sekondë kohë për t’u marrë me Bashën dhe Kryemadhin.

“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë të marri energjitë tona për këtë çështje. Jemi të gatshëm, të dialogojmë në çdo moment me opozitën, por nuk jemi të gatshëm që të dialogojmë për vullnetin e popullit të shprehur në votë. Nuk harxhoj kohën time dhe të njerëzve me këtë muhabet çdo ditë.

Ka shumë gjëra të rëndësishme për mua se sa të pres Bashën apo Kryemadhin që të kandisen për të folur. Është puna e tyre. Fokusi im nuk është kjo loja macja me miun e atyre që zgjodhën një rrugë  që për mua ka qenë e qartë që në fillim. Ja kam thënë në parlament kjo rrugë do t’ju çojë me keq se ç’jeni.

2021 është shumë më afër sesa i duket atyre. Nëse ata vazhdojnë kështu dhe disa muaj, 2021 e kanë paketuar me duart e tyre”, është shprehur Rama, teksa i bën thirrje Bashës të nisë të mendojë për zgjedhjet e 2021 se zgjedhje të tjera nuk ka.

Rama gjithashtu deklaroi se as në ëndrrën e tij me të keqe nuk e kishte menduar që opozita të katandisej në këtë situatë dhe se për të është shumë e vështirë të qeverisë me një opozitë të tillë.

“As në ëndrrën më të keqe nuk e kam parë opozitën të katandiset kështu. Është shumë më e vështirë të qeverisësh me një opozitë që këmbëngul çdo ditë të vrasë veten, se sa me një opozitë që këmbëngul të vrasë ty me ide, me ritëm. Është më e vështirë se është një boshllëk që të pengon të gjesh forcat e nevojshme të bësh punën”, tha Rama.

Ndërsa përsa i përket sulmeve të presidentit, për kapjen e reformës në drejtësi, kryeministri është shprehur se këto sulme janë klinikisht shqetësuese, ndërsa sqaroi reforma në drejtësi është bërë nga SHBA dhe BE dhe se deklaratat e Metës për “deep state” janë në rastin më të mirë qesharake dhe në atë më te keqin çmenduri e presidentit.  

“Nëse unë kam kapur SHBA dhe BE, atëherë s’keni çfarë bëni e keni humbur këtë betejë. Pra ka një forcë të errët deep. Unë kam kapur SHBA dhe BE. Janë gjëra qesharake dhe janë klinikisht shqetësuese në rastin me të keq. Nuk është çështje frike, apo Mic Sokolësh. Aty ku hyn drejtësia ne hapim rrugën. Jo tani të dalim me rroba banjo dhe të sulmojmë ambasadën amerikane.

Kjo është çështje veprash. Unë kam qenë që ditën e parë për të bërë një reformë në drejtësi ku ne të miratojmë çdo gjë që komisioni dhe ekspertiza ndërkombëtare do të na sillte në tavolinë”, është shprehur Rama.

Deklarata e tij vjen si përgjigje e akuzave të bëra në vazhdimësi nga presidenti Meta i cili ka akuzuar  ambasadën e SHBA dhe Ramën se kanë kapur reformën në drejtësi duke krijuar një shtet paralel.

Siç duket kryeministri ka vendosur të mos merret më as me opozitën dhe as me presidentin, por të përqendrohet te pushteti i fituar në 30 qershor, ku mori drejtimin e 60 bashkive në vend dhe synimi i tij janë fitorja e një tjetër mandati, ajo e zgjedhjeve të 2021.  

Rama: S’ka negociata me Bashën, i pres në dialog

Kryeministri Rama ka mohuar që të ketë një iniciativë të ndërkombëtarëve për një komunikim me Bashën për zgjidhjen e krizës politike. Ai ripërsëriti ftesën për dialog për kreun e opozitës, por shtoi se nuk ka kohë për t’i pritur.

“Asnjë komunikim me Bashën përmes ndërkombëtarëve. Situata nuk mund të vijojë të marrë energjitë e mia dhe tonat për këtë çështje. Ne e kemi dhënë qëndrimin, jemi gati të dialogojmë në çdo moment me opozitën jashtë parlamentare, por jo të negociojmë asgjë që lidhet me vullnetin e popullit të shprehur me votë. Nuk jam gati të harxhoj kohën me këtë muhabet çdo ditë. Ka gjëra më të rëndësishme për mua sesa të pres Bashën apo Kryemadhin që të kandisen për të folur”, deklaroi Rama.

Madje, ai kërkoi në distancë nga lideri i opozitës se duhet të nxitojë, pasi viti 2021 nuk është larg, duke nënkuptuar se ai nuk tërhiqet për zgjedhje të parakohshme. “Nuk kam asnjë paragjykim asnjë kusht, duan të ulen dhe të diskutojnë të ardhmen, 2021 është shumë afër sesa i duket atyre dhe nëse ata vijojnë kështu, edhe disa muaj, 2021 e kanë paketuar sërish me duart e tyre”, deklaroi Rama para gazetarëve në konferencën për bilancin e qeverisë.

“Kapja e drejtësisë”, Rama: Nëse kam kapur SHBA e BE, betejën e keni të humbur

Kryeministri Rama, në konferencën përballë gazetarëve, ka zgjedhur që çdo pyetjeje për Ilir Metën t’i përgjigjet me batuta, duke i çuar mesazhe ironike kreut të shtetit, që nga teatri e ngritja e SPAK, ndërsa ka theksuar se për shkarkimin e Presidentit, mazhoranca po pret mendimin e Komisionit të Venecias. Po ashtu, ai u është përgjigjur akuzave të Metës dhe opozitës për kapjen e drejtësisë, duke u shprehur se nëse është kapur drejtësia prej tij, atëherë ka kapur SHBA-në dhe BE-në dhe në këto kushte opozita e ka të humbur betejën.

“Ne e kemi çuar çështjen për trajtim nga Komisioni i Venecias për të pasur një proces të mirëkuptuar dhe të qartë për të gjithë komunitetin e miqve dhe partnerëve. Do të presim edhe raportin edhe pastaj do të gjykojmë mbi bazën e raportit, nuk mund të them nëse kështu apo ashtu”, tha Rama ndërsa shtoi me ironi se “nuk ishim të detyruar ta çonim te Komisioni i Venecias”, por sipas tij tani do pritet mendimi i tyre.

Më tej, kreu i qeverisë ironizoi Presidentin Ilir Meta edhe për alarmin për tërmetin apokaliptik, ndërsa iu përgjigj pyetjet për Teatrin Kombëtar. I pyetur se përse shumica nuk pret vendimin e Kushtetueses për ligjin për Teatrin ai tha me batutë se “Për të njëjtën arsye që nuk presim dot tërmetin”.

Po ashtu, Rama i dërgoi një mesazh kreut të shtetit dhe opozitës, të cilët e akuzojnë për kapje të drejtësisë. “Është shumë e vështirë të qeverisësh me një opozitë që këmbëngul çdo ditë të vrasë veten sesa me një opozitë që këmbëngul të të vrasë ty politikisht me ide, figura dhe ritëm. Sepse një opozitë inekzistente është një boshllëk që të pengon të gjesh të gjitha forcat që të bësh punën maksimalisht mirë. Nëse unë kam kapur SHBA-të, BE-në, atëherë nuk keni se çfarë bëni e keni humbur këtë betejë. Të thuash që mund të kapen SHBA-BE se ka një forcë të errët dhe se e gjithë kjo mund të ndodhë në Shqipëri, janë qesharake në rastin më të mirë, dhe shqetësuese në rastin më të keq. Kjo nuk është çështje frike dhe trimërie, as çështje Mic Sokolash, çështje veprash. Fjalët janë njëra anë, veprat janë ana tjetër. Unë kam qenë i vendosur për reformën në drejtësi. Ju keni parë shembull, aty ku hyn drejtësia ne hapin rrugën. Nuk është çështja të them, kam, s’kam frikë, jam trim, të dal me rroba banje, ti vërsulem ambasadës amerikane”, deklaroi Rama, duke kujtuar sulmet që Meta i bëri ambasadorëve të huaj në vendin tonë.

Rama: Asgjë personale me Arben Malajn!

Grupi i PS-së ka kërkuar shkarkimin nga Bordi Mbikëqyrës të BSH-së të Arben Malajt. Kryeministri Rama tha se nuk ka asgjë personale. “E para lidhet me grupin parlamentar, pyesni deputetët që kanë kërkuar largimin e zotit Malaj. Ju se besoni jeni të lirë, por unë nuk lexoj, përveçse në raste të rralla që m’i rekomandon Fuga. Se cfarë mund të ketë thënë Malaj, nuk ma kanë rekomanduar për lexim. Nuk kam asgjë personale me askënd, as me atë dhe as më askënd. As me Bashën, por kam dicka personale, që e kam pozitive, por nuk di si ta ndihmoj”, tha Rama.

Arsyeja e largimit të Bushatit nga Shkodra

Rama u është përgjigjur interesimit të gazetarëve edhe për largimin e Ditmir Bushatit si koordinator i Shkodrës, pasi e hoqi edhe si Ministër i Jashtëm. “Për sa i përket Bushatit, nuk më rezulton që Ditmiri të ketë bërë ndonjë kritikë shqetësuese apo… mbase më ka shkëputur, por nuk ka lidhje. Organizimi i ri kërkon disa ritme energji dhe aftësi që bëjnë që të ketë disa ndryshime. Shkodra është prioritet për mua. Jam i vendosur që të bëjmë ndryshimin që kemi bërë në të tjera zona dhe pas këtij mandati të Valtrinit të jetë si në Vlorë. Vendosja e Valdrinit aty është se më duhet një person që të jetë aty çdo ditë, çdo natë si drejtues” deklaroi kreu i qeverisë, ndërsa pyetjes nëse do të ketë ndryshime në qeveri në shtator, kryeministri Rama e mohoi- “Jo, në parim jo, por nëse shfaqet një nevojë apo situatë që nuk e di sot, pastaj është diçka tjetër”.

Qeveria e re greke, Rama: Negociatat? Gjithçka mund të ndodhë

Kryeministri Rama ka komentuar ndryshimin e qeverisë në Greqi, por edhe për vendimin për negociatat në tetor, ku ka deklaruar se nuk përjashton asnjë version për vendimin. “Kemi bërë diskutime, negociata që janë çështje të së shkuarës. Me qeverinë e re duam të kemi vazhdim të dialogut për çështjet, miqësi, mirëkuptim, respekt. Është me rëndësi të intensifikojnë edhe për të vendosur pikat mbi ‘i’ për disa aspekte lidhur me të drejtat e minoritit grek në Shqipëri. Minoriteti është i shikuar si pjesë integrale e padyshim e bashkëjetesës sonë dhe pasuri. Për sa i përket negociatave. Vendimmarrja e Tetorit nuk ka lidhje me Shqipërinë, por dinamikat e brendshme në BE, është politik, nuk ka lidhje me vlerësim teknik objektiv. Gjithçka mund të ndodhë në tetor, nuk përjashtoj asnjë version”, tha ai.

Kryeministri Rama i është përgjigjur edhe deklaratave greke se ai kishte lidhje gjaku greke. “E para e punës, kam në dejet e mia një miks dhe nuk do të isha aspak i mërzitur nëse do të kisha edhe një pjesë të gjakut grek, por nuk kam asnjë qelizë, se kam pasur këtë, ndërkohë që kam ca rrjedha të tjera, ashtu sikur kam edhe rrjedha të brendshme nga Shkodra, në Mirditë në Berat, Vuno në Vlorë. Ortodoksët shqiptarë janë shqiptarë dhe grekët ortodoksë janë grekë. Gjithmonë qëllimi ka qenë marrëdhënia më të mira të mundshme”, u shpreh Rama.

Shembja e teatrit, Bashës i mbarojnë edhe akuzat

Akuzat e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndaj kryeministrit Rama në lidhje me ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar kanë nisur një vit më parë dhe sërish përgjatë gjithë këtij vit nuk i mbështeti një herë artistët, nuk mori pjesë në Kuvend ku po diskutohej projektligji për teatrin duke bojkotuar seancën dhe sigurisht nuk erdhi me një zgjidhje për situatën as dje dhe as sot, me nënshkrimin e kontratës mes artistëve dhe PD.

Duket se Bashës i kanë mbaruar akuzat e tij dhe prej më shumë se një viti vijon të përsëris të njëjta gjëra. Këtë e ka bërë të ditur dhe vetë Partia Demokratike, përmes njoftimit të shpërndarë për mediat duke cituar një deklaratë të Bashës të një viti më parë.

“Rama nuk ka asnjë interes për teatër të ri pa kulla. Afera me Teatrin Kombëtar është për kullat e për të futur në xhep 200 mln euro, dhe jo për Teatrin, sepse për të nuk ka Teatër pa kulla. Vetëm për luks qeveritar, Rama ka shpenzuar aq para sa për të ndërtuar 5 teatro kombëtarë.

Unë i kuptoj artistët që kërkojnë një teatër më komod. Ka disa mundësi për një teatër të ri, si në Bulevardin e ri të Tiranës. Teatri aktual restaurohet në shërbim të artit e kulturës por dhe si monument unik i trashëgimisë kulturore të Tiranës.

Paralajmërimi për Edi Ramën, mafian e ndërtimit dhe mafian e drogës do të formalizohet si një kontratë e Partisë Demokratike me publikun: minat dhe rruspat i presin për çdo projekt korruptiv që do të ndërtohet te Teatri.”

P. S. I lumtur që kontratën e nënshkruam brenda Teatrit Kombëtar këtë të enjte!”, shkruan Basha.

Sot pas një viti, Basha ka rimarrë sërish protestën e artistëve që kërkojnë të mos shembet Teatri Kombëtar duke u bërë edhe një herë protagonist dhe duke e politizuar atë, sërish pa ofruar asnjë zgjidhje se si do të shmang projektin e ndërtimit të teatrit të ri.

Në fakt duhet theksuar se kur qeveria zbuloi projektin për të shembur teatrin dhe për të ndërtuar një të ri, u ngritën në protesta aktorë  që vunë theksin në ruajtjen e godinës për shkak të vlerave historike.  Përfaqësues të qeverisë por edhe kryebashkiaku Veliaj nisën negociatat me aktorët dhe komunitetin e artistëve si dhe qeveria i kërkoi opinion BE-së në lidhje me projektligjin për arritjen e një marrëveshje sa me efikase për artin dhe kulturën. Në asnjë nga këto etapat e diskutimit apo edhe në Kuvend, Basha apo eksponentë të PD-së nuk zgjodhën të merrni pjesë për të shmangur atë që atë sot e quajnë “aferë korruptive e Kullave 200 milionë Euro te Teatri Kombëtar”

Realstory e zbuloi, Kulluri: Basha mbështetet nga Soros për të luftuar kundër Ramës

Edvin Kulluri, ish-anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së ka komentuar në Report TV dokumentin e publikuar ekskluzivisht nga Realstory, ku PD i jepte porosi ish deputetëve dhe anëtarëve të kryesisë që të mos flisnin për akuzat e Metës ndaj Soros. Sipas Edvin Kullurit Soros është mbështetës  i Bashës për të luftuar kundër Ramës.

“Armiqtë imagjinarë të sotshëm të Metës nuk duhen gjetur jashtë por në Shqipëri. Duhen gjetur tek kreu i PD-së. Është e qartë që Basha është i mbështetur nga Sorosi për të luftuar kundër Ramës dhe këtë e dimë, ne e dinë të gjithë. Duhet të dimë se me këtë reformë në drejtësi, do jepet një efekt në mënyrë të padiskutueshëm. Sot më shumë e duan vendin ndërkombëtarët se ne. PD ka hyrë në zgjedhje në 97 kur në gjysmën e territorit nuk vihej dot komisionerë. Basha nuk futet dot sot kur pretendon se ka më shumë se gjysmën e popullsisë me vete.

Sot DASH e drejton një administratë që nuk ka asnjë lidhje me Soros. Këtu nuk ka një përplasje mes Soros dhe opozitës. Kush do të fshihet pas Sorosit bën gabim. Por që këta që porosisin njerëzit në PD të mos flasim më për Sorosin është një mashtrim tipik i Bashës.  Presidenti nuk ka të drejtë të anulojë zgjedhje por vetëm të caktojë. Shanset që kushtetuesja të bjerë dakord me datën 13 janë zero. E ardhmja e PD është ulja e demokratëve në kuvendim me njëri tjetrin se si duhet nxjerrë e djathta nga ky batash dështimesh për t;i dhënë Shqipërisë një qeverisje të djathtë. Rama është duke rënë nga karrigia. Ai që e mban në karrige është Lulzim Basha. Kjo është çështja e çdo demokrati. PD duhet të marrë fatet e partisë në dorë dhe të mos shkojnë pas aventurave. PD është aset i së djathtës dhe ka pasur një raport të mirë me ndërkombëtarët. nuk duhet të zvogëlohet më shumë se kaq”, tha Kulluri.

Kulluri akuzoi hapur Bashën se me lidershipin e tij të dobët po mban në pushtet Ramën. Ai tha demokratët e vërtetë kanë nisur një aksion kundër Bashës, për të shpëtuar partinë e tyre përmes një aksioni masiv të nisur gjatë kohëve të fundit.

Realstory.al publikoi ekskluzivisht dokumentin e shpërndarë nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, ku i lihej porosi e prerë ish deputetëve që të mos komentonin akuzat e Metës për Sorosin. Dokumenti vërteton “tradhtinë” e PD-së ndaj Metës. Nga njëra anë, Meta akuzon Sorosin për “deep state”, nga ana tjeter PD mbështetet nga Sorosi dhe refuzon ta pranojë Metën si negociator për zgjidhjen e krizës.

Skip to toolbar