Basha tregohet i prerë: Jo pazare me Ramën

Kryedemokrati Basha përsëriti nga Berat se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Ramën. Zgjedhjet e lira do të realizohen vetëm nëse Rama largohet për t’i hapur rrugë garës së ndershme.

“Nuk ka kompromis me të keqen. Nuk ka pazar me Ramën. Këtu nga kjo sallë, 4 muaj më parë u zotova se nëse ligji për vettingun e politikanëve nuk do të miratohej, opozita do të bënte hapin përfundimtar dhe do t’i bindej sovranit për të djegur mandatet. Kjo ndodhi! Këtu nga kjo sallë ju them: Pazar me Edi Ramën kurrë më. Largimi i tij është i panegociueshëm për t’i hapur rrugë vullnetit popullor dhe garës së ndershme dhe zgjedhjeve të lira.” – tha Basha

Betejë për jetë a vdekje! Basha nuk heq dorë nga protestat

“Do të jetë një betejë për jetë a vdekje”. Kështu është shprehur kreu i PD-së, Lulzim Basha dje për mediat, pas një aktiviteti të zhvilluar në qytetin e Shkodrës, teksa u pyet për hapat e mëtejshëm të opozitës dhe për vazhdimin e protestave. Pavarësisht thirrjeve të ndërkombëtareve për t’i dhënë fund protestave të dhunshme, kreu i PD-së është i vendosur për të vazhduar rrugën e nisur.

“Mendoj që mesazhet që kemi dhënë sot me rastin e një ngjarjeje kaq të rëndësishme janë shumë aktuale. Për të ndaluar një tirani të krimit, bëhet çdo sakrificë me çdo çmim. Unë, PD, opozita dhe gjithë shqiptarët e bashkuar do të jemi më të vendosur se kurrë për të ndaluar një tjetër tirani, një tjetër monizëm, por, kësaj rradhe të veshur me krim, me korrupsion dhe oligarki babëzitëse, që e ka shkatërruar vendin dhe ka mbyllur dyert e Europës. Kjo është një betejë për jetë a vdekje dhe fundi i kësaj beteje është tashnë i përcaktuar. Do të jetë fundi i atyre që duan të rikthejnë tiraninë dhe fitorja e gjithë shqiptarëve të bashkuar”, u shpreh Basha.

Basha për BBC Wolrd: PD dënon dhunën, por ajo tregon zemërimin e popullit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një intervistë për BBC World, gjatë vizitës së tij në Londër.

Basha tha se PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme dhe është distancuar nga ajo, por dhuna e përdorur në protesta tregon zemërimin në rritje të popullit gjatë qeverisë. Basha tha se qeveria është kapur në dy përgjime ku akuzohet për shit-blerje votash në 2017 dhe askush nuk është dënuar. Protestat janë pasojë e kësaj krize politike në vend.

Lexoni intervistën e plotë të Bashës për BBC World:

BBC WORLD: Gjatë 3 muajve të fundit në Shqipëri janë zhvilluar protesta antiqeveritare, me protestues që bëjnë thirrje për dorëheqjen e qeverisë dhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ka patur edhe dhunë fundjavën e shkuar, ku mijëra protestues, që mbështesin PD në opozitë, dolën në rrugët e kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Zyrat e kryeministrit u goditën me bomba benzine, duke nxitur thirrjet për qetësi të disa vendeve të BE-së dhe SHBA. Në krye të këtyre protestave është lideri i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha, i cili ka shërbyer si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Brendshëm në qeveritë e mëparshme të drejtuara nga PD. Unë e nisa bisedën me të duke e pyetur, nëse e dënon dhunën e ndodhur.

LULZIM BASHA: Absolutisht. PD ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme. Është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna. Megjithatë, duhet kuptuar se dhuna e izoluar që, falë Zotit, nuk shkaktoi viktima – asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua – është shprehje e zemërimit në rritje. Këto protesta janë pasojë e një krize që ka shpërthyer me të gjithë fuqinë gjatë 4 muajve të fundit: krizë kushtetuese, krizë politike dhe pasojat e saj ekonomike e sociale.

Çfarë duhet të ndodhë me ata që janë përgjegjës për dhunën?
Siç e thashë, falë Zotit, asnjë polic i vetëm nuk u lëndua. Por numri 3 i PD-së u dhunua brutalisht dhe dhunshëm nga policia. Media ishte në gjendje ta filmonte këtë episod dhe ta transmetonte live. Në vend që këta policë të përballen me përgjegjësitë e tyre, sipas ligjit, ata janë marrë personalisht nën mbrojtje nga kryeministri.

Qeveria i mohon akuzat tuaja, por në një këndvështrim më të gjerë, ju keni qenë vetë në qeveri dhe tani jeni në opozitë. Ju e dini se akuzat për korrupsion bëhen sa nga njëra palë dhe nga pala tjetër. Akuzat nga opozita, kushdo qoftë ajo, mohohen nga qeveria kushdo qoftë ajo. Kjo është pjesë e politikës në vendin tuaj, apo jo?
Ky nuk është rasti tani.

Pse është ndryshe tani?
Dy raste të hetimit nga prokurorët antimafia kanë zbuluar mijëra orë përgjime, që tregojnë se kryeministri dhe zyrtarë të lartë të qeverisë bashkëpunojnë me bosët e krimit të organizuar për vjedhjen e zgjedhjeve të vitit 2017. Disa nga këto përgjime janë publikuar nga Zëri i Amerikës dhe dy ditë më parë nga gazeta më e madhe gjermane Bild. Nuk ka absolutisht asnjë veprim në lidhje me këto akuza. Asnjë politikan nuk është thirrur për t’u marrë në pyetje dhe politikanët e përfshirë jo vetëm nuk janë ndëshkuar, por janë promovuar dhe janë mbrojtur nga kryeministri.

Ta shohim në një panoramë më të gjerë. Këtë qershor Shqipëria pret një përgjigje nga BE, nëse do të nisin negociatat për anëtarësim. Sa dëm mund t’i shkaktojë procesit e gjithë kjo?
Protestat janë pasojë e krizës së thellë politike në vend. Kështu që, pavarësisht, raporteve të sheqerosura…

Çfarë do të thotë të sheqerosura?
Shumë larg realitetit.

Për çfarë arsye?
Shqipëria duhet t’i bashkohet Bashkimit Europian, Shqipëria duhet të hapë negociatat e anëtarësimit. Kjo është ajo për të cilën ne po luftojmë, për vlerat europiane, por Shqipëria nuk mund t’i bashkohet BE-së me gënjeshtra, me fabrikime, me zgjedhje të vjedhura, me bashkëpunim me krimin e organizuar, me korrupsionin në nivelet më të larta të këtyre 29 viteve, me pandëshkueshmërinë e njerëzve me pushtet.

Pra, çfarë duhet të thotë dhe të bëjë BE në takimin e qershorit sipas jush?
Mendoj se në këtë pikë gjërat janë shumë të qarta. Bashkimi Europian është ekstremisht i shqetësuar se realiteti në terren është shumë larg nga përshkrimet e burokratëve në Bruksel. Kjo duhet të jetë edhe një kambanë alarmi për vetë institucionet e Bashkimit Europian, që t’i japin fund gjuhës së drunjtë se “shumë është bërë, por nevojitet dhe shumë për të bërë” dhe të përqendrohen nē problemet e vërteta, me të cilat përballet vendi.

Por kjo mund të çonte në një shtyrje të asaj çfarë planifikon BE. A nuk do të sillte shtyrja një dëm të madh për vendin?
Për fat të keq, shtyrja, pak a shumë është vendosur. Vende anëtare kanë dalë në përfundimin se progresi i Shqipërisë drejt përmbushjes së kushteve për hapjen e negociatave të anëtarësimit është i pamjaftueshëm. Pyetja shtrohet: çfarë vjen pas kësaj? Problemi më i madh është sesi të kapërcehet kjo krizë e thellë, e cila tani po shpërthen me zemërim nëpër rrugë dhe sheshe.

Skandali në Austri, Balla: Po Basha kur do mbajë përgjegjësi?

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmes një statusi në Twitter, ka reaguar për dhënien e dorëheqjes së zv.kancelarit austriak pas publikimit të video skandalit për afera korruptive. Balla bëri një paralele të tij me kreun e PD-së, Basha ku tha se ai përfitoni mbi 1 milionë dollarë nga një kompani guaskë nën pronësi ruse dhe askush nuk ka mbajtur përgjegjësi.

“Në Austri lideri i Partisë së Djathtë FPO Strache dha dorëheqjen pas regjistrimit video me një mbështetëse ruse në shkëmbim të mbështetjes politike. Në Shqipëri lideri i PD Lulzim Basha përfitoi më shumë se 1 milionë dollarë nga një kompani guaskë nën pronësi ruse, duke tentuar të rrisë mbështetjen e partisë së tij të djathtë në Washington. Basha është nën hetim në SHBA, Britaninë e Madhe dhe në Shqipëri.” – shkruan Balla

Pas protestave të dhunshme, Basha në Britani thotë se do luftojë krimin

Rruga që ka ndjekur deri tani PD është ajo e protestave të dhunshme, përmes të cilave synon të rrëzojë qeverinë. Por nga Britania, ku ka takuar Kryetarin e Komisionit të Sigurisë dhe Inteligjencës, Dominic Grieve, kreu i PD-së, Lulzim Basha është shprehur se PD ka vullnet të luftojë krimin.

Zyra e shtypit e PD-së njofton se në bashkëbisedimin me zotin Grieve, lideri i opozitës theksoi vendosmërinë e tij që bashkëpunimi midis dy vendeve, në fushën e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit të jetë sa më i fuqishëm dhe sa më efikas.

Basha theksoi se shumica absolute e shqiptarëve jetojnë dhe punojnë në Britaninë e Madhe ndershmërisht.

Ndaj veprimi i vendosur dhe bashkëpunimi i ngushtë në luftë kundër krimit të organizuar dhe në veçanti trafikut të qënieve njerëzore e të narkotikëve, do të ndihmojë në goditjen e kriminalitetit dhe në rikthimin e besimit. Kreu i opozitës shqiptare theksoi se kjo do të shërbejë për të mos njollosur reputacionin e komunitetit shqiptar në Britani nga një pakicë e përfshirë në aktivitete kriminale.

Jemi të vendosur nënvizoi zoti Basha për të ndërtuar ne Shqipëri institucione te forta ligjzbatuese te pandikuara dhe te afta per te luftuar krimin e organizuar dhe narkotrafikun.

Gjithashtu u diskutua për rrezikun e të gjitha retorikave për ndryshim kufijsh në Ballkan.

Basha theksoi se shtetet e Ballkanit janë multietnike dhe se kjo është një vlerë europiane, të cilën ne duhet ta mbrojmë. “Çdo ide tjetër rrezikon paqen dhe stabilitetin rajonal, hap precedentë të rrezikshmëm në Ballkan dhe përtej Ballkanit, si dhe dobëson krahun jugor të NATO-s duke i shërbyer axhendave që janë në konflikt me sigurinë dhe vlerat euroatlantike.”

“Pas 30 qershorit do të ketë lëvizje “Luli ik”. Do ta kuptojnë që po bëjnë marrëzi”

Në fjalën e tij, Rama tha se pas 30 qershori, vetë opozita do të nisë një lëvizje Luli Ik, sepse do ta kuptojnë që kjo që po bëjnë është një marrëzi.

“Ku është parë një opozitë që t’i thotë një shumice, që meqë unë i shoh këto gjëra shumë keq, ti shumica të ikësh sa më shpejt, pa zgjedhje, madje të largoj me dhunë dhe do të shkatërroj edhe zgjedhjet. 30 vjet janë boll për të kuptuar se spiralja e opozitës ka prekur fundin dhe 30 qershori duhet ta sanksionojë këtë fund, për të mos pranuar këtë gjendje anafalbetizmi dhe anti demokratik, si legjitimet për të shpërbërë ABC-në e sistemit demokratik. Padiskutim mos hyrja e tyre në zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë simptoma të një shëndeti demokratik, por pasqyrë e marrjes së ilaçeve të gabuara nga receta e vjetër e doktorit të gabuar.  Pas 30 qershorit do të ketë lëvizje Luli ik. Të gjithë ata pas 30 qershorit do ta kuptojnë këtë marrëzi”, tha Rama.

Britania i bashkohet zërave ndërkombëtar: Ulu në dialog pa kushte

Përveç informimeve që ka bërë me ndërkombëtarët në lidhje me situatën në vend, Basha ka marrë edhe një “shuplakë” nga ato gjatë vizitës së tij në Angli.

Basha ka zhvilluar një takim me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Britaninë e Madhe, Andrew Page ku i ka kërkuar “të ulet në negociata me kryeministrin Rama pa parakushte, përndryshe zgjedhjet e 30 qershorit do të njihen edhe sikur të gjitha bashkitë të fitohen nga PS” raporton Report TV. Ndërkohë që ky takim nuk është bërë i ditur nga Basha.

Më herët Basha tha se nuk do të ketë dialog me Ramën kryeministër, ndërsa zyrtarët britanik i bën thirrje për dialog për zgjidhjen e krizës duke iu bashkuar zërave të tjetër ndërkombëtarë, përfshirë dhe SHBA.

A ka marrëveshje Rama-Basha? Ja çfarë thotë Taulant Balla

Në seancën e sotme parlamentare kanë qenë dy deputetë të opozitës që shprehën shqetësim për ekzistencën e një marrëveshje Rama-Basha. Ka qenë Rudina Hajdari ajo që tha e para se Rama e Basha po përgatisin marrëveshjen e radhës në dëm të shqiptarëve.

“Unë e ndjej se këto kanë bërë marrëveshje, por jo për shqiptarët, por për zuzarët”, tha Hadari. Në të njejtën linjë foli dhe deputeti i LSI-së, Ralf Gjoni. “A ka marrëveshje politike, sepse kjo mbetet për t’u sqaruar, pasi po përflitet se Rama-Basha po përgatisin marrëveshjen e radhës politike, edhe këto janë kthyer në element statistikor, 2008, 2017, mund të bëhet edhe ndonjë tani. Marrëveshjet nuk kanë sjellë asgjë, veç për 2-3 peshq të mëdhenj të pa ndëshkuar dhe cënuar”,- tha ai.

Në përgjigje të tyre foli kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i cili theksoi se zgjedhjet do të zhvillohen në 30 qershor dhe se nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Bashën në dëm të Kushtetutës.

“Për parantezë meqë m’u kërkua për çështje që lidhen me zgjedhjet e 30 qershorit do u them qartë, ju patjetër, por të gjithëve se zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor. Aq i sigurt është detyrimi për të zgjidhur zgjedhje në 30 qershor, njëlloj si dielli lind në lindje dhe perëndon në perëndim. Nuk do i japim mundësi Bashës dhe bandës së tij që të marrin peng vendin dhe të përdhosin Kushtetutën. Në 29 maj shqiptarët do të marrin lajmin e mirë nga KE për të rekomanduar fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Përpjekja e fundit do të bëhet në paradën e fundit të huliganëve në 25 maj. Sa për LSI-nuk quhet pengmarrje, pasi është trashëgimi brenda familjes. Sot shumica do të rrëzojë dekretin e zotit Meta dhe ftesa ime për opozitarët e rinj ësht që të bashkoheni për ta mbështetur. Dhuna e së shtunës së kaluar urdhërohet politikisht dhe kriminalisht nga Berisha dhe Basha. Përdorimi i molotovit është akt terrorist. Zoti Gjoni, Murrizi dhe Hajdari nuk bëjmë kurrë marrëveshje në kurriz të Kushtetutës, zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor”,- tha Balla.

Basha komenton kandidatët e PS: Janë kriminelë

Basha ka folur edhe në lidhje me kandidatë që PS ka vendosur për zgjedhjet e 30 qershorit duke i cilësuar disa prej tyre si kriminel apo vrasës me pagesë. Sipas Bashës kjo tregon se Rama nuk ka ndërmend të heq dorë nga krimi duke rrezikuar rënien e demokracisë në vend.

“Kush ul kokën dhe nuk bëhet pjesë e kësaj beteje do të jetë shërbëtor dhe skllav i krimit. Skenari tjetër është që Shqipëria të bie si demokraci, dhe natyrisht ne këtë skenar nuk mund ta pranojmë dhe betejën do të ngremë çdo ditë e më shumë, për të mposhtur këtë grusht shteti dhe këtë juntë. Zgjedhje me 30 qershor nuk do të këtë. Ne si opozitë iu kemi borxh qytetarëve të jemi në ballë të kësaj proteste. Vlera e një qeverie është kur zbatohet kushtetuta e ligji dhe nuk ka shans që shqiptarëve t’ju imponohen përdhunues dhe vrasës. Kandidatë në kundërshtim me ligjin nuk mund të kandidojnë.

Në fakt për shumicën e tyre provat kanë dalë dhe janë bërë publike, pavarësisht në disa raste disa media i shërbejnë amnezisë. Kjo është një thirrje të nxjerrin arkivin dhe ti marrin me radhë se kush janë këta kandidatë. Vrasës me pagesë si Abedin Uruci, Ymer Lala, të jemi në këtë betejë aq sa mundemi. Sa të mundeni hapni arkivin se këta janë të denoncuar me emër dhe mbiemër tash e pesë vite.

Ymer Lala është kriminel, Bedri Hoxha është ish deputetet i PD dhe në mënyrë absolute i bëj thirrje çdo demokrati të Matit të braktisë çdo përpjekje të tyre, sepse, çdo motiv që mund të ketë ai, që nuk ëhstë konsultuar me Partinë Demokratike, kthehet në një fasadë të Juntës së krimit. Kaq e thjeshtë është. Nuk ka e nuk do të ketë asnjë mbështetje. Por nuk është problemi Bedri Hoxha. Problemi është media grykëmbyllur që më kërkojnë mua prova për kriminelët që kam 5 vjet që i denoncoj. Prandaj këtyre mediave u bej thirrje të shikojnë arkivat. Dhe nëse ju pengojnë të shikoni arkivat, na informoni që të denoncojmë me emër dhe mbiemër ata që ju pengojnë të shikoni arkivat.” – tha Basha

Basha: Protestat vijojnë, jemi në grusht shteti

Pas mbledhjes së kryesisë PD-së, Basha ka dhënë një deklaratë për mediat ku ka sqaruar qëndrimin që do të mbajë opozita në vijimësi të aksioni të saj për rrëzimin e qeverisë dhe mosmbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor. Basha tha se protestat do të vijojnë dhe se vendi ndodhet në grusht shteti ku tashmë çdokush e ka marrë vesh se kjo qeveri ka ardhur në parlament me votë të vjedhur.

“Gjatë ditës së sotme, PD ka shqyrtuar gjendjen e rëndë ku ndodhet vendi pas asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, pas kapjes së Prokurorit të Përgjithshëm, sot Shqipëria ka kuptuar se fshihet makthi i Edi Ramës, i cili ka frikë nga zbardhja e dosjeve ku janë përfshirë kryeministri dhe banditët e Rilindjes për të vjedhur zgjedhjet në Dibër dhe në mbarë Shqipërinë. Gazeta Bild ka treguar se kemi një qeveri që udhëhiqet nga kriminelë dhe gangsterë, ka zbuluar sesi në përgjimet e Dibrës figuron vetë Edi Rama duke folur për të vjedhur vota. Zonja Gjylameti është vetë pjesë e votës 184, ndërsa zonja Spiropali duket se është pjesë e dosjes së Xibrakës. E vërteta që mbetet është që nuk ka njeri që nuk e ka marrë vesh se Rama ka vjedhur votat, se parlamenti është produkt i votës së vjedhur. Jemi në kushtet e grushtit të shtetit. Rama ka caktuar kursin e përplasjes me popullin.” – tha Basha

Skip to toolbar