Ambasadori i BE kërkon takim Rama-Basha

Më të fundit


“Është koha për kompromis”. Kështu është shprehur sot për gazetarët Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca.

“Ne kemi qenë të parët që kemi bërë ftesa për thirrje për dialog. Vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë në çdo moment dhe në çdo takim.  Është momenti për kompromis. Kompromisi do të thotë që Qeveria dhe Opozita takohen në mesin e urës. Unë mendoj se ura ekziston thjesht duhet gjendur”, tha ambasadori i BE-së, i cili ishte sot i pranishëm në aktivitetin për ngritjen e sistemit elektronik të deklarimit të pasurisë nga zyrtarët e lartë.


Në fjalën e tij ai theksoi nevojën për të luftuar korrupsionin në administratën shtetërore duke bërë të ditur se kjo vazhdon të mbetet një sfidë, por në këtë aspekt Shqipëria ka mbështetjen e ndërkombëtarëve.

“Lufta kundër korrupsionit është e një rëndësie thelbësore për të  gjithë qytetarët e Shqipërisë, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit.

Kostoja ekonomike e korrupsionit është e madhe, por kostot e shoqërisë janë më të mëdha.

Korrupsioni ka ndikim në funksionimin e administratës dhe në shërbimet që ofrohen. Por ka edhe një efekt shkatërrues për ekonominë e vendit. Kjo do të thotë më pak shkolla, më pak spitale më pak punë.

Shfarosja e korrupsionit është një përpjekje komplekse. Kryesisht është sfidë për qytetarët dhe institucionet, por jo vetëm.

Ne qëndrojmë të bashkuar kundër korrupsionit dhe ndajmë barrën e kësaj lufte.

Kjo luftë kërkon vullnetin politik të autoriteteve përgjegjëse dhe përkatëse ne vend. Këto autoritete janë marrësit e parë të këtij mesazhi nga BE.

Ajo që duket qartë nga korrupsioni është që në fund të fundit ata që janë më të ekspozuar janë qytetarë e thjeshtë, që nga studentët apo biznesmenët.

Lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet kyçe për Shqipërinë për të ecur drejt BE”, tha Soreca.

Prej muajsh tashmë vendi ndodhet në krizë politike, për shkak se deputetët e opozitës kanë dorëzuar mandatet dhe kanë braktisur kuvendin, ndërkohë që përmes protestave kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama.




Skip to toolbar