Mëngjesin e të hënës disa fermerë kanë
protestuar në qytetin e Korçës, pasi nuk janë lejuar të shesin produktet e tyre
nga policia bashkiake. Shkak është bërë mungesa e pajisjes me NIPT tregtar të fermerëve.
Për protestën e fermerëve ka reaguar dhe
Bashkia e Korçës, ku në një deklaratë për mediat, numri dy i kësaj bashkie,
Kletjon Kita u shpreh se fermerët duhet të pajisen me NIPT për të shituar në
tregun e qytetit.
“Nisem aksionin për mos lejimin e tregtarëve
në tregun e shumicës. Fermerët duhet të pajisen me nipt dhe të tregtojnë
prodhimet në markaton e shijes. Do vijojmë me aksionin për shmangien e
përplasjes mes tyre”, deklaroi Kita.
Në fakt, kanë qenë tregtrët e shumicës dhe pakicës,
të cilët tregtojnë në tregun agro-ushqimor të qytetit, ata që kanë kërkuar që
fermerët të pajisen me NIPT tregtimi pr të shituar në këtë treg.
Pavarësisht
dorëheqjes së Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së kryetarit të ri të
Bashkisë Shkodër, Partia Socialiste ka vendosur që në datën 19 gusht të bëhet konstituimi
i këshillit të ri bashkiak. Sipas ligjit “Për pushtetin vendor”, në nenin 61,
për “Përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë”, në pikën 1/a
thuhet se “mandati i kryetarit të bashkisë përfundon para afatit në rast kur
kryetari, nuk pranon të bëjë betimin”. Më pas, në pikën 2 të këtij neni,
përcaktohet dhe procedura që ndiqet në rastet e dorëheqjes.
“Kryetari i bashkisë në rastet e dorëheqjes e depoziton atë pranë këshillit bashkiak përaktës. Sekretari i këshillit, për ndjekjen e procedurave të nevojshme, njofton prefektin për dorëheqjen e kryetarit”, thuhet në pikën 2 të nenit 61. Në këto kushte, duket se mazhoranca nuk do të lejojë që procedurat e dorëheqjes së Valdrin Pjetrit t`i ndjekë sekretari i mëparshëm i këshillit bashkiak të Shkodrës, por përmes konstituimit të këshillit të ri, këtë detyrë do ta bëjë sekretari i ri i këshillit bashkiak.
Por
në këtë pikë, mazhoranca ka dhe arsye të tjera pse duhet të bëjë konstituimin e
këshillit bashkiak. Në kushtet kur Valdrin Pjetri nuk do të jetë më kryetar
bashkie, mazhoranca, duke shfrytëzuar nenin 61 të ligjit të pushtetit lokal,
duket se do të përdor një plan “B” për të drejtuar Shkodrën, duke mos e lënë
qytetin verior në dorë të Voltana Ademit, mandati i së cilës përfundon në datën
20 gusht. Konkretisht, në nenin 4, shkruhet se “Në rastet e përfundimit të
parakohshëm të mandatit, organizohen zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e
bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së
Shqipërisë”.
Por, duke marrë parasysh faktin që Ilir Meta mund të mos dekretojë një datë të re për zgjedhjet në Shkodër, dhe në kushtet kur 13 tetori nuk njihet nga qeveria si datë për zgjedhjet lokale (pasi e ka rrëzuar Kolegji Zgjedhor), mazhorancës i vjen në ndihmë pika 5 e nenit 61 të ligjit “Për pushtetin vendor”. Konkretisht, në këtë pikë thuhet: “Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë.
Në
rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me
shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga
zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e
kryetarit të ri”. Pra, kjo pikë mund t`i japë zgjidhje situatës në Shkodër, në
mënyrë që mazhoranca të ketë kontrollin e bashkisë. Por fillimisht, do të duhet
të sqarohet pika 4 e nenit 60, po në këtë ligj, ku shkruhet se “Ushtrimi i
mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe
përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës”.
Sipas
këtij përcaktimi ligjor, kryetarit të bashkisë i mbaron mandati kur bën betimin
i riu. Në këto kushte, mund të ekzistojë edhe një tjetër skenar, pavarësisht
dorëheqjes pa e bërë betimin, Valdrin Pjetri mund të betohet më 19 gusht sa për
të bërë të pavlefshëm mandatin e Voltana Ademit, dhe më pas të deklarojë
dorëheqjen zyrtare para këshillit të ri bashkiak, por duke emëruar një zëvendës
kryetar. Në këto kushte zgjidhet një zëvendës kryetar, që merr drejtimin e
Bashkisë Shkodër, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Drejtimi
i bashkisë nga zëvendëskryetari nuk është një rast i panjohur në vendin tonë.
Në 21 maj të vitit 2016, këshilli bashkiak i Bashkisë Dibër, vendosi të
emëronte zëvendës kryetarin e bashkisë, Et’hem Fida si drejtues të Bashkisë,
pas largimit të Shukri Xhelilit, që iu publikua një videoskandal. Fida e
drejtoi bashkinë e Dibrës deri në momentin që u mbajtën zgjedhjet e reja, data
e të cilave u përcaktua pas vendimit të formës së prerë nga gjykata.
Megjithatë, rasti Pjetri dhe Shkodra janë në kushte të tjera, por në thelb
është i njëjtë. Tashmë mbetet për t`u parë se çfarë do të ndodhë të hënën më 19
gusht, nëse do të jetë ky skenari, apo mazhoranca ka menduar diçka tjetër./Realstory.al/.
Kamza ka qenë një nga bashkitë më të rëndësishme
të drejtuara nga Partia Demokratike dekadën e fundit. Kryebashkiaku i kësaj bashkie
Xhelal Mziu, pas një periudhe të gjatë të drejtimit të këtij bastionit të
djathtë, tashmë do të largohet. Por, gjatë kësaj të diele, Mziu ka “kërcënuar”
duke u shprehur se nuk “e liroj karrigen”, pasi sipas tij zgjedhjet janë farsë.
“Na kthejnë në kohët më të errëta të
komunizmit. Rezultati nuk do çertifikohet, Rama mori goditjen e merituar nga
qytetarët. Qytetarët tashmë e dine se e keqja e vendit është qeveria, Rama
vulosi fundin e tij”.
“Nuk do e liroj karrigen e bashkisë për një pseudo kandidat qe nuk merr as 7 përqind te votave, zgjedhjet legjitime janë më 13 tetor. Jam i gatshëm të përballem në garë reale, postin e kryebashkikut e lë vetëm me votë të lirë”, është shprehur Mziu, për Ora News.
Xhelal Mziu bëhet kryebashkiaku i parë i
djathtë në detyrë që kërcënon se nuk do të lirojë karrigen e bashkisë së Kamzës,
pas zgjedhjeve të kësaj të diele. Sipas tij, postin e bashkiakut do e lirojë
vetëm kur të ketë votë të lirë. Në fakt, nuk dihet nëse PD dhe drejtuesit e
zgjedhur prej saj, që tashmë do të duhet të largohen nga postet që mbajnë, do të
kenë një plan tjetër për të penguar ardhjen e detyrë të bashkiakëve të rinj që
dalin pas zgjedhjeve të kësaj të diele.
Erion Veliaj ka zhvilluar një takim elektoral me banorët e Ndroqit, të
cilëve u ka premtuar se në mandatin tjetër do të ndërtohet një treg
agro-ushqimor, i cili do të jetë nën menaxhimin e bashkisë dhe jo të privatit. “Mezi
pres që të bëjmë disa gjëra për fshatin. Në mbledhjen e fundit të Këshillit bashkiak ne themeluam
Agjencinë tonë të tregut të shumicës publik, jo privat, për t’iu përgjigjur
kërkesës së shumë fermerëve këtu”, tha Veliaj.
“Krijimi i tregut të bashkisë, i
tregut publik, që të konkurrojë tregun privat dhe ti japë një alternativë
tjetër, për fermerin tonë ku mund të shesë sa të dojë kur të dojë, pa asnjë
pengesë, është mënyra më e mirë për ta çliruar këtë situatë”, u shpreh
kryebashkiaku.
Më tej, Erion Veliaj u shpreh se në mandatin e ardhshëm fokus i punës së
bashkisë në zonat rurale, do të jetë asfaltimi i rrugëve fundore në të gjitha
lagjet e Ndroqit. Me fokusin tek zhvillimi edhe i zonave rurale, Veliaj theksoi
se krahas përmirësimit të infrastrukturës kryesore, do të vijojë puna edhe për
projektin e rrugëve të brendshme të Ndroqit.
“Do të thotë që nëqoftëse në mandatin e
parë mbyllëm disa nga hallet kryesore, do kemi gjithë energjinë, gjithë
fuqinë dhe gjithë mbështetjen për të mbyllur edhe këto çështje. Tani që edhe
ARRSH-ja po na ndihmon që ne të futemi në rrugë kapilare në të gjitha lagjet e
Ndroqit”, deklaroi ai.
Brenda katër viteve, Bashkia e Tiranës ka kryer një sërë investimesh të
rëndësishme në zonën e Ndroqit. Janë ndërtuar rrugët e brendshme të fshatit
Ndroq , rruga që lidh rrugën nacionale
Tiranë – Durrës me shkollën 9-vjeçare “Seit Brahja”. Gjithashtu janë
rikonstruktuar rrugët e fshatit Haskolje, rruga për makina Pinet – Sauqet,
rruga Ndroq – Kërçukje-Zbarqe, rruga e fshatit Zhurje, rruga e fshatit Kalaç.
Krahas rrugëve, një investim i rëndësishëm është bërë edhe për rrjetin e
ri të ujësjellësit, ndërkohë që është punuare dhe për kanalet ujitëse duke i
dhënë një zhvillim gjithë ekonomisë lokale, sikurse është kanali ”Butac-Pinet”.
Një vëmendje i është kushtuar edhe infrastrukturës arsimore, ku pas shumë
vitesh, është rikonstruktuar shkolla 9-vjeçare në fshatin Shesh dhe terrenet
sportive, ndërkohë që puna do të vijojë edhe për shkollën e mesme “Sadi
Nuri” dhe rikonstruksionin e shkollës 9 – vjeçare “Ymer Kurti” duke
zgjidhur në këtë mënyrë edhe çështjen e arsimit. Gjithashtu puna do të vijojë
edhe me rrugët e tjera lidhëse.
Ka qenë vetë kryebashkiaku Erion Veliaj që ka zbuluar
mesazhin që i ka dërguar rivalit të tij për bashkinë e Tiranës. Veliaj ka dhënë
një intervistë dje për emisionin “Vizioni i Pasdites” në Vizion Plus ku ka
folur për zgjedhjet e 30 qershorit dhe bindjen e tij se kjo fushatë do të jetë
e qetë dhe qytetare. Ai tha se i kishte dërguar një mesazh urimi Arben Skënderajt
i cili është kandidati zyrtar i Bindjes Demokratike për Bashkinë e Tiranës dhe
rivali i vetëm i Veliajt në këto zgjedhje.
“I kam çuar një mesazh dhe i kam uruar shumë suksese dhe e kam ftuar për një betejë qytetare, ma kthehu në të njëjtën mënyrë duke mu përgjigjur që qyteti ka nevojë për një debat qytetar, për gjërat që mund të bëhen më mirë. Besoj që Tirana do të jetë prapë model i një fushate qytetare sepse njerëzit janë lodhur me sherre dhe bllokime dhe jam i lumtur që e njëjta gjë do të ndodhë nga dy kandidatët”, u shpreh Veliaj.
Së shpejti duket se shtepitë e Tiranës do të
furnizohen me ujë gjatë 24 orëve të ditës. Të paktën kështu premton
kryebashkiaku Veliaj, i cili njofton nisjen e punimeve për dyfishimin e
kapaciteteve të Bovillës.
“Ky nuk
është një instalacion arti. Me hapjen e motit, hapet sërish fronti i punës për
dyfishimin e impiantit të ujit në Bovillë pas 30 vitesh nga investimi i parë
kur Tirana kishte vetëm 250 mijë banorë! Kemi dyfishuar ujin në Tiranë këto 4
vjet, e çojmë në 24 orë/ditë me këtë investim”, shkruan Veliaj në Tëitter.
Paralelisht me investimet për burime të reja dhe për impiantin në Bovillë, Bashkia e Tiranës ka nisur një sërë investimesh të rëndësishme në këto katër vite dhe për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes, i cili për shkak të mungesës së vëmendjes dhe abuzimeve, ishte kthyer në një kulluese makaronash.
Janë 90 vende të lira pune në Bashkinë e Tiranës
dhe kryebashkiaku Veliaj thotë se kriter parësor janë notat e larta.
Veliaj ka qenë sot i pranishëm në panairin e
punës “Work & Study”, ku bëri të ditur se bashkia e Tiranës është e hapur për
të punësuar të rinj me rezultate të larta në studime. Ai tha se vendet e lira të
punës janë në administratën e Bashkisë, por edhe në drejtoritë e Tiranës.
“Bashkia e Tiranë ka 90 vende pune të lira,
përfshirë këtu edhe drejtoritë. I kemi dhënë fund praktikave pa para. Nuk ka më
skllevër. Tani kanë nisur praktikat ku studentët do të paguhen”, tha Veliaj.
Qazim Sejdini nuk do të kandidojë më për
postin e kryetarit të Bashkisë së Elbasanit. Kandidati socialist për këtë
bashki do të jetë Gledian Llatja. Kryeministri Rama e prezantoi sot në Elbasan
emrin e kandidatit të ri për kryetar bashkie.
“Qazimi po e mbyll mandatin me nder dhe me
gjurmë që do mbeten përgjithmonë në kujtesën e qyteti. Iu kam thënë na jepni
besimin se ne do ua shpërbejmë në 4 vjet për Elbasanin, sa ç’nuk është bërë në
të gjitha vitet e marra së bashku.
Kam dëgjuar edhe nga njerëz brenda PS se do
gjendet zgjidhje e do bëhen zgjedhje. Në 30 qershor në Elbasan do të bëhet një
festë e madhe, Qazimi do dorëzojë postin dhe do urojë fitoren pasrdhësit të tij
Gledit”, tha Rama, i cili nuk e fshehu ambicien për të fituar të gjitha
bashkitë e vendit.
“Ajaksi mund të dalë kampion Europe, por
kampion në Shqipëri ka qenë, është dhe do të jetë PS e Shqipërisë. Do të marrim
bashkitë, nga Kukësi në Skrapar, nga Shkodra në Sarandë. Të gjitha do i marrim
ne? Po, të gjitha do t’i marrim”, tha Rama.
Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së
Territorit ka depozituar në gjykatë një kallëzim penal ndaj kryetarit të Bashkisë
së Kavajës, Isa Sakja. Kallëzim gjithashtu është bërë edhe ndaj drejtoreshës së
Zhvillimit Urbanistik dhe kryeinspektorit të Mbrojtjes së Terriorit në këtë
bashki me akuzën e shpërdorimit të detyrës në dhënien e lejeve për shtatë
objekteve shumëkatëshe në dëm të territorit publik.
Isa Sakja është në krye të Bashkisë së Kavajës
prej dy vitesh dhe i përket Partisë Demokratike, ndërsa më herët ai është
akuzuar edhe nga kryeministri Edi Rama.
Njoftimi për kallëzimin nga IKMT
Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së
Territorit kallëzon penalisht pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë,
kryetarin e Bashkisë, Isa Sakja. Kryebashkiaku i Kavajës akuzohet për veprën
penale të shpërdorimit të detyrës. Së bashku me Kryetarin e Bashkisë, IKMT ka
kallëzuar penalisht edhe drejtoreshën e Drejtorisë së Kontrollit, Zhvillimit
Urbanistik dhe Pronave, si dhe Kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së
Territorit (IMT) Bashkia Kavajë, Dritan Kazazi. Gjatë kontrolleve periodike që
ushtron IKMT në bazë të ligjit në të gjitha bashkitë e vendit, ka vërejtur se
në Bashkinë e Kavajës, personat e akuzuar, duke vepruar, apo mosvepruar në
dhënien e lejeve të ndërtimit, apo kontrollit të ligjshmërisë, kanë cënuar
interesin publik dhe territorin publik në të paktën shtatë objekte shumëkatëshe
të ngritura në territorin e bashkisë Kavajë.
IKMT shpreh vendosmërinë e saj, në mbrojtjen e
territorit kundër abuzimeve të paligjshme, apo “të kopsitura” nga zyrtarë që
shkelin ligjet dhe besimin e qytetarëve.