“Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”, Tirana merr çmimin e madh

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ka ndarë super lajmin për rininë dhe Tiranën, e cila u vlerësua me çmimin si “Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”. Ceremonia e mbajtur në Amiens të Francës nxori triumfuese Tiranën si kryeqytetin më të mirë europian për rininë. Sigurisht që ky çmimin ishte një vlerësim i nismave të ndjekura nga Bashkia e Tiranës, ku në fokus ka pasur rininë dhe mbështetjen e saj që nga rikonstruksioni i konvikteve, krijimi i lehtësirave që ofron karta e studentit e kthyer në një realitet apo aktivitetet e shumta rinore që nxisin krijimtarinë dhe pjesëmarrjen e të rinjve në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike. Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash në organizimin dhe mbështetjen e aktiviteteve rinore si: Tirana Art Fest, Java Evropiane, Ditët e hapura të edukimit të BE, Ditët Rinore të Start Up-eve, Ditët e Rrjetëzimit të të Rinjve dhe Bizneseve etj. Edhe më të vegjlit kanë qenë në fokus të Bashkisë Tiranë, me ndërtimin dhe rikonstruksionin e çerdheve, kopshteve, shkollave dhe këndet e lodrave. Tashmë Tirana ka një tjetër imazh jo vetëm në sytë e të rinisë dhe qytetarëve të saj, por edhe në sytë e botës, duke u vlerësuar me një çmim kaq të rëndësishëm.

Tirana është zyrtarisht fituese e çmimit European Youth Capital 2022! Super lajm për qytetin e veçanërisht për të rinjtë që do jenë motori i vitit europian të rinisë 2022”, shkruan Veliaj duke ndarë një lajm të mirë për të gjithë.

Tirana ishte përzgjedhur si një nga pesë qytetet kandidate për t’u zgjedhur si Kryeqyteti Evropian për të rinjtë 2022. Nga dhjetëra qytete të Europës që aplikuan, mes pesë qyteteve finaliste ishte renditur edhe Tirana, krahas Kazanit (Rusi), Poznań (Poloni), Varaždin (Kroaci) dhe Baia Mare (Rumani). Qytetet finaliste për EYC 2022 u përzgjodhën nga një panel i pavarur si Parlamenti Europian, Komiteti i Rajoneve, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Komiteti Ekonomik dhe Social Europian, Këshilli i Bashkive dhe Rajoneve Europiane, Këshilli Këshillimor i Rinisë i Këshillit të Europës, Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, Schëarzkopf Foundation Young Europe, Iniciativa e Shoqërisë së Hapur për Europën, IDEA Ndërkombëtare, EurActiv, Lëvizja Evropiane Ndërkombëtare, Eurodesk dhe Forumi Europian i Rinisë. Vlerësimi i Tiranës si kryeqyteti më i mirë për rininë nga një komision i gjerë, duhet të na bëjë të gjithëve krenarë.

“Basha në vilë”, Bashkia: S’raportoi dëm nga tërmeti

Pasi Partia Demokratike konfirmoi se Lulzim Basha ndërroi shtëpi për shkak se apartamenti i tij në katin e 12-të po rikonstruktohet pas dëmtimeve që mori nga tërmeti, ka reaguar edhe Bashkia e Tiranës. Zyra e shtypit të Bashkisë Tiranë tha se nuk ka asnjë deklaratë apo shkresë se në pallatin ku ndodhet apartamenti i kreut të PD Basha të ketë pësuar dëmtime nga tërmeti. Gjithashtu bashkia shton se nuk ka as aplikime për leje punimesh dhe se nuk ka dhënë një të tillë për familjen Basha.

 “Teksa dihet publikisht që z.Basha ka ndërtuar pa leje kate shtesë në pallatin e tij, pranë Stadiumit Kombëtar në Nj.. 2, as ditën e tërmetit e as sot nuk është deklaruar asnjë dëm. Për më tepër, administratori i Nj. 2 as nuk ka marrë aplikim për punime meremetimesh nga tërmeti e kësisoj, as nuk ka dhënë një leje të panevojshme e të pa kërkuar nga familja Basha.”,- thuhet në sqarimin e zyrës së shtypit të Bashkisë Tiranë për Report TV.

Partia Demokratike reagoi në lidhje me shpërnguljen e Bashës përkohësisht pas aludimeve në media se ai ishte zhvendosur në një super vilë që kushton mijëra euro. PD tha se zoti Basha dhe familja e tij janë zhvendosur përkohësisht në një banese me qira që është më e vogël sesa banesa e tij në rindërtim.

Rama i jep ‘bekimin’ Veliajt: Mbështesim çdo projekt

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në ceremoninë e konstituimit të Këshillit Bashkiak dhe betimit të Erion Veliajt në mandatin e dytë në krye të Bashkisë Tiranë. Gjatë fjalës së tij, Rama u kërkoi këshilltarëve të rinj të ruajnë lidhjet me qytetarët, ndërsa u shpreh se gjatë katër viteve të para të Veliajt në kryeqytet janë bërë punë të mira. Një ndër arritjet e bashkisë, sipas kryeministrit, ishte fakti që gjatë mandatit të Erion Veliajt është dyfishuar taksa për lejet e ndërtimit, të cilat kanë arkëtuar më shumë para në arkën e Bashkisë. Rama gjithashtu foli dhe për teatrin, duke u shprehur se ai aktuali do të shembet, dhe në tokën e tij, do të ndërtohet i riu. Kryeministri tregoi se nuk do të preket asnjë centimetër tokë nga trualli aktual që ka teatri. Gjithashtu, kreu i qeverisë premtoi dhe ndërtimin e një teatrit të ri kukullash për fëmijët. Më poshtë disa pjesë nga deklarata e Ramës gjatë konstituimit të Këshillit Bashkiak në Tiranë.

Betimi i Veliajt, Rama: Me paratë e ‘oligarkëve’ kemi strehuar rreth 2 mijë familje

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në konstituivin e Këshillit Bashkiak në Tiranë dhe ceremoninë e betimit për mandatin e dytë të Erion Veliajt. Rama mbajti një fjalim të gjatë dhe të mbushur me mesazhe, jo vetëm për opozitën, por edhe për anëtarët e rinj të këshillit bashkiak. “Uroj të gjeni në çdo hap arsye dhe vullnet për të rritur angazhimin në komunitet. Këshilli i shkuar ka qenë rëndom peng i politikë dhe është bllokuar me urdhra nga jashtë kësaj salle, por kjo nuk e ka penguar vendimmarrjen. Por kujdes njësoj e dëmshme do të ishte njësoj sikur numrat e sotme të sillnin mungesën e debatit dhe të prodhonin vendime në mungesë transparente. Askush nuk duhet ta harrojë se në 30 qershor banorët e Tiranës, votuan për të drejtën jo thjesht për të majtës. Duke marrë këtë në mendje, duhet të udhëheq çdo ditë punën tonë”, u shpreh Rama. Mesazhi për opozitën ka qenë lidhur me akuzat “se qeveria po u jep gjithçka oligarkëve”.

Rama u shpreh, se në kohën që bashkia drejtohej nga Lulzim Basha, në arkën e kryeqytetit u derdhën 11 milionë euro nga ‘oligarkët’ për 680 mijë metra katrorë leje ndërtimi të dhënë nga Basha. Ndërkohë, në katër vite që bashkia drejtohet nga Velia, arkës së bashkisë i janë derdhur 52 milionë euro, për 550 mijë metra katrorë leje ndërtimi të firmosura nga kryebashkiaku Veliaj.  “Më lejoni të filloj nga oligarkët, rëndom ndërtimaria është tabela e qitjes së tyre. sipas avazit të vjetër, çdo leje ndërtimi është aferë. Sa i paguanin oligarkët arkës së kryeqytetit deri dje? 4%, po sot? 8%. Pra e kemi dyfishuar. Në vitin 2014 Lulzim Basha firmosi leje për 680 mijë metër katrot leje ndërtimi, bashkia arkëtoi 11 milion euro. Veliaj firmosi 550 mijë metër katror leje ndërtimi, duke arkëtuar mbi 50 milion euro”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit, ky taksim dyfish ndaj ‘oligarkëve’ ka pasur pasoja të rëndësishme dhe pozitive për qytetarët. Sipas tij, duke taksuar më shumë të pasurit, janë dhënë 1 mijë kredi të buta për strehim, dhe 830 bonuese qiraje. “Duke i taksuar më shumë të pasurit janë dhënë 1 mijë kredi të buta për strehim. 830 bonuese qiraje krahasuar me 89, pra 10 herë më shumë sesa në 4-vjeçarin e tyre. 120 banesa për romët -0 në 4-vjeçarin e Bashës. Sa për Kullat ja t’i numërojmë. Janë kulla të ngritura me baltë shpifje, saqë meraku mos shpifjet kthehen në kulla nuk është e aspak e pavend. Kulla si bukë, PPP si djathë. Unë numëroj vetëm 2 kulla, Plazën dhe Kulla në ndërtim, 2 kulla e stadiumit dhe ajo te banka e Shqipërisë, 4 kulla dhe 4 miliardë llafe për kullëzimin apokaliptik të Tiranës. 880 mijë m2 në vetëm 85 leje, ndërsa Veliaj, 130 m2 më pak për 100 leje ndërtimi më shumë”, tha Rama.

Rama: Teatri i ri në tokën e të vjetrit, s`do paguajnë qytetarët për ndërtimin

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës që mbajti në konstituimin e këshillit të ri bashkiak të Tiranës, ka folur edhe për një nga temat më të nxehta të debatit publik në vend, shembja e Teatrit Kombëtar. Rama u shpreh se teatrit nuk do t`i merret asnjë centimetër truall nga ai që është aktualisht.  “Teatri ka kaq shumë dekada të humbura dhe do t’i jepet fund lumenjve të marrëzisë. Nuk duam të zgjatem me këtë temë të stërgjatur, por është kthyer në teme ditë nga kundërshtarët tanë të dëshpëruar. Është vendi për të thënë , se e para, ndryshe nga sa shpifet, asnjë cm truall brenda kufijve të sotëm të Teatrit nuk do të përdorët për asgjë tjetër përvecse për Teatrin e ri”, tha Rama.

Më tej, kreu i qeverisë saktësoi se trualli që do t`i jepet privatit për ndërtim është një hapësirë skandaloze parkimi, e cila nis pas murit fundor të teatrit, dhe do të jepet në këmbim të investimit që privati do të bëj për ndërtimin e teatrit të ri. “Trualli i bashkisë që i kalon privatit për ndërtim, është hapësirë skandalozë parkimi, ajo gjendet pas murit fundor të Teatrit. Ai truall do të jepet në këmbim të investimit, që privati do të bëjë për ndërtimin e godinës së teatrit, që ka një kosto të papërballueshme për qeverinë dhe bashkinë. Bashkimi i interesave publike dhe private është ideal për qeverinë dhe bashkinë, pasi nuk i kushton taksapaguesve asnjë qindarkë. Pasi vendi përfundon më në fund një teatër të ri, sepse zhvillimi i zonës së kalbur pas kufirit ku ndodhet teatri i jep Tiranës më shumë jetë, duke ndriçuar një zonë të zymtë”, tha Rama.

Në fund të fjalës për teatrin, Rama tha se godina aktuale nuk mund të restaurohet pasi është e pamundur për shkak të materialit që ndërtuar struktura e teatrit. “E katërta, as nuk po shembin ndonjë vlerë të rrallë arkitektonike. Madje është merita e jonë, që pjesa e çmuar që i përket asaj kohe doli nga zona ku ishte errësuar. Edhe sikur të donim ta ruanim dh eta restauronim ngrehinën e sotme të Teatrit do ishte thuajse e pamundur, por edhe e kotë dhe absurd. Materiali I asaj ngrehine ka jetëgjatësi të përcaktuar, ai material është i parikuperueshem. Por do ishte edhe e kotë, pasi ajo ngrehinë nuk ka as vlera dhe as kushte. Pakica që proteston e bën në emër të disa vlerave imagjinare”, tha Rama.

Tirana me dy teatro kombëtar, Rama: Do mbështesim projektet e Veliajt

Në mandatin e ardhshëm katër vjeçar të Erion Veliajt në krye të bashkisë së Tiranës, kryeqyteti pritet të jetë përsëri një kantier ndërtimi. Të paktën kështu la të kuptohet gjatë fjalës së tij Kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se qeveria do të mbështesë zbatimin e disa projekteve madhore në kryeqytet, si rikonstruksioni i Piramidës, ndërtimi i kampusit të ri universitar, ndërtimi i teatrit të ri kombëtar për fëmijët, kopshtin zoologjik etj.

“Piramida që do hapet, kampusi i ri universitar që  do ndërtohet brenda këtij mandati të sapo nisur sot, teatri tjetër kombëtar për fëmijët pas këtij për të rriturit, kopshti i ri zoologjik, unaza e madhe ajo që shtrihet përtej unazës së re dhe lidhet me Bregun e Lumit, parku olimpik që duhet të plotësohet sheshi Nënë Tereza që do të këmbësohet dhe ndërtesa e re e akademisë së arteve. Nuk do shembin këtë që është, por pjesa plotësuese që asaj i ka ardhur fundi u ndërtua në komunizëm por nuk është më. Biblioteka kombëtare, rrjeti i ri i agroturizmit”, tha Rama.

Rama gjithashtu ka bërë një paralelizëm të ndërtimit të shkollave dhe kopshteve gjatë kohës që Tiranën e drejtonte Lulzim Basha, dhe gjatë mandatit të parë të Erion Veliajt.  “Nga 0 shkolla ndërtuam 5 të reja. 17 të tjera janë në proces me arkitektë ndërkombëtarë, projekt i përbashkët me PPP ku do të ketë 30 nxënës në klasa dhe vetëm një turn.  Nxënësit u bënë për turn të tretë, para 4 vjetësh në kohën e Bashës, por ishin vështirësisht të numërueshëm. Brenda 3 vjetësh do ndërtohen dhe shlyerja do bëhet në një kohë sa ta përballojë buxheti i shtetit. 9 kopshte në kohën e Bashës, me 36 të tilla sot. 7 çerdhe “dje” me 28 të tilla “sot” dhe jo kopshte si ato ku çdo javë plaste një skandal mbi ushqimin problematik. Nga 0 biblioteka me “sot” 7 të tilla”, tha Rama.

Veliaj betohet mes “dy katunarëve”: Kam rënë në dashuri me bashkinë

Erion Veliaj u betua si kryetar i Bashkisë së Tiranës duke marrë mandatin e tij të dytë. Ai do të drejtojë Bashkinë Tiranë për 4 vitet e ardhshme, ndërsa betimi i tij u bë në prani të këshillit të ri bashkiak dhe kryeministri Rama. Gjatë fjalës së tij, i emocionuar, Veliaj tha se ai është dashuruar me bashkinë duke falënderuar PS që ia besoj drejtimin e Tiranës.

Kam rënë në dashuri me Bashkinë, sot jam dyfish i nderuar për besimin që mu dha nga PS dhe nga qytetarët e Tiranës, dhe e kuptoj edhe Edi Ramën kur ma ka dhënë detyrën se sa të vështirë e ka pasur. Nuk mjafton vetëm të krijojmë një histori të Tiranës, duhet ta komunikojmë këtë histori të Tiranës, reformave dhe punës në administrimin e Tiranës. Unë besoj që arritja më e madhe është njerzillëku, fakti që këtij qyteti i shërbejmë në një mënyrë që rrogat në shtet nuk janë të atij niveli që i shohim në privat, por bashkia shihet si mision ndaj qytetarit. Kjo më bën të ndihem i përkulur dhe shumë krenar për stafin e Bashkisë së Tiranës“, tha Veliaj

Ceremonia është shoqëruar me batuta, ku Veliaj duke theksuar investimet që duhet të bëhen në periferi të Tiranës, ka përmendur edhe faktin se “ndodhet mes dy katunarëve” duke ju referuar kryeministrit Rama dhe kreut të ri të Këshillit Bashkiak, Toni Gogu. Veliaj i quajti të dy katunarë, nisur nga fakti që kryeministri Edi Rama jeton në Surrel dhe Toni Gogu është nga Peza.

Një katunar nga Peza, Toni Gogu…Kemi dy katunar këtu tani që (Rama) është transferuar atje dhe na sjell përditë lajme nga fshati. Duhet të përmirësojmë vendimmarrjen ndaj fshatit, përfaqësimin 50 me 50 të vajzave dhe grave. Kemi një përfaqësim dinjitoz nga fshati, dhe disa nisma konkrete përtej gjelave të Baldushkut apo tregu publik i shumicës në Farkë!”, tha Veliaj.

Bulevardi i Ri me emrin “Çamëria”, Sejko: Përgëzojmë bashkinë, ishte detyrim kombëtar!

Në mbledhjen e të premtes, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi unanimisht, që emri i Bulevardit të Ri të jetë “Çamëria”. Kështu qytetarët e Tiranës, por në veçanti shqiptarët me prejardhje nga krahina e Çamërisë, do të kujtojnë përherë vuajtjet e popullësisë shqiptare të Çamërisë, e shpërngulur me forcë nga qeveritë greke në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Ky vendim është pritur mirë edhe nga komuniteti Çam, ku nëpërmjet Shoqatës Patriotike Çamëria, kreu i saj Dritan Sejko, ka shprehur përgëzimin për Bashkinë e Tiranës për vendimin e marrë.

“Shoqata Patriotike “Çamëria” përgëzon vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, për emërtimin e sheshit “Çamëria” në Bulevardin e Ri të Tiranës. Kërkesa e kahershme e Shoqatës Patriotike “Çamëria”, që kryeqyteti të kishte një shesh me emrin e Çamërisë, trevës martire të shqiptarëve, ishte një detyrim kombëtar”.

U desh këmbëngulja e Shoqatës Patriotike Çamëria dhe anëtarit të Këshillit Bashkiak,të PDIU-së, zotit Arjan Çukaj, që pas 4 vitesh, Bashkia e Tiranës të realizonte premtimin e dhënë që në muajin qershor të 2015-të. Shqiptarët e Çamërisë të vendosur në qytetin e Tiranës, pas shpërnguljes me dhunë në vitin 1944-1945, jetojnë prej 75 vjetësh me bashkëqytetarët e tjerë të kryeqytetit, duke ndërtuar bashkë në harmoni jetën e tyre dhe të ardhmen e fëmijëve”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e bërë nga Dritan Sejko.  

Më tej, duke e cilësuar këtë si një arritje të Shoqatës Çamëria, Dritan Sejko kujton se politika kohët e fundit ka tentuar ta vendosi Çamërinë në sirtarët e harresës, ndërsa u bën tirrje qytetarëve të marrin pjesë në marshimin e 27-qershorit në varrezat Monumentale të Kollgjerit në Konispol.

27 qershori është dita e përkujtimit të masakrave në çamëri, ku NE çdo vit, përkujtojmë të parët tanë. Edhe këtë në vit, ftojmë të gjithë shqiptarët të marrin pjesë pelegrinazhin e përvitshëm në Qafë-Botë dhe në varrezat Monumentale të Kllogjerit, në Konispol. Çamëria nuk harron!  Ne nuk harrojmë!  Sot është koha për Çamërinë”, përfundon deklarata e Shoqatës Çamëria.

PD: “Veliaj 20 vendime fshehtaz”, por opozita mungon prej nje viti

Pas mbledhjes të së premtes të Këshillit Bashkiak të Tiranës, ku janë miratuar disa vendime përfshi dhe dhënien e ndihmës financiare për banorët e prekur nga Tërmeti në Korçë, ka ardhur reagimi i Partisë Demokratike. Kjo e fundit, nëpërmjet përfaqësuesit të këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës, Kreshnik Çollaku, ka reaguar për mbledhjen duke u shprehur se më shumë se 20 vendime janë miratuar në vetëm 12 minuta.

Sot Këshilli Bashkiak i Tiranës, Parlamenti i Tiranës ka arritur një tjetër rekord, sa komik aq edhe tragjik. Këshilli Bashkiak i Tiranës, siç publiku ka patur mundësinë ta shohë, ka hapur dhe mbyllur mbledhjen e tij, ka miratuar më shumë se 20 vendime në vetëm 12 minuta.  Kjo është tragjike dhe një fyerje e madhe për qytetin e Tiranës dhe qytetarët e tij”.

Në fakt, në rreshtat e deklaratës së PD, evidentohet fakti që këshilltarët e djathtë kanë bërë punën e tyre me ndershmëri për mbrojtjen e qytetit nga vendimet e padrejta, por këshilltarët e PD-së kanë më shumë se një vit që kanë braktisur mbledhjet e Këshillit Bashkiak.

Në 4 vite Partia Demokratike dhe këshilltarët e saj i kanë qendruar besnik çdo vote të çdo qytetari të Tiranës që na dha besimin. Partia Demokratike dhe këshilltarët e saj, bashkë me opozitën e bashkuar në Këshillin Bashkiak kanë luftuar çdo ditë për të justifikuar këtë votë, për të mos lejuar të ngrihen taksat, të varfërohet qyteti e të vështirësohet jetesa”, thuhet në deklaratën e PD.

Këshilltarët e Djathtë, ndonëse nuk e kanë dhënë dorëheqjen apo siç do ishte ndryshe shembulli i opozitës parlamentare “djegia e mandateve”, nuk marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak prej vitit të kaluar, kur nisën diskutimet për Teatrin Kombëtar. Ndaj deklarata e këshilltarëve të djathtë për mbledhjen e të premtes të Këshillit Bashkiak është në kundërshtim me vetë aksionin e tyre, që nga njëra anë thonë i kemi qëndruar çdo ditë besnik çdo vote, dhe nga ana tjetër në mbledhje nuk shkojnë prej më shumë se një viti.

Megjithatë, duke renditur disa nga ato që këshilltarët e djathtë i quajnë qëndresa të këshilltarëve të opozitës, në fund të deklaratës së PD, u bëhet thirrje qytetarëve të Tiranës që të marrin pjesë në protestën e ditës së shtunë datë qershor.

Fjalët kanë mbaruar. Arsyet i kemi dhënë të gjitha. Njerëzit, qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë po e shohin çdo ditë degradimin e këtij pushteti. Prandaj përgjigja, beteja për një Shqipëri pluraliste, të lirë e demokratike, dhe për një Tiranë të shpëtuar nga dhëmbët e oligarkëve, mafies dhe klaneve të pushtetit, është vetëm një: të shtunën me 8 qershor të gjithë në protest për Shqipëqrinë, për pluralizmin, por edhe për një Tiranë jashtë thonjëve të mafies dhe të krimit të organizuar”, përfundon deklarata.

Panairi i produkteve bujqësore, Veliaj: Fokusi ynë ekonomia lokale

Këtë të mërkurë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, është çelur panairi tre ditor i produkteve vendase të Tiranës, i organizuar nga bashkia e kryeqytetit. Pjesëmarrëse në këtë panair kanë qenë biznese të vogla nga fshatrat e Tiranës, që merren me agroturizëm, të cilat kanë ekspozuar produktet e tyre.

Kryebashkiaku Veliaj ka vizituar stendat e këtij panairi, ku ka parë nga afër ekspozimin e produkteve të zonave rurale të Tiranës. Veliaj u shpreh se “edhe pse kemi disa tregje shumë të mira si Pazari i Ri apo tregjet e hapura nëpër lagje, por unë besoj se vetëm kur e sjellim në qendër të qytetit bujqësinë, do të thotë se e kemi seriozisht këtë punë, tregojmë që në sheshin tonë kryesor i kushtojmë tre ditë të gjithë atyre që jetojnë me djersë, ndershmëri, duke punuar tokën, duke punuar fermat e tyre, që sot është një realitet krejt tjetër në Tiranë”, tha Veliaj.

Duke pasur parasysh shifrat e INSTAT për ekonominë, Veliaj shtoi se Tirana është motori i ekonomisë së vendit. “Shqipëria po rritet ekonomikisht 4.5-5%. Ama, lajm akoma më i mirë ishte se Qarku i Tiranës po rritet me 8.5%, kurse lajmi i mirë fare është se Bashkia e Tiranës rritet me mbi 10%. Nuk ka asnjë dyshim se Bashkia e Tiranës është motori i ekonomisë, por nëse është motori i ekonomisë për të gjitha fushat, nuk ka asnjë arsye pse të mos jetë motori edhe i ekonomisë bujqësore dhe fermave”, nënvizoi Veliaj, teksa siguroi se bujqësia dhe agroturizmi do të marrin një vëmendje të shtuar.

Fokusi i punës së Bashkisë së Tiranës në këto katër vite ka qenë edhe përmirësimi i infrastrukturës dhe i shërbimeve në zonat rurale. Këto rrugë, jo vetëm kanë lehtësuar lëvizjen e automjeteve, por në të njëjtën kohë kanë afruar edhe më shumë banorët që tregtojnë produktet bujqësore të zonës me tregjet e Tiranës. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në zonat rurale, shoqërohet me rritje dhe diversifikim të prodhimit bujqësor, që në periudhë afatgjatë rrit të ardhurat dhe përmirëson cilësinë e jetës së banorëve të këtyre zonave.

Për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, Këshilli Bashkiak i Tiranës mori vendimin për të thyer monopolin e tregut të shumicës. Ndryshe nga shumë vite më parë, tashmë fermerët do të mund të tregtojnë produktet e tyre në tregje që plotësojnë të gjithë standardet.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak morëm vendimin për ta thyer monopolin e tregut të shumicës në Kashar. Nuk mund të kemi një monopol ku çdo fermer i yni duhet të paguajë një taksë shumë të lartë që të hyjë te një privat, që e kishte nga ish-qeveria e kaluar. Kemi vendosur që bashkia, në anën tjetër të qytetit, në zonën e Farkës dhe të Lundrës, të hapim një treg agro-ushqimor të shumicës, për t’i thënë njerëzve që ke dy mundësi: tregun e shtetit dhe atë të privatit. Ndodh që në Bashkinë e Tiranës e bëjmë më mirë dhe më lirë të njëjtën punë që privati e bën shumë më shtrenjtë”, theksoi Veliaj.

Hapja e fushatës, Veliaj: Të mendojmë për gjeneratën e ardhshme, SHQUP-it i ka mbetur ora

Pasditen e kësaj të shtune, në parkun “Olimpik” në Tiranë, Partia Socialiste nisi zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Gjatë prezantimit të tij, kryetari i bashkisë Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se zgjedhjete  30 qershorit janë për gjeneratën e re. “Kjo është Tirana jonë. Kjo është Partia Socialiste e Shqipërisë, kjo është fitorja jonë e madhe, një mirëseardhje për të gjithë miqtë nga Shkodra, Kukësit, Elbasanit dhe të gjitha qarqeve të tjera. Sot është 1 Qershori, PS-ja ka menduar për gjeneratën e ardhshme dhe jo zgjedhjet e ardhshme, gjithmonë. Edhe sot po takohemi në një hapësirë që është për të rinjtë dhe fëmijët. Para katër vitesh bashkisë së Tiranës i kishte ngecur ora, tani i ka ardhur ora, por SHQUP-it i ka mbetur ora”, tha Veliaj.

Më tej, Veliaj u shpreh se pas katër javësh duhet të fitojë Shqipëria dhe fëmijët kudo që janë. Ai tha se më 30 qershor qytetarët shqiptarë e kanë vetë në dorë për ti dhënë fund tranzicionit. “Ne nuk mund tu themi fëmijë se Shqipëria nuk do të ketë zgjedhje dhe do të bllokohet, se një grup fëmijësh të parritur nuk janë gati për betejë. Prandaj në 30 Qershor duhet të fitojë Shqipëria dhe fëmijët kudo që janë. Shqipëria ka bërë progres, ama në 30 qershor e kemi vetë në dorë që ti japim fund tranzicionit dhe të jemi vendi dinjitoz. Gjatë këtyre viteve jemi mundur që ku ka pasur një mundësi dhe nevojë. Me Edi Ramën dhe të gjithë bashkitë atë që kemi bërë në Tiranë do të bëjmë në të gjithë Shqipërinë”, u shpreh Erion Veliaj.

Në fund, ai ftoi dy artistë, Eneda Tarifa dhe Gazmend Paja si dhe dy sportistët, Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega, të cilët shrpehën mbështetjen e tyre për kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj që kandidon në këto zgjedhje për një mandat të dytë.

“Sot me ne nuk janë vetëm socialistët, pasi besojnë se vetëm PS-ja mund ta qeverisë cdo bashki me dinjitet. Për të gjithë ata për të cilët fëmijë është më i rëndësishëm se partia dhe nuk duan të kthehen në 1997 dhe e duan Shqipërinë si gjithë Europa, është Partia Socialiste. Ka njerëz të cilët mendojnë se vetëm ne socialistët e kemi këtë opinion, por ftoj dy miqtë e mi sportisë dhe artistë. Para se Edi të fillojë, i kemi dëgjuar edhe të tjerët, nuk kanë ide dhe vizion thonë vetëm ‘Rama ik’. Si provë e faktit që i kemi dëgjuar, ca herë jemi dakord, po Rama duhet të ikë përpara fort për të drejtuar Shqipërinë”, përfundoi Veliaj.

Pas Kadaresë, edhe shtëpia e Dritëro Agollit do të bëhet muze

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka qenë i pranishëm në hapjen zyrtare të shtëpisë muze të shkrimtarit Ismail Kadare. Shtëpita e rikonstruktuar është hapur zyrtarisht për vizitorët vendas dhe të huaj, të cilët do të njihen me ambientet e shtëpisë ku jetoi dhe ka shkruar shumë nga veprat letrare shkrimtari ynë ndërkombëtar, Ismail Kadare.            

“Shprehja e Ismailit se gjithmonë ka kohë që njeriu të bëjë diçka të dobishme për vendin e tij, është fantastike. Në njëfarë mënyre gjetëm kohë, në shumë punë që ka qyteti, të bëjmë diçka të dobishme për vendin tonë, jo diçka ekskluzive të Tiranës, por diçka që lartëson, por edhe që hap një dritare për një nga figurat më emblematike, një nga markat më të njohura ‘Made in Albania’, që është Ismail Kadare, Helena dhe familja e tyre, si dhe vepra që ka buruar nga kjo shtëpi”, tha Veliaj.

Por puna për të shndërruar në muze shtëpi ku kanë jetuar personalitete të njohura të letrave shqipe nuk do të ndalet këtu. Erion Veliaj është shprehur se pas shtëpisë së Kadaresë, radhën e ka ajo e Dritëro Agollit.

“Ne jemi duke eksploruar edhe hapësirat e tjera në Tiranë, që ashtu si shtëpia e Ismailit edhe Dritëroit, të kemi edhe hapësira të tjera që mund t’i kthejmë të vizitueshme, edhe në cepa të ndryshme të qytetit, për të mos u fokusuar në pjesën tonë qendrore. Ne duam që me këtë rast, të fillojmë një traditë shumë të bukur të muzeumeve vendore”, theksoi Veliaj.

Rikonstruktohet çerdhja Nr.17, Veliaj: Çerdhet publike më të mira se privatet

Tiranës i është shtuar një tjetër çerdhe e rikonstruktuar. Bëhet fjalë për çerdhen Nr. 17, ku përfitojnë 120 fëmijë. Investimi për rehabilitimin e kësaj çerdheje është mundësuar nga Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Ambasadën e Izraelit dhe Dhomën e Tregtisë Shqipëri-Izrael.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori i Izraelit, Boaz Rodkin, së bashku me deputeten e PS, Blerina Gjylameti, Koordinatorin e Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Izrael, Elton Nake, Kreun e Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi inspektuan përfundimin e punimeve të kopshtit të ri.

“Jam shumë i nderuar sot që e kemi kthyer në një traditë me ambasadorin, që çdo maj e kthejmë në një mundësi për të shërbyer në komunitet, herën e kaluar duke mbjellë pemë, këtë vit duke mbjellë të ardhmen e këtij qyteti që janë fëmijët, djemtë dhe vajzat që shkojnë në çerdhe”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se çerdhet dhe kopshtet e rikonstruktuara ofrojnë standarde shumë herë më të mira se ato në privat. “Nëse ka një gjë që jam krenar këto katër vitet e fundit është se falë punës së bashkisë, por edhe gjithë dashamirësisë së dhomave të tregtisë, ambasadave të ndryshme dhe sipërmarrjeve, çerdhet dhe kopshtet e Tiranës jo vetëm janë më të mira se privati, por edhe më të mira në rajon, ndoshta edhe në shumë vende të tjera të botës. Për këtë standard që kemi vendosur gjithmonë do të pranojmë ndihmën e kujtdo që te ngremë stekën akoma më lart”, deklaroi ai.

Ambasadori i Izraelit në vendin tonë, Boaz Rodkin siguroi se sikurse është bërë tashmë traditë, mbështetja e shtetit që ai përfaqëson do të vijojë edhe me të tjera projekte. “Këtë vit, kemi menduar për një startup më të mirë për fëmijët, në këtë komunitet, në këtë lagje, është një projekt që nuk do të mund ta kishim realizuar pa mbështetjen e Bashkisë, të Dhomës së Tregtisë. Këtë projekt e realizuam së bashku, dhe jemi vërtet krenarë, dhe duam ta kthejmë këtë në një traditë, dhe vitin tjetër të realizojmë një tjetër projekt në qytetin e Tiranës”, tha Rodkin.

Në kopshtin 17, në bashkëpunim me donatorët, janë mundësuar punimet e brendshme, të cilat konsistojnë në suvatim, shtrim pllakash, shtrim laminat, si dhe të gjithë instalimet elektrike dhe hidraulike. Gjithashtu, janë kryer edhe punimet e jashtme, sistemimi i hapësirës së gjelbër, krijimi i këndeve të lojërave dhe rikonstruksioni i plotë i të gjithë fasadës.

Skip to toolbar