Panairi i produkteve bujqësore, Veliaj: Fokusi ynë ekonomia lokale

AKTUALITET


Këtë të mërkurë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, është çelur panairi tre ditor i produkteve vendase të Tiranës, i organizuar nga bashkia e kryeqytetit. Pjesëmarrëse në këtë panair kanë qenë biznese të vogla nga fshatrat e Tiranës, që merren me agroturizëm, të cilat kanë ekspozuar produktet e tyre.

Kryebashkiaku Veliaj ka vizituar stendat e këtij panairi, ku ka parë nga afër ekspozimin e produkteve të zonave rurale të Tiranës. Veliaj u shpreh se “edhe pse kemi disa tregje shumë të mira si Pazari i Ri apo tregjet e hapura nëpër lagje, por unë besoj se vetëm kur e sjellim në qendër të qytetit bujqësinë, do të thotë se e kemi seriozisht këtë punë, tregojmë që në sheshin tonë kryesor i kushtojmë tre ditë të gjithë atyre që jetojnë me djersë, ndershmëri, duke punuar tokën, duke punuar fermat e tyre, që sot është një realitet krejt tjetër në Tiranë”, tha Veliaj.


Duke pasur parasysh shifrat e INSTAT për ekonominë, Veliaj shtoi se Tirana është motori i ekonomisë së vendit. “Shqipëria po rritet ekonomikisht 4.5-5%. Ama, lajm akoma më i mirë ishte se Qarku i Tiranës po rritet me 8.5%, kurse lajmi i mirë fare është se Bashkia e Tiranës rritet me mbi 10%. Nuk ka asnjë dyshim se Bashkia e Tiranës është motori i ekonomisë, por nëse është motori i ekonomisë për të gjitha fushat, nuk ka asnjë arsye pse të mos jetë motori edhe i ekonomisë bujqësore dhe fermave”, nënvizoi Veliaj, teksa siguroi se bujqësia dhe agroturizmi do të marrin një vëmendje të shtuar.

Fokusi i punës së Bashkisë së Tiranës në këto katër vite ka qenë edhe përmirësimi i infrastrukturës dhe i shërbimeve në zonat rurale. Këto rrugë, jo vetëm kanë lehtësuar lëvizjen e automjeteve, por në të njëjtën kohë kanë afruar edhe më shumë banorët që tregtojnë produktet bujqësore të zonës me tregjet e Tiranës. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore në zonat rurale, shoqërohet me rritje dhe diversifikim të prodhimit bujqësor, që në periudhë afatgjatë rrit të ardhurat dhe përmirëson cilësinë e jetës së banorëve të këtyre zonave.

Për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, Këshilli Bashkiak i Tiranës mori vendimin për të thyer monopolin e tregut të shumicës. Ndryshe nga shumë vite më parë, tashmë fermerët do të mund të tregtojnë produktet e tyre në tregje që plotësojnë të gjithë standardet.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak morëm vendimin për ta thyer monopolin e tregut të shumicës në Kashar. Nuk mund të kemi një monopol ku çdo fermer i yni duhet të paguajë një taksë shumë të lartë që të hyjë te një privat, që e kishte nga ish-qeveria e kaluar. Kemi vendosur që bashkia, në anën tjetër të qytetit, në zonën e Farkës dhe të Lundrës, të hapim një treg agro-ushqimor të shumicës, për t’i thënë njerëzve që ke dy mundësi: tregun e shtetit dhe atë të privatit. Ndodh që në Bashkinë e Tiranës e bëjmë më mirë dhe më lirë të njëjtën punë që privati e bën shumë më shtrenjtë”, theksoi Veliaj.




Skip to toolbar