BE kundër sulmeve të Turqisë: Je aleati ynë, por po gabon

Operacionet ushtarake të Turqisë ndaj kurdëve po i hapin rrugë ri-ngritjes së ISIS. Ky është një shqetësim serioz për Europën” kështu është shprehur zyrtarja e lartë e BE, Federica Mogherini gjatë një konference për mediat. Mogherini tha se situata është tejet komplekse dhe për këtë edhe zgjidhja është e vështirë për tu arritur.  

Kishim një vendosmëri unanime, secili vend kontribuoi në mënyrë aktive dhe kishte konsensus nga 28 vendet anëtare për masa kufizuese. ISIS nuk është mundur plotësisht. Gjithmonë kemi paralajmëruar veten tonë dhe koalicionin global për rrezikun nga ISIS. Ky operacion ushtarak po i hap rrugë shtetit islamik për të ri-ngritur territore. Ka një shqetësim serioz për Evropën. Situata nuk është e thjeshtë, por e shtresëzuar. Kompleksiteti i situatës e bën të vështirë zgjidhjen. Ata që për Turqinë janë terroristë për ne nuk janë por kjo nuk do të thotë se nuk mund të biem dakord për shumë gjëra”.- tha Mogherini

Përfaqësuesja e Politikës së Jashtme në BE, Mogherini tha se Turqia është aleat i BE-së, vend i NATO-s, por në këtë rast janë duke bërë gjënë e gabuar. Mogherini tha se BE dënon operacionet ushtarake të Turqisë në Siri dhe kërkon që kjo çështje të zgjidhet sa më parë.

Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur që t’ia bëjmë të qartë Turqisë  se ne e konsiderojmë atë shtet aleat dhe për t’i thënë se po bën gjënë e gabuar në këtë rast. Autoritetet turke duhet të marrin parasysh këshillin e partnerëve se të gjithë aleatët janë duke i kërkuar t’i japin fund konfliktit ushtarak. BE do të veprojë në unision për të mos pasur konflikt më të zgjeruar. Ka një ndërhyrje nga ana e BE për operacionet e Turqisë, ka mbështetje të fortë për procesin e ndërmjetësuar nga OKB.  Ka një dënim nga BE për operacionet ushtarake të Turqisë në Siri. Kemi një angazhim sa i përket krizës humanitare dhe të refugjatëve për njerëzit në nevojë.” tha Mogherini

Turqia nisi një sulm, fillimisht ajror dhe më pas me forca tokësore, për të luftuar popullsinë kurde në verilindje të Sirisë. Shtetet e Bashkuara tërhoqën të gjitha trupat e mbetura në Sirinë veriore, për të mos u përfshirë në luftimet e nisura nga Turqia. Kurdët kanë qenë aleati i SHBA-së për një kohë të gjatë dhe sulmet turke ndaj tyre nuk janë përkrahur nga Shtëpia e Bardhë dhe as nga BE.

“Kosova nuk është shtet”, Haradinaj përplaset me Borrell

Komisioneri i ri për Politikën e Jashtme të Bashkimit Europian, Josep Borrell, shprehet se “Kosova nuk do të jetë shtet pa e njohur Kina, Rusia dhe India”. Këtë deklaratë, diplomati spanjoll që do të drejtojë politikën e jashtme të BE, e bëri gjatë takimit me anëtarët e Komisionit të Punëve të Jashtme të PE-së. Madje, ai shprehet se vizitën e parë në detyrën e re të diplomatit të BE-së, do ta zhvillojë në Kosovë.

“Vizita ime e parë do jetë në Kosovë. Nuk ka rëndësi se ç’po bën Spanja, pasi për sa kohë Rusia, Kina apo India nuk do njohin pavarësinë, Kosova nuk do jetë shtet. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje dhe do të bëj atë që është e mundur për të përmbushur këtë prioritet. Kjo është një nga çështjet që do merren shumë në konsideratë, pasi Status Quo-ja aktuale nuk shërben. Nuk mund të vazhdojmë kështu. Dhe jam i lumtur që Kosova zhvilloi zgjedhje krejtësisht demokratike”, pohoi ai.

Kjo deklaratë nuk është pritur mirë nga politika në Kosovë. Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili shkruan se “ndiej keqardhje për deklaratën e Borrell”. “Sot, kur dëgjojmë z.Borrell, i nominuar për të zëvendësuar znj.Mogherini, duke deklaruar gjatë seancës dëgjimore para Komisionit për Politikë të Jashtme, se Kosova asnjëherë nuk do jetë shtet përderisa nuk njihet nga Kina, Rusia, e India, ndjej keqardhje për cektësinë e njohurive të tij për rajonin tonë, ndërsa pretendon të udhëheqë politikën e jashtme të BE-së. Ia kujtojmë z.Borrell parimin themelor – se njohja sipas të drejtës ndërkombëtare, nuk e bën apo zhbën qenësinë e shtetit”.

“Njohja është akt politik, dhe nuk e percakton funksionalitetin juridik e politik të shtetit. Kosova është me fat që e ka bekimin e shumicës kritike të shteteve demokratike perëndimore, që vazhdojnë të na përkrahin në secilën fushë. Deklaratat e tilla, sidomos para konfirmimit të pozitave me ndikim në institucionet evropiane, provojnë qartë nivelin e ultë të kredibilitetit dhe njohjes sipërfaqësore të rrethanave në Ballkan nga z.Borrell”, shkruan ndër të tjera Haradinaj.

BE, shteteve anëtare: Të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

BE u kërkon vendeve anëtarë të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Përmes një letre dërguar nga përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian, presidentëve Donald Tusk, Jean-Claude Juncker, Ursula Von der Leyen dhe David Sassoli, kërkohet hapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ku theksohet se, të dy vendet i kanë përmbushur kushtet që i janë kërkuar. Në letër theksohet se të dy vendet do të kenë shumë punë përpara për të ecur me reformat e tyre, pasi anëtarësimi nuk është një çështje që bëhet brenda natës, por janë gati për të hedhur hapin e hapjes së negociatave.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë kryer kërkesat që i janë kërkuam të bënin. Arritja e kësaj kërkonte një përpjekje të konsiderueshme nga qytetarët e tyre, për të cilët perspektiva evropiane ka qenë një burim i shkëlqyeshëm i motivimit dhe vendosmërisë.

Nuk ka asnjë garanci për sukses. Do të ketë shumë punë të vështirë për reformat gjatë rrugës. Anëtarësia nuk do të ndodhë brenda natës. Dhe të dy vendet janë të vetëdijshëm për këtë. Paralelisht, bashkëpunimi i BE-së do të duhet të thellohet për të ecur së bashku me zgjerimin, në interesin e ndërsjellë të qytetarëve të vendeve evropiane dhe ato kandidate. Ne besojmë se tani është koha për të hapur bisedimet e pranimit me të dy vendet.” shkruhet në letrën e BE që i është dërguar vendeve anëtare.

Në letër theksohet se vendimin i qershorit 2019, ku u vendos se hapja e negociatave të mos shtyhet më vonë se tetori 2019 për të dy vendet, duhet të bëhet realitet. Sipas tyre BE duhet të tregojë se është e aftë të përmbushë premtimet e saj dhe të shoh drejt së ardhmes.

Qershorin e kaluar u pajtuam të arrinim një vendim të qartë dhe thelbësor për hapjen e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë jo më vonë se tetori 2019.

Bashkimi Evropian qëndron para një zgjedhjeje strategjike. Nëse BE vendos tani për të filluar bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një provë e aftësisë së Bashkimit për të përmbushur premtimet e saj dhe për të parë të ardhmen.

Bota jonë po pëson ndryshime të shpejta. Nëse BE do të ruajë rolin e saj ndërkombëtar dhe të mbrojë interesat e saj, ndërmarrja e një hapi drejt integrimit të atyre vendeve evropiane që kanë shprehur interes dhe kanë përmbushur kërkesat për fillimin e procesit të pranimit do të ndihmojë në arritjen e kësaj.” shkruhet në letër

Reforma zgjedhore, BE “i jep duart” PD për strukturën e posaçme

Bashkimi Europian ka hedhur poshtë kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një strukturë të posaçme jashtë parlamentit për diskutimin e reformës zgjedhore me pjesëmarrjen e ndërkombëtarëve. Zëdhënësja e BE, Maja Koçiajançiç është shprehur se kjo çështje nuk i takon BE-së, por palëve politike në vend. Për Koçiajançiç, e vetmja zgjidhje për ecjen përpara me reformën zgjedhore, është që palët politike të zhvillojnë një dialog gjithëpërfshirës dhe konstruktiv.

Nuk i takon Bashkimit Europian që të përcaktojë ose të bëjë komente mbi strukturën që duhet të përdoret për të lehtësuar konsultimet dhe më tej reformën zgjedhore. BE rithekson nevojën që të gjithë aktorët politikë të demonstrojnë gatishmëri të vërtetë për të kontribuar, përmes dialogut konstruktiv dhe të avancojnë punën për reformën zgjedhore” tha Koçiajançiç për A2 CNN.

Ngritja e një strukture të posaçme u hodh si ide e PD përmes përfaqësuesit të saj Ivi Kaso në tryezën e dialogut për reformën zgjedhore të organizuar nga OSBE. Kjo strukturë sipas PD kërkon pjesëmarrjen e PS, PD dhe ndërkombëtareve (OSBE, BE dhe SHBA) për të diskutuar për reformën zgjedhore, por pa praninë e opozitës parlamentare.

Kjo kërkesë u hodh poshtë nga OSBE e para, përmes ambasadorit Broschard, i cili u shpreh i zhgënjyer dhe tha se OSBE nuk mund të qeveris vendin, ndërsa pak orë më vonë edhe nga kryeministrit Rama gjatë një interviste në New York, i cili tha se nuk ka nevojë për “përkthyes për të diskutuar për reformën zgjedhore”. Duket se dhe BE është në të njëjtë linjë ku deklaron se kjo çështje është e brendshme dhe nuk i takon asaj, por palëve politike.

Nga kërkesa e PD për ngritjen e strukturës së posaçme, solli edhe reagimin e ashpër të opozitës parlamentare e cila bojkotoi tryezën për disa orë. Opozita parlamentare është një faktor i rëndësishëm në miratimin e ndryshimeve në Kuvend të reformës zgjedhore dhe duket se ato janë të vendosur të kërkojnë një ndryshim të sistemit elektoral dhe një reformë e bërë me “arna” apo “makijazhe”, deklaratë të cilin e bënë të qartë dhe nga studio e emisionit Real Story.

Bloomberg zbulon dokumentin e BE: “PO” negociatave me Shqipërinë

“Bashkimi Evropian do të autorizojë çeljen e negociatave zyrtare të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, muajin e ardhshëm”. Kështu shkruan media prestigjioze Bloomberg, e cila i referohet një draft dokumenti të Bashkimit Europian, ku shkruhet se BE do të vlerësojë çeljen e negociatave për dy vendet e Ballkanit Perëndimor, duke “vënë bast që perspektiva e anëtarësimit në union do të ndihmojë në ankorimin e mëtejshëm të rajonit të Ballkanit të trazuar të kontinentit drejt Perëndimit”.

Në dokumentin e zbuluar nga Bloomberg shkruhet se dy vendet kanë përparuar me reformat, ndërkohë që vihet në dukje edhe fakti se shumë vende anëtare të BE-së vijojnë të jenë skeptike dhe të zhgënjyer nga shtetet që u pranuan më herët në Union.

“Në dritën e progresit të arritur në ecurinë e reformave”, në mbledhjen e ministrave të BE në Luksemburg në 15 tetor do të vendoset “hapja e negociatave të pranimit” me qeveritë e Tiranës dhe të Shkupit,- sipas një drafti të komunikatës së tyre që e ka parë Bloomberg.

Bloomberg shkruan më tej se deklarata edhe mund të ndryshojë, siç ndodhi më herët me një deklaratë të ngjashme, në të cilën nuk rekomandohej nisja e bisedimeve.

“Një shtyrje e ngjashme për të hapur negociatat e pranimit u vendos në qershor, pasi vende si Franca, Hollanda, Gjermania dhe Danimarka nuk pranuan. Qeveritë e shteteve perëndimore të BE-së janë acaruar nga dështimi i disa shteteve lindore që iu bashkuan bllokut në 2004; për të vendosur sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Kështu këta shtete janë të kujdesshëm të pranojnë anëtarë të rinj në unionin më të madh tregtar në botë, ku njerëzit, mallrat dhe shërbimet mund të lëvizin lirshëm”, shkruan Bloomberg.

“Në vendimin e qershorit për zgjerimin, BE tha se pranimi i anëtarëve të rinj duhet të marrë parasysh aftësinë e Unionit për t’i integruar ato.

Edhe pse bisedimet e pranimit zgjasin me vite – apo edhe dekada, si në rastin e Turqisë – dhe përfundimi i tyre nuk është i garantuar, fillimi i procesit është një fitore për qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Ky shtet investoi pjesën më të madhe të kapitalit të saj politik në një marrëveshje me Greqinë për të ndryshuar emrin kushtetues të ish republikës Jugosllave, me shpresën se kjo do t’i hapte rrugën anëtarësimit në BE.

Qeveria e re greke ka thënë se nuk pajtohet me marrëveshjen e bërë midis Maqedonisë së Veriut dhe paraardhësit të saj, por nuk do të kërkojë ta anulojë atë për shkak të nevojës për të ruajtur vazhdimësinë në marrëveshjet ndërkombëtare”, shkruan më tej Bloomberg.

Edhe në Shqipëri shpresat janë të larta që këtë herë BE të vendosë pro çeljes së negociatave, nisur kjo edhe nga vendimi i fundit i Bundesdagut gjerman. Vendimi i Gjermanisë pro çeljes së negociatave është parë si një shenjë pozitive që do të ndikojë edhe në vendimin që do të marrin shtetet e tjera skeptike si Franca apo Holanda. Bazuar edhe në dokumentin, të cilit i referohet Bloomberg, gjasat janë që BE të shkojë me një “po”, këtë herë, për Shqipërinë dhe Maqedoninë  e Veriut./realstory.al

Tërmeti, BE dërgon ndihma në Shqipëri

Vendet e Bashkimit Europian dërguan ndihmat e para në Shqipëri, të cilat do të shpërndahen për familjet e prekura nga tërmeti i 21 shtatorit. Gjatë të dielës, në aeroportin e Rinasit, erdhën ndihmat e para nga Greqia, ku një avion ushtarak grek solli kontributin e qeverisë së shtetit fqinj për Shqipërinë. I pranishëm në pritjen e ndihmave të Greqisë për Shqipërinë në Rinas, ishte drejtori i ekipit të BE për Emergjencat Civile, Peter Glerum.

“Ne jemi këtu si skuadër e mbrojtjes civile për të ndihmuar Shqipërinë. Ne kemi marrë deri më tani ndihmat e dhëna nga 3 shtete dhe presim edhe nga shtetet e tjera”, u shpreh përfaqësuesi i BE-së, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Mbrojtjes Civile të Greqisë, Nikolas Hardalias, u shpreh se “jemi në Shqipëri të japim një mesazh solidariteti”.

Nërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Rezervave të Shtetit, Paulin Luli, falënderoi në emër të Ministrisë së Mbrojtjes, vendet që u solidarizuan për me Shqipërinë pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin. Ndihma dërguan edhe disa vende të tjera të BE si Kroacia dhe Hungaria, ndërsa pritet të vijnë dhe nga vende të tjera.  

Tërmeti dhe përmbytjet, vijnë ndihmat e para nga BE

Bashkimi Europian dërgon ndihmat e para në Shqipëri për banorët e prekur nga tërmeti dhe përmbytjet. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca tha se BE, por edhe vendet të tjera anëtare i janë bashkuar një nismë për të ofruar ndihma dhe mbështetjen e nevojshme për personat e prekur nga tërmeti e përmbytjet. BE shpreh solidaritetin për popullin shqiptar pas lëkundjeve të forta sizmike që përjetoi vendi më 21 shtator dhe përmbytjet që pasuan dy ditë më pas.

“BE qëndron në solidaritet me Shqipërinë, në këtë kohë të vështirë pas tërmetit dhe mbështetja e BE tashmë po shkon në Shqipëri. Disa prej shteteve anëtare në BE po i bashkohen kësaj nisme për ndihma.” shkruan Soreca

Përmes aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile, BE ka ardhur në ndihmë të autoriteteve shqiptare pas tërmeteve shkatërruese dhe përmbytjeve, ku më të prekurat ishin zonat e Shqipërisë së Mesme. BE është gjendur pranë fillimisht me mjetet e domosdoshme dhe asetet e ndihmës së parë si çadra, tendat, gjeneratorët e energjisë dhe pompat e ujit kryesisht në zonat e prekura. Mekanizmi i mbrojtjes Civile, që kryesohet nga Christos Stylianides, tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritete shqiptare për të monitoruar nga afër situatën dhe për të kanalizuar ndihmën e mëtejshme të BE-së sipas kërkesës.

Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet me Shqipërinë në këtë kohë të vështirë dhe mbështetja thelbësore e BE-së tashmë është duke shkuar. Ekspertët evropianë, asetet për të shpëtuar jetën dhe materialet së shpejti do të bëjnë ndryshime në ditët e para të rëndësishme të përgjigjes. Falënderoj ngrohtësisht Austrinë, Kroacinë, Hungarinë, Slloveninë dhe Norvegjinë për ofertat e tyre të ndihmës përmes Mekanizmit tonë të Mbrojtjes Civile. Mendimet tona janë me të gjithë ata që janë në zonat e prekura dhe përgjigjet e para që punojnë në tokë. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë të mëtejshme.” u shpreh Stylianides

Mogherini: Hapja e negociatave, vendim thelbësor për BE

Përfaqësuesja e lartë për politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në Bashkimin Europian, Federica Mogherini ka deklaruar edhe njëherë mbështetjen e saj për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa ka thënë se ky është një vendim thelbësor dhe i rëndësishëm i BE-së. Ajo e ka bërë këtë deklaratë gjatë një takimi që zhvilloi  të dielën në mbrëmje me drejtuesit e Ballkanit  Perëndimor, me të cilët pati një darkë tradicionale pune, pak para nisjes së asamblesë së 74-të të përgjithshme të Këshillit të Bashkuar në Nju Jork.

Në këtë takim, Mogherini dhe përfaqësuesit nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, diskutuan mbi përparimet thelbësore të arritur deri tani, si dhe për detyrat për të ardhmen.

Gjatë takimit, u shpreh mbështetja për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke nënvizuar se ky vendim është thelbësor jo vetëm për të dy vendet në fjalë, por për të gjithë rajonin dhe për Bashkimin Europian.

Të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor konfirmuan angazhimin e tyre të fortë për perspektivën e BE-së, duke theksuar se puna për reformat vazhdon, ashtu si dhe bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Një çështje tjetër që është diskutuar në këtë darkë pune ka qenë edhe raporti Serbi-Kosovë, ku është nënvizuar nevoja e vazhdimit të dialogut mes dy vendeve si dhe për një marrëveshje juridikisht detyrues për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat në faqen zyrtare të BE-së, thuhet se Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian dhe drejtuesit e Ballkanit Perëndimor shprehën solidaritetin e tyre me Shqipërinë për goditjet nga një seri tërmetesh të forta këtë fundjavë.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin që Këshilli i Evropës të miratojë pro çeljes së negociatave për këto dy vende, në mbledhjen e datës 18 tetor.

BE hesht për Tahirin

Pas ambasadorit të BE në Shqipëri Luigi Soreca, i cili u shpreh se nuk mund të jap dot një qëndrim pa u njohur me dosjen e plotë të ish ministrit Tahiri, edhe Brukseli zyrtar, nuk ka dhënë komente për vendimin. I pyetur nga A2CNN, BE u përgjigj se nuk mund të jap dot një koment për vendimin e gjykatës pasi çështja mund të kalojë në Apel. BE ka deklaruar se ajo nuk komenton vendimet e çështjeve të veçanta pasi respekton pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, ndërsa është ende të pritje të zbardhjes së dosjes.

 “Bashkimi Evropian është vënë në dijeni për vendimin që Gjykata e Krimeve të Rënda ka marrë në shkallën e parë për ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke e dënuar atë për shpërdorim detyre. Ne nuk i komentojmë vendimin e marrë për çështjen të veçanta, pasi BE e respekton pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Detajet dhe arsyet e këtij vendimi ende nuk janë bërë publike dhe procesi gjyqësor ende vazhdon dhe është subjekt i apelit”, thuhet në reagimin e BE

Paraditen e të premtes ka reaguar edhe ambasada e SHBA, e cila vlerësoi vendimin e gjykatës duke thënë se dëshmoi pavarësinë e gjyqësorit, megjithëse e cilësoi shkurajues masën e ulët të dënimit të dhënë ndaj tij. Dënimi i ish ministrit Tahiri ishte prova që të gjithë po prisnin për funksionimin e reformës në drejtësi dhe krijimin e besimit se drejtësia e re është në rrugën e duhur dhe se ka një mbështetje të madhe nga amerikanët. Tahiri u dënua mbrëmjen e së enjte me 3.4 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili iu konvertua në shërbim prove për 3 vjet. Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat “trafik ndërkombëtar droge”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”.

Soreca, për Tahirin: Do e shoh dosjen si ish-prokuror e do mbajmë qëndrim

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca është pyetur nga gazetarët të premten në lidhje me vendimin e gjykatës së Tiranës për dënimin me 3.4 vite shërbim prove për ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ambasadori ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me dosjen e plotë për ish ministrin dhe më pas ka njoftuar se zyra e BE-së në Tiranë do të mbajë një qëndrim brenda një kohe të shkurtër. Ai tha se eksperienca e tij si ish prokuror nuk e lejon që të bëjë një koment para se të njihet me detajet e dosjes.

“Eksperienca ime si ish prokuror nuk më lejon të flas para se të njihem me dosjen. Më lejoni që të shoh vendimin e plotë të gjykatës të njihem me dosjen dhe më pas të bëj një koment. Së shpejti do të kemi një koment për çështjen”, tha Soreca për gazetarët.

Gjykata e Tiranës vendosi ta dënojë ish ministrin Tahiri me 3.4 vite shërbim prove për akuzën e shpërdorimit të detyrës duke lejuar kanabizimin e vendit. Por gjykata rrëzoi akuzat e tjera të prokurorisë që lidhen me trafikun e drogës dhe grupin kriminal. Ish ministri ka deklaruar se do ta apelojë vendimin dhe do të kërkojë pafajësi të plotë. Nga ana tjetër ky vendim i gjykatës është lidhur edhe me plotësimin e kushteve të BE-së për çeljen e negociatave. Pikërisht për këtë pritet të flasë ambasadori i BE-së, Soreca. Një ndër kushtet e BE është që Shqipëria duhet të japë prova se drejtësia funksionon./realstory.al

Skip to toolbar