Mogherini: Hapja e negociatave, vendim thelbësor për BE

AKTUALITET


Përfaqësuesja e lartë për politikën e Jashtme dhe të Sigurisë në Bashkimin Europian, Federica Mogherini ka deklaruar edhe njëherë mbështetjen e saj për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa ka thënë se ky është një vendim thelbësor dhe i rëndësishëm i BE-së. Ajo e ka bërë këtë deklaratë gjatë një takimi që zhvilloi  të dielën në mbrëmje me drejtuesit e Ballkanit  Perëndimor, me të cilët pati një darkë tradicionale pune, pak para nisjes së asamblesë së 74-të të përgjithshme të Këshillit të Bashkuar në Nju Jork.

Në këtë takim, Mogherini dhe përfaqësuesit nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, diskutuan mbi përparimet thelbësore të arritur deri tani, si dhe për detyrat për të ardhmen.


Gjatë takimit, u shpreh mbështetja për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke nënvizuar se ky vendim është thelbësor jo vetëm për të dy vendet në fjalë, por për të gjithë rajonin dhe për Bashkimin Europian.

Të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor konfirmuan angazhimin e tyre të fortë për perspektivën e BE-së, duke theksuar se puna për reformat vazhdon, ashtu si dhe bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Një çështje tjetër që është diskutuar në këtë darkë pune ka qenë edhe raporti Serbi-Kosovë, ku është nënvizuar nevoja e vazhdimit të dialogut mes dy vendeve si dhe për një marrëveshje juridikisht detyrues për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat në faqen zyrtare të BE-së, thuhet se Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian dhe drejtuesit e Ballkanit Perëndimor shprehën solidaritetin e tyre me Shqipërinë për goditjet nga një seri tërmetesh të forta këtë fundjavë.

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin që Këshilli i Evropës të miratojë pro çeljes së negociatave për këto dy vende, në mbledhjen e datës 18 tetor.




Skip to toolbar