Franca: Serbia, partneri ynë i parë në rajon

Serbia është partneri i parë në rajon për Francën”. Këtë tha të paktën ambasadori i Francës në Serbi, Frederic Mondoloni. Duke folur për vizitën që presidenti francez, Emmanuel Macron do të zhvillojë më 15 dhe 16 korrik në Serbi, Mondoloni tha se kjo është një shenjë e qartë interesimi i Francës ndaj Serbisë.

Ambasadori gjithashtu njoftoi edhe hapjen e një zyrë rajonale të Francës në Beograd për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet dhe lidhjet europiane të Serbisë

Vizita e Macron, tregon një interes të ri të Francës për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe dëshirën që marrëdhënies dypalëshe me Serbinë, sigurisht partnerin tonë të parë në rajon, t’i japim një shtysë të re. Hapja e zyrës rajonale të Francës në Beograd, do të ndihmojë në forcimin e lidhjeve evropiane dhe për të siguruar tranzicionin drejt zhvillimit të qëndrueshëm“. – tha Mondoloni.

Franca prej kohësh kërkon rikthimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, por duket se palët nuk ishin tërhequr nga pozicionet e tyre. Serbia kërkon heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, Kosova kërkon njohjen e saj nga ana e Serbisë.

Shpimet për gaz në Qipro, BE kërcënon Turqinë me sanksione

Bashkimi Europian ka kërcënuar Turqinë me shkurtim të fondeve nëse ajo nuk i ndal shpimet e paligjshme për gaz dhe naftë në hapësirën detare të Qipros.

Donald Tusk, presidenti në largim i Këshillit Evropian, tha se nëse Turqia nuk ndal shpimet e saj do të detyrojë BE të përgjigjet me sanksione e masa ndaj saj.  

“Pavarësisht nga synimet tona për të mbajtur marrëdhënie të mira fqinjësore me Turqinë, përshkallëzimi i vazhdueshëm i saj dhe sfidimi ndaj sovranitetit të shtetit tonë anëtar Qipros, në mënyrë të pashmangshme do ta detyrojë BE-në të përgjigjet në solidaritet të plotë.”  ka thënë Tusk i cili shton se nën udhëheqjen e presidentit Erdogan, Turqia po largohet nga blloku europian.

Turqia po kryen shpine në hapësirën detare të Qipros për gjetjen e gazit dhe naftës dhe i cilëson ato të ligjshme, ndërsa BE e njeh këtë zonë si “zonën ekonomike ekskluzive e Qipros”.

Mogherini: Gabim mos hapja e negociatave me Shqipërinë

“Nëse vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk marrin vendim, sidomos për hapjen e negociatave (të anëtarësimit) me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor, mendoj se do të ishte gabim i madh”, kështu është shprehur përfaqësuesja e Lartë Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Më tej, në fjalën e saj, Mogherini është shprehur se Samiti i Poznanit ka rëndësi të veçantë për zotimet e përsëritura nga të gjitha palët anëtare të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, që fokusohen te bashkëpunimi ekonomik, investimet etj.

 “Para së gjithash, zotime të përsëritura nga të gjithë anëtarët e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Këto kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik, me investimet, lidhjet digjitale, transportin. Ekzistojnë, para së gjithash, shumë investime ekonomike, por edhe vullnet politik për projekte konkrete, në të mirë të njerëzve. Por, më lejoni të nënvizoj se kjo nuk është zëvendësim për zgjerimin. Vendet e rajonit duhet të dinë se e ardhmja e tyre mund të jetë në Bashkimin Evropian, nëse procesi shkon mirë”, është shprehur Mogherini. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, ka folur edhe për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, duke u shprehur se marrëveshja është afër, por Kosova duhet të heq më parë taksën ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake.

“Unë vazhdoj të besoj se marrëveshja është e mundshme dhe është afër. Besoj se dy palët e kuptojnë se është në favor të njerëzve të tyre të arrijnë marrëveshje të plotë, për normalizim të plotë (të marrëdhënieve), ligjërisht të obligueshme, që mbulon të gjitha aspektet e vështirësive që janë ende në tryezë”.

“Por, nëse më pyesni se a ka gjasa të arrihet në tre apo katër muajt e ardhshëm, unë ju them se derisa tarifa që u ka vënë Prishtina mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina mbetet në fuqi, nuk shoh kushte për thirrjen e dialogut në nivel të lartë. Unë besoj se kjo është për keqardhje, sepse unë vërtet kam parë se elementet për marrëveshje për normalizim, ligjërisht të obligueshme, ekzistojnë”.

Intervista e plotë këtu

Reforma në Drejtësi, Calavera kërkon prova: Burg dhe sekuestrim pasurish

Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera ka folur të enjten më hapur se kurrë duke i dhënë një mesazh shumë të qartë politikanëve shqiptarë: Që të hapen negociatat ne duam të shohim njerëz në burg.

Ajo ka mbajtur një fjalim të enjten në samitin për Ballkanin Perëndimor në Poloni, ku është ndalur te ecuria e reformës në drejtësi në vendin tonë. Për të parën herë ajo e ka bërë të qartë se duhet të shikojnë njerëz në burg me qëllim që të hapen negociata.

“Këtë herë kur ne negociojmë anëtarësimin, ne kërkojmë një historik treguesish. Kjo do të thotë që ne duam të shohim që ligjet të zbatohen, duam të shohim njerëzit në burg, asetet e krimit të sekuestrohen dhe ne duam të kemi mjaftueshëm fakte/prova, jo vetëm ligje, për të demonstruar që sistemi është i konsoliduar. Vetëm mund të shpresoj që në Shqipëri, kur sistemi po tronditet, të gjithë politikanët ta kuptojnë vlerën e që ka respektimi dhe mbështetja e kësaj reforme”, tha ajo.

Edhe pse presidenti Meta trumbeton se reforma në drejtësi është e kapur nga qeveria dhe nuk po ecën si duket, për BE ajo është në rrugën e duhur dhe nuk do të ketë asnjë kthim pas.

“Kjo ka për të qenë thelbësore: të keni një shtet ligjor funksional, të keni një sistem gjyqësor të pavarur. Nuk është më një çështje e negociueshme. Ne duhet të nxëmë nga mësimet tona. Prandaj jam shumë e lumtur që për shkak të popullit shqiptar dhe jo për shkak të politikanëve, për shkak të qytetarëve, ky ndryshim dramatik ka nisur në Shqipëri. Sepse kjo do të thotë që me këtë proces, që unë besoj se po shkon në drejtimin e duhur, ne do të kemi një gjyqësor të pavarur, Shqipëria do të arrijë në një pozicion fantastik, për të kapur kohën e humbur deri tani. Çdo vend duhet të gjejë mënyrën për të reformuar gjyqësorin. Nuk është e thënë që të jetë kaq dramatike sa e Shqipërisë, sepse problematika nuk është e njëjtë për çdo vend, por ju duhet të gjeni një mënyrë për të bërë reformën”, ka thënë ajo.

Deklarata e Calaveras vjen në një moment kur skena politike shqiptare është e ndezur nga debati për reformën në drejtësi. Dy figura politike kanë dalë hapur kundër saj. Presidenti Meta dhe ish kryeministri Berisha e kanë kundërshtuar këtë reformë duke thënë se nuk po zbatohet siç duhet dhe se është e kapur nga Rama dhe nga ndërkombëtarët e Euralius. Vendimi për hapeje negociatave merret më 17 tetor dhe kjo do të thotë se deri në këtë datë mund të ketë arrestime VIP.

Lamtumira e Hahn: Ballkani Perëndimor do jetë në BE

Eurokomisioneri Johanes Hahn thekson se nuk ka asnjë dyshim se vendet e Ballkanit Perëndimor janë në BE, ndërsa vë në dukje se i gjithë rajoni duhet të ndjekë shembullin e Maqedonisë së Veriut. Hahn e ka bërë këtë deklaratë gjatë fjalim në Poznan të Polonisë, ku po zhvillohet samiti për vendet e Ballkanit Perëndimor, pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit.

“I gjithë rajoni duhet të ndjekë shembullin e Maqedonisë Veriore dhe të rrisë ritmin e reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe qeverisjen e mirë”, deklaroi të enjten komisioneri i BE Johannes Hahn në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Poznan.

Në hapjen e Forumit të Shoqërisë Civile dhe Forumit të Biznesit, Komisioneri i BE-së shpjegoi se BE-ja tani duhet të përmbushë angazhimet e saj dhe të japë besim aty ku ka besim për vendin që ka bërë një arritje historike, duke shtuar se dështimi për të shpërblyer progresin objektiv do të dëmtojnë besueshmërinë e BE-së.

“Unë i qëndroj rekomandimit të Komisionit për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe unë kam besim se Këshilli i Tetorit do të ndjekë vlerësimin tonë pozitiv. Të dy vendet kanë kryer reforma, veçanërisht në fushat e përmendura nga konkluzionet e Këshillit të Qershorit 2018”, tha Hahn në Samitin në Poznan.

Duke folur për IPA III, ai vuri në dukje se Ballkani Perëndimor mund të vazhdojë të besojë në mbështetjen e BE-së për reformat në vitet në vijim.

“Asgjë nuk e demonstron më mirë këtë sesa rritja e propozuar prej 13% e Instrumentit të Ndihmës së Para-Anëtarësimit (IPA III). Me Kornizën e Investimeve Ballkanike për Ballkanin Perëndimor, ne kemi në dispozicion një mjet tjetër të fuqishëm për të sjellë investime shumë të nevojshme në rajon”, tha Hahn.

Sa i përket axhendës për ndërveprim, e cila është në qendër të samitit të këtij viti, ai tha se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor tashmë janë të integruara ngushtë me BE-në, duke theksuar se më shumë se 70% e tregtisë së rajonit të Ballkanit Perëndimor është me BE-në për shkak të marrëveshjeve të Stabilizim Asociimit.

Komisioneri i BE shpjegoi se duke hequr pengesat kufitare koha e udhëtimit për qytetarët do të reduktohet, ashtu si dhe kostoja e transportit për bizneset.

“Kjo do të ndihmojë rajonin që të shfrytëzojë potencialin e saj ekonomik edhe më mirë. Gjithashtu, Investimet do të rrisin sigurinë energjetike të rajonit dhe BE-së”, tha Hahn.

Megjithatë, ai tha se kjo axhendë është “më shumë se rrugë, ura dhe linja të energjisë”, duke i kërkuar Ballkanit Perëndimor të marrë pjesë në planet ekonomike për të ardhmen.

“Këto ekonomi janë dixhitale dhe janë jeshile. Duke investuar në ekonomitë dixhitale, ne po i japim rajonit mjetet për të marrë pjesë në revolucionin dixhital”, tha Hahn.

Komisioneri i BE-së gjithashtu përmendi barrierat tregtare të imponuara nga Kosova për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, duke u kërkuar partive që të zgjidhin këto çështje sa më parë.

“Ne shpresonim për të nënshkruar këtu në Poznan disa marrëveshje për të liberalizuar tregtinë e shërbimeve dhe për të lehtësuar lëvizshmërinë e profesionistëve. Ne kundërshtojmë fuqimisht imponimin e barrierave tregtare si një mjet për presion politik”, tha Hahn.

Ai shtoi se krerët e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë drejt marrëdhënieve të mira fqinjësore, bashkëpunimit rajonal dhe pajtimit kuptimplotë, pasi ato janë parakushte për t’u bashkuar me BE.

Drejtuesit e rinj të BE, Zaev: Interes për ne e Shqipërinë

Institucionet e Maqedonisë së Veriut besojnë se udhëheqësit e rinj të Bashkimit Evropian do të angazhohen për realizimin e synimeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor që të bëhen pjesë e BE-së.

Kryeministri Zoran Zaev tha se Shkupi është optimist, se edhe me drejtues të rinj të BE-së, nuk do ta humb perspektivën dhe gjasat për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.

“Besoj se të gjitha këto emërime mund të jenë në interes jo vetëm të Maqedonisë së Veriut, por edhe për të gjitha vendet kandidate, sa i përket perspektivës së ardhshme të BE-së”, ka theksuar Zaev.

“Ne kemi kryer detyrat tona dhe presim që kjo të shpërblehet. Maqedonia e Veriut në tetor pret të merr datën e nisjes së bisedimeve”, ka deklaruar kryeministri Zaev.

Edhe opozita nuk pret ndonjë ndryshim të kursit të BE-së me drejtuesit e saj të rinj.

“Udhëheqësit e rinj në krye të institucioneve evropiane kanë kompetenca për çështjet evropiane. Ata janë njerëz që me vite janë aktiv në politikën evropiane”, ka deklaruar Vllatko Gjorçev nga VMRO DPMNE-ja.

Zëvendëskryeministri për çështje evropian dhe zëdhënës i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani gjithashtu tha se pret zhvillime pozitive nga drejtuesit e rinj të BE-së.

Këshilli e Bashkimit Evropian në takimin e qershorit, nuk ka ofruar datë për nisje të bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përmendur si arsyetim procesin e zgjedhjeve të Bashkimit Evropian dhe siç është thënë publikimin e vonshëm të Raportit të Progresit./Radio Evropa e Lirë/

Krimet Zgjedhore/ 75 persona nuk shkojnë më në SHBA dhe BE

75 persona janë arrestuar dhe ndaluar në Tiranë, Kavajë, Fier, Elbasan, Shkodër, Dibër, Mat, Pogradec dhe Tropojë, për vepra penale që prekin zgjedhjet e lira në funksion të fushatës së zgjedhjeve vendore të datës 30 qershor 2019.


Sipas informacioneve të marra nga  Prokuroritë pranë Gjykatave të Rretheve Gjyqësore si dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, deri në këto momente janë shënuar gjithësej  12 procedime.
Konkretisht:

Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan
, ka regjistruar, 2 (dy) procedime penale që lidhen me veprat penale që prekin zgjedhjet e lira. 1) Procedimi i parë është shënuar më datë 14.06.2019, me 7(shtatë) persona të arrestuar nga policia gjyqësore për veprat penale, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, parashikuar respektivisht nga nenet 262, 293, 325 e 25 të Kodit Penal.  2) Ndërsa procedimi tjetër është bërë në datën 26.06.2019, ku është vendosur një person nën hetim  për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme”, parashikuar nga neni 223 i Kodit Penal .

Ndërsa  Prokuroria pranë Gjykatës së Shkodrë, ka regjistruar 3(tre) procedime penale. Procedimi i parë ka vënë në pranga 5 persona të cilët akuzohen për veprat penale “Shkatërrimi me zjarr i pronës” , dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.  Ndërsa 2 të tjerë janë ndaluar me iniciativë nga policia gjyqësore. Sa i përket masës së sigurisë 4 prej të arrestuarëve janë në arrest me burg, dy në arrest shtëpie dhe një është me masën e sigurisë detyrim paraqitje. 2) Në procedimin e dytë janë arrestuar 14 persona të cilët akuzohen për veprat penale “Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore”, dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë të rendit publik”. Për të arrestuarit nuk dhënë masat e sigurimit akoma. 3) Në procedimin e tretë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë të rendit publik”, dhe “Dëmtimi me dashje i materialeve zgjedhore” . Nuk ka akoma persona nën hetim.


Për sa i përket Prokurorisë  pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 21.06.2019, ka regjistruar 1 (një) procedim penal në ngarkim të 3 (tre) personave të arrestuar në flagrancë, të dyshuar për kryerjen e veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”  të Kodit Penal.

Në Prokurorinë  pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë më datë 19.06.2019, ka regjistruar 1 (një), në ngarkim të 7 (shtatë) personave të arrestuar në flagrancë dhe 2 (dy) personave të ndaluar, për kryerjen e veprave penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestim të paligjshme. Lidhur me masat e sigurimit rezulton se për 3 (tre) prej tyre është caktuar masa e sigurimit “arrest në burg” me afat 20 ditor për 3 (tre) persona masa e sigurimit “arrest në shtëpi” dhe për 3 (tre) persona, masa e sigurimit “detyrim për paraqitje”.

 Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, më datë 20.06.2019, mbi bazën e materialit të dërguar nga Komisariati i Policisë Mat, ka regjistruar 1 (një) procedim penal, nr. 92 në ngarkim të 10 (dhjetë) personave të arrestuar në flagrancë, dyshuar për kryerjen e veprave penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestim të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike” të parashikuara nga nenet 326/a/1, 236/2, 262/1 dhe 274 të Kodit Penal. Sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat aktualisht, po hetohen 2 (dy) persona me masë sigurimi “Arrest në burg” me afat 30 ditor; 4 (katër) persona me masë sigurimi “Arrest në shtëpi” dhe 4 (katër) persona me masë sigurimi “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

 Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, ka regjistruar më datë 20.06.2019 1 (një) procedim penal, nr.243, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 150, 25 i Kodit Penal, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal dhe “Organizimi dhe pjesëmarrja në  Adresa: Rr. “Qemal Stafa” Nr.1, Tiranë ëebsite: pp.gov.al grumbullime e manifestime të paligjshme”, parashikuar nga neni 262/2 i Kodit Penal. Në referim të ngjarjes nga shërbimet e policisë janë arrestuar 8 (tetë) persona për të cilët u vendosën masat e sigurimit si më poshtë; për 4(katër) persona masa e sigurimit “arrest me burg”, 2 (dy) persona me masë sigurimi “arrest në shtëpi” dhe 2 (dy) persona me masë sigurimi “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, ka regjistruar më datë 29.06.2019 1 (një) procedim penal në ngarkim të 2 (dy) personave të arrestuar në flagrancë për veprën penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, parashikuar nga neni 325 e 25 të Kodit Penal. Akoma nuk janë dhënë masat e sigurimit nga gjykata.


Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, ka regjistruar më datë 29.06.2019 1 (një) procedim penal në ngarkim të 12 (dymbëdhjetë) personave të arrestuar në flagrancë për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, parashikuar nga nenet 326 dhe 236/2 të Kodit Penal. Akoma nuk janë dhënë masat e sigurimit nga gjykata.


Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, ka regjistruar më datë 29.06.2019 1(një) procedim penal në ngarkim të 4 (katër) personave, 3 (tre) të arrestuar në flagrancë dhe 1(një) i shpallur në kërkim policor, për veprën penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor” parashikuar nga neni 325 i Kodit Penal. Akoma nuk janë dhënë masat e sigurimit nga gjykata.

Prokuroritë pranë Gjykatave të Rretheve Gjyqësore Gjirokastër, Durrës, Berat, Lushnjë, Krujë, Sarandë, Kurbin, Pukë dhe Vlorë, si dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë njoftuar se deri në këto momente nuk kanë të regjistruar procedime penale lidhur me veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe çdo shkelje që lidhen me zgjedhjet e 30 qershorit./Shqiptarja.com/

BE: Politikanët, përgjegjës për dhunën

Delegacioni i BE-së në Tiranë i bën apel aktorëve politike që të mbajnë përgjegjësi për të siguruar zhvillimin pa asnjë pengesë të zgjedhjeve të 30 qershorit.

BE bën thirrje që zgjedhjet e 30 qershorit të jenë të rregullta dhe paqësore dhe të gjithë shqiptarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.

“Qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Duke pasur parasysh votimet që do të zhvillohen më 30 qershor 2019, është e domosdoshme që qytetarët që ushtrojnë të drejtat e tyre ta bëjnë këtë në një mënyrë të rregullt. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit të mos pengohen”, shkruhet në deklaratë.

BE thekson se çdo veprim i dhunshëm është i papranueshëm, ndërsa i bën thirrje politikanëve që të shmangin retorikën provokuese. BE garanton se zgjedhjet do të monitorohen nga OSBE/ODIHR, pjesë e së cilës janë vëzhgues nga disa vendeve anëtare të unionit.

“Demonstrata e zhvilluar në Tiranë më 21 qershor 2019 ishte e paqësore dhe të njëjtat parime dhe vlera demokratike duhen ruajtur këtë fundjavë. Çdo veprim i dhunshëm apo çdo formë nxitjeje për dhunë janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo lloj rrethane. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese. Procesi i votimit do të vëzhgohet nga një mision ndërkombëtar i drejtuar nga OSBE/ODIHR që përfshin vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian”, shkruhet në deklaratë.

BE gjithashtu apelon që politikanët të angazhohen në një dialog për gjetjen e një zgjidhje për të kapërcyer situatën aktuale politike.

“Të gjitha palët duhet të angazhohen në një dialog të mirëfilltë, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të kapërcyer situatën aktuale politike në mënyrë që t’i përqëndrojnë përpjekjet e tyre në mbështetjen dhe konsolidimin e progresit të bërë nga Shqipëria deri më tani në procesin e reformave në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian”, përfundon deklarata.

Ky reagim i BE-së, vjen pas deklaratës së zv. Ndihmës Sekretarit të shtetit të SHBA-së, Mathew Palmer i cili tha se qeveria amerikane njeh zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri duke rrëzuar në këtë mënyrë dekretin e 3-të të presidentit Meta që zgjedhjet të zhvillohen në 13 tetor.  

EUROPOL: Terrorizmi kërcënon BE . Mbi 1000 persona të arrestuar

Në raportin vjetor të Europol raportohet se gjatë vitit 2018, terrorizmi ka vazhduar të paraqesë kërcënim madhor për sigurinë e vendeve të BE-së.

Trembëdhjetë njerëz janë vrarë nga sulmet terroriste në Evropë në vitin 2018, thekson raporti, ndërsa forcat e zbatimit të ligjit në Evropë kanë zbuluar rreth 16 komplote të xhihadistëve.

Europol thotë se gjatë këtij viti janë arrestuar 1056 persona si të dyshuar për vepra terroriste.

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë raportuar se në territoret e tyre ekzistojnë komunitete të radikalizuara, disa nga të cilat përfshijnë të kthyerit nga zonat e konfliktit në Irak dhe Siri, të cilët janë të përfshirë në aktivitete të rekrutimit dhe propagandës. Megjithatë, aktivitete terroriste janë vërejtur rrallë.

Raporti thotë se qindra qytetarë evropianë, duke përfshirë gratë dhe të miturit, kryesisht të moshës shumë të re, mbeten në paraburgim në zonat e konfliktit në Irak dhe Siri.

“Të gjithë meshkujt dhe disa gra besohet se kanë marrë trajnim të armëve, ku burrat gjithashtu kanë fituar përvojë luftarake. Përderisa të miturit në thelb janë viktima, ka shqetësime midis shteteve anëtare të BE-së se ata mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj indoktrinimit dhe trajnimit në ish-territoret e Shtetit Islamik (IS) dhe mund të përbëjnë një kërcënim të mundshëm në të ardhmen”, thuhet në raport.

Raporti thekson se ekziston një shqetësim i vazhdueshëm që individët me prejardhje kriminale, përfshirë edhe ata që aktualisht janë të burgosur, janë të cenueshëm ndaj indoktrinimit dhe mund të angazhohen në aktivitete terroriste.

Pavarësisht zvogëlimit të gjurmëve të tij fizike, raporti thotë se IS-i ka arritur të ruajë një prani në internet kryesisht falë rrjeteve mbështetëse jozyrtare dhe mediave pro-IS./ REL

Euronews: Protestat vazhdojnë. Por Rama këmbëngul: Duan të pengojnë negociatat

Mijëra mbështetës të opozitës në Shqipëri, disa që mbanin veshur maska me fytyrën e kryeministrit Edi Rama, u mblodhën jashtë zyrës së tij ndërsa vazhduan protestën kundër qeverisë së tij.

Disa mbanin banera me mbishkrimin “Jo zgjedhje pa opozitën”, ose “Rama ik”.

Pavarësisht protestave të opozitës që kanë nisur që në mes të muajit Shkurt, kryeministri Rama, njëkohësisht dhe kryetar i Partisë Socialiste, ka thënë se është i vendosur që të mbahen zgjedhjet e 30 qershorit.

“Zgjedhjet i përkasin njerëzve dhe askush nuk mund ta minojë këtë të drejtë thelbësore të sistemit tonë”, është shprehur Rama.

Partitë e opozitës së qendrës së djathtë po bojkotojnë zgjedhjet dhe prej disa muajsh kërkojnë zgjedhje të parakohshme, ndërsa akuzojnë qeverinë për manipulimin e votave.

Rama tha se qëllimi kryesor i tyre është të prishin përpjekjet e vendit për të nisur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

“E gjithë kjo bëhet për këtë arsye, për të ndikuar negativisht. Është bërë për të treguar në Evropë se ky vend nuk është i qëndrueshëm, se ky vend nuk meriton të merret seriozisht dhe është një plan i tërë, është e qartë; madje as sekret, është e qartë, është e hapur, është duke u shpalosur çdo ditë, ju e dini”.

Megjjithatë gjatë protestës së të premtes, disa protestues valëvitën flamujt e SHBA-së, BE-së, dhe Gjermanisë.

“Ne po kërkojmë për të drejtat tona, ata (qeveria shqiptare) na i kanë vrarë për gjashtë vjet që kur kanë qenë në pushtet”, tha një protestues, Novalik Dokaj.

Një tjetër protestues Enver Ibraj, tha: “Kemi dalë në protestë që të rrëzojmë qeverinë. Është qeveri e krimit dhe e drogës”.

Për herë të parë që nga fillimi i protestave, gjatë të premtes nuk u hodh asgjë kundër policisë. Kjo erdhi si rezultat i thirrjeve intensive nga vendet perëndimore për të ndaluar dhunën./euronews

Skip to toolbar