Reforma në Drejtësi, Calavera kërkon prova: Burg dhe sekuestrim pasurish

AKTUALITET


Shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera ka folur të enjten më hapur se kurrë duke i dhënë një mesazh shumë të qartë politikanëve shqiptarë: Që të hapen negociatat ne duam të shohim njerëz në burg.

Ajo ka mbajtur një fjalim të enjten në samitin për Ballkanin Perëndimor në Poloni, ku është ndalur te ecuria e reformës në drejtësi në vendin tonë. Për të parën herë ajo e ka bërë të qartë se duhet të shikojnë njerëz në burg me qëllim që të hapen negociata.


“Këtë herë kur ne negociojmë anëtarësimin, ne kërkojmë një historik treguesish. Kjo do të thotë që ne duam të shohim që ligjet të zbatohen, duam të shohim njerëzit në burg, asetet e krimit të sekuestrohen dhe ne duam të kemi mjaftueshëm fakte/prova, jo vetëm ligje, për të demonstruar që sistemi është i konsoliduar. Vetëm mund të shpresoj që në Shqipëri, kur sistemi po tronditet, të gjithë politikanët ta kuptojnë vlerën e që ka respektimi dhe mbështetja e kësaj reforme”, tha ajo.

Edhe pse presidenti Meta trumbeton se reforma në drejtësi është e kapur nga qeveria dhe nuk po ecën si duket, për BE ajo është në rrugën e duhur dhe nuk do të ketë asnjë kthim pas.

“Kjo ka për të qenë thelbësore: të keni një shtet ligjor funksional, të keni një sistem gjyqësor të pavarur. Nuk është më një çështje e negociueshme. Ne duhet të nxëmë nga mësimet tona. Prandaj jam shumë e lumtur që për shkak të popullit shqiptar dhe jo për shkak të politikanëve, për shkak të qytetarëve, ky ndryshim dramatik ka nisur në Shqipëri. Sepse kjo do të thotë që me këtë proces, që unë besoj se po shkon në drejtimin e duhur, ne do të kemi një gjyqësor të pavarur, Shqipëria do të arrijë në një pozicion fantastik, për të kapur kohën e humbur deri tani. Çdo vend duhet të gjejë mënyrën për të reformuar gjyqësorin. Nuk është e thënë që të jetë kaq dramatike sa e Shqipërisë, sepse problematika nuk është e njëjtë për çdo vend, por ju duhet të gjeni një mënyrë për të bërë reformën”, ka thënë ajo.

Deklarata e Calaveras vjen në një moment kur skena politike shqiptare është e ndezur nga debati për reformën në drejtësi. Dy figura politike kanë dalë hapur kundër saj. Presidenti Meta dhe ish kryeministri Berisha e kanë kundërshtuar këtë reformë duke thënë se nuk po zbatohet siç duhet dhe se është e kapur nga Rama dhe nga ndërkombëtarët e Euralius. Vendimi për hapeje negociatave merret më 17 tetor dhe kjo do të thotë se deri në këtë datë mund të ketë arrestime VIP.




Skip to toolbar