Euronews: Protestat vazhdojnë. Por Rama këmbëngul: Duan të pengojnë negociatat

AKTUALITET


Mijëra mbështetës të opozitës në Shqipëri, disa që mbanin veshur maska me fytyrën e kryeministrit Edi Rama, u mblodhën jashtë zyrës së tij ndërsa vazhduan protestën kundër qeverisë së tij.

Disa mbanin banera me mbishkrimin “Jo zgjedhje pa opozitën”, ose “Rama ik”.


Pavarësisht protestave të opozitës që kanë nisur që në mes të muajit Shkurt, kryeministri Rama, njëkohësisht dhe kryetar i Partisë Socialiste, ka thënë se është i vendosur që të mbahen zgjedhjet e 30 qershorit.

“Zgjedhjet i përkasin njerëzve dhe askush nuk mund ta minojë këtë të drejtë thelbësore të sistemit tonë”, është shprehur Rama.

Partitë e opozitës së qendrës së djathtë po bojkotojnë zgjedhjet dhe prej disa muajsh kërkojnë zgjedhje të parakohshme, ndërsa akuzojnë qeverinë për manipulimin e votave.

Rama tha se qëllimi kryesor i tyre është të prishin përpjekjet e vendit për të nisur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

“E gjithë kjo bëhet për këtë arsye, për të ndikuar negativisht. Është bërë për të treguar në Evropë se ky vend nuk është i qëndrueshëm, se ky vend nuk meriton të merret seriozisht dhe është një plan i tërë, është e qartë; madje as sekret, është e qartë, është e hapur, është duke u shpalosur çdo ditë, ju e dini”.

Megjjithatë gjatë protestës së të premtes, disa protestues valëvitën flamujt e SHBA-së, BE-së, dhe Gjermanisë.

“Ne po kërkojmë për të drejtat tona, ata (qeveria shqiptare) na i kanë vrarë për gjashtë vjet që kur kanë qenë në pushtet”, tha një protestues, Novalik Dokaj.

Një tjetër protestues Enver Ibraj, tha: “Kemi dalë në protestë që të rrëzojmë qeverinë. Është qeveri e krimit dhe e drogës”.

Për herë të parë që nga fillimi i protestave, gjatë të premtes nuk u hodh asgjë kundër policisë. Kjo erdhi si rezultat i thirrjeve intensive nga vendet perëndimore për të ndaluar dhunën./euronews




Skip to toolbar